Regjisorë dhe aktorë: Drama shqipe dhe buxhetet minimale, problemet themelore të teatrit

0
389

Regjisorë dhe aktorë shprehen se drama shqipe dhe financimet e pakta janë dy nga problemet themelore të teatrit në vend. Festivali “Metrofest” pati rëndësinë e tij për dramën shqipe të arkivit, por institucionet e tjera të teatrit duhet ti japin më tepër hapësira pjesëve të autorëve shqiptarë.  Të mbledhur në një tryezë, regjisorë, aktorë, etj, u bënë bashkë ku diskutuan mbi problemet dhe zhvillimin e dramës shqipe. Regjisore dhe aktore Rozi Kostani u shpreh se ka regjisorë, që po bëjnë përpjekje të ndryshme për dramën shqipe. Sipas regjisores, akoma në teatër është faza e eksplorimit të dramës shqipe. “Ne jemi ende në eksplorimin ose në zbulimin e dramës shqipe të arkivit, edhe kjo është pasojë dhe një konkluzion mbi një punë që unë bëra si regjisore për veprën “Rranjët lëvizin” të autorit Ernest Koliqi. Regjisorët kanë probleme së pari vetë me punën e tyre, që do të thotë ne nuk e kemi traditë dramën, kështu që nuk kemi një kulturë të bazuar diku. Por janë përpjekje shumë të mira për ta sjellë në skena dramën shqipe, që na fakt ka munguar”, pohon regjisorja Kostani. Në reagimin e saj ajo shprehet se festivali “Metrofest” është me rëndësi për dramën shqipe dhe sipas Kostanit problematikat që janë trajtuar nga autorët e dekadave më parë janë dhe sot. “Ne nuk e kemi kulturë në dramaturgji siç e ka bota përshembll Shekspirin, ne nuk kemi kulturë të zhanrit dramatik. Pikërisht për këtë, shumë autorë kanë bërë përpjekje të ndryshme dhe duhen parë me sy më pozitiv, sepse ka shumë për të zbuluar përbrenda. Dhe duke pasur parasysh që ajo është një material bazik i joni, është baza jonë. Problematika që kanë ngritur ata autorë dekada më parë vazhdon të jetë dhe sot”, vijon regjisorja. Por e pyetur për teatrin dhe problemet financiare, regjisorja Rozi Kostani shprehet se duhet patjetër që të mendohet nga institucionet për më tepër buxhete. “Edhe Teatri Kombëtar duhet ti japi hapësirë dramës shqipe, ta ekspozojë dramën shqipe në skenë. Një teatër nuk mund të quhet kombëtar pa vepër kombëtare. Por dhe duhen financime, duhen buxhete për teatrin në vend sepse janë të pakta”, tregon regjisorja. Edhe pse nuk ishte i pranishëm në takim, regjisori Milto Kutali u shpreh se duhet të 10 fishohen buxhetet e teatrit në vend. “Kur themi të rriten buxhetet nga institucionet, ato të jenë 10 herë më shumë për teatrin”, pohon regjisori Kutali.

Puna me veprat

Tryeza e rrumbullakët “Teatri dhe Shoqëria” është iniciativë e ndërmarrë nga Teatrin Metropol, si një sprovë nxitëse e reflektimit ndaj realizimeve të edicioneve “MetroFest” dhe fuqizimin e veprimtarive prej shkëmbimit të mendimeve dhe bashkëveprimit mes fushave të artit skenik, dramaturgjisë, antropologjisë kulturore. Në këtë forum u diskutua mbi rëndësinë e krijimit të ambienteve që synojnë diskurs për zhvillim në fushën e teatrit. Diskutimet e panelistëve u fokusuan tek çështje si: “Përthyerje për të qëmtuar: Teatri i Metropolit ndërmjet zgjedhjeve dhe zgjidhjeve”, “Teatri si ngjizje e “comunitas”-it; Rivitalizimi i veprave arkivore kryesisht të mbetura si letërsi dramatike në një tekst të ri skenik që mundëson një repertor të ri nga një përvojë e përçuar nga një brez në tjetrin duke prodhuar kuptime”. Regjisorja Sonila Kapidani tregon se puna për dramën shqipe ka qenë një ide para disa vitesh. “Pyetja ishte para 8 vitesh: A ka dramë shqipe? Por tashmë ne kemi bërë festivalin “Metrofest” që zhvilloi edicionin e dytë këtë vit. Mirënjohje dhe për drejtoreshën Jonida Beqo që e arritëm këtë ide. “Metrofest” u krijua me vepra teatrore të arkivit, me qëllim të njohjes së tyre. Një tekst shqip mbi një letër të bardhë merr jetë kur vihet në skenë. A kanë pasur vështirësi regjisorët? Sigurisht që po. Kanë hasur një mungesë të konfliktit në veprat teatrore, por kanë gjetur forma për ta sjellë në skenë” u shpreh regjisorja Kapidani. Pjesëmarrës në tryezë dhe në diskutime me panelistët ishin të pedagogë dhe të rinj nga Fakulteti i Gjuhë -Letërsisë, Fakulteti i Artit Skenik, Sektori Artistik dhe i Edukimit në TM, artistë, etj.

 Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here