Fiorin Durmishaj merr lajmin e madh, Olimpiakosi do ta marrë në Athinë në verën e vitit 2019

0
600

Në Greqi luan një kastë të rinjsh futbollistësh shqiptarë, që janë fëmijë të lindur në Shqipëri dhe të rritur në Greqi, ose janë të lindur nga prindër shqiptarë në ven din fqinj, por një pjesë e madhe e këtyre futbollistëve duan të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi. Dhe nga liga greke e futbollit kanë ardhur disa elementë të mirë që aktivizohen me ekipet kombëtare të moshave, por njëherësh dhe në skuadrës e parë kombëtare e këtu kujtojmë Ergys Kaçen, Qazim Laçin e ndonjë tjetër. Gjithsesi, lojtari shqiptar më në formë i momentit në Superligën helene është Fiorin Durmishaj, i cili është pjesë e Panioniosit në kampionatin elitar grek. Ai është një preh futbollistëve të rinj më të mirë të të gjithë kampionatit grek dhe është në fokusin e shumë klubeve brenda e jashtë Greqisë. Natyrisht, për djaloshin shqiptar ka pasur interesim të drejtpërdrejtë edhe vetë federata greke e futbollit, e cila e kishte projektuar atë për ekipin e saj përfaqësues. Por futbollisti ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë. Më parë ai është aktivizuar me Shpresat e Alban Bushit, e tani së fundmi është pjesë e Kombëtares së Kristian Panuçit. Trajneri italian e ftoi Durmishajn në grumbullimin e nëntorit për ndeshjet ndaj Skocisë dhe Uellsit, por ai nuk erdhi, pasi duke qenë se është me shërbim të detyrueshëm ushtarak në vendin fqinj, atij nuk i lejohet të kalojë kufirin. Pra nuk iu dha leje dhe mundoi në dy takimet në fjalë, por në të ardhmen do të jetë me siguri një prej emrave që Panuçi do ta ketë në konsideratë për duelet e ardhshme kualifikuese të Kampionatit Europian të vitit 2020.

Oferta e Olimpiakosit

Shqiptari Fiorin Durmishaj, po shkëlqen në kampionatin grek, duke qenë një nga sulmuesit më në formë të Shqipërisë megjithëse nuk ka arritur të debutojë me fanellën e Kombëtares A për shkak të problemeve që ka me shtetin grek. E ardhmja e tij, duket e sigurt duke qenë mediat greke raportojnë se ky është sezoni i fundit me Panioniosin në Greqi. Sipas të njëjtave burime, Durmishaj ka arritur akordin dhe ka firmosur me Olimpiakosin një kontratë dhe do të transferohet gjatë merkatos së verës. Olimpiakos ka vlerësuar formën që po kalon sulmuesi shqiptar dhe është gati që të paguajë kartonin e tij në drejtim të Panionosit. Kujtojmë që marrëdhënia mes dy klubeve është mjaft e mirë duke qenë se vetëm pak kohë më parë, Olimpiakosi njoftoi arritjen e akordin me klubin e Panionosit për transferimin e Masuras në merkaton e janarit, ndërkohë që Durmishaj transferohet në merkaton e verës. Deri më tani, Durmishaj ka shënuar 4 gola në Greqi në 12 javë kampionat. Një shifër e mirë realizimi po të kihet parasysh fakti se ai nuk është aktivizuar rregullisht dhe ka pasur disa probleme. Gjithsesi, është një futbollist në rritje dhe fakti që e kërkon Olimpiakosi tregon shumë për lojtarin kuqezi. Natyrisht, verën e ardhshme ai mund të veshë fanellën e klubit të madh grek, por djaloshi shqiptar e di që kalimi në radhët e Olimpiakosit kërkon një dimension tjetër të përgatitjes dhe të konkurrencës. Sidoqoftë, performanca e tij e deritanishme në kampionatin grek iu jep të drejtë të krenohet dhe të shpresojë për të qenë elitar edhe në klubin e madh grek. Duke u kthyer tek Kombëtarja Shqiptare, Durmishaj do të ketë shanse të mëdha aktivizimi nëse ruan një profil të lartë paraqitjesh në kampionatin grek dhe nëse realizon gola. Natyrisht, Panuçi do ta ftojë atë dhe do t’ia japë shansin, por i mbetet lojtarit të tregojë vlerat e tij në rastin më të parë. Nëse e grumbullon dhe aktivizon, atëherë Durmishaj duhet të shpërthejë, në të kundërt do të mbetet thjesht në nivelin e ftesës. Dihetq ë kualifikueset kanë peshë për objektivat dhe Panuçi është i detyruar t’i japë shansin të zbresë në fushë lojtarëve më të mirë dhe që janë më në formë në aspektin fizik, e tekniko-taktik.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here