Zbardhet raporti për ngritjen e KED, KShH: Ja disa nga arsyet pse është bllokuar institucioni

0
14

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar ditën e djeshme raportin e pjesshëm të monitorimit të ngritjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku konstatohet se vonesat në fillimin e zbatimit të vetingut kanë penguar konstituimin me legjitimitet të plotë vendimmarrës të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi, konform Kushtetutës dhe ligjit të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Në raportin e tij, KShH rendit edhe disa nga arsyet që kanë çuar disa nga institucionet ligjzbatues që të jenë jofunksionale, duke e vënë theksin tek vonesat dhe ecja me ritme të ngadalta të procesit të vetingut dhe flakjes jashtë sistemit të shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

“Vonesat në fillimin e zbatimit të ligjit të vetingut, ritmet jo dinamike nga organet e vetingut në drejtim të rivlerësimit kalimtar me përparësi të anëtarëve të shortuar në KED, moskalimi me sukses i vetingut për pjesën dërrmuese të këtyre anëtarëve apo dorëheqja e tyre si dhe vështirësitë e paraqitura në drejtim të gjetjes së kandidatëve që plotësojnë kriteret e parashikuara në ligj, në mënyrë të veçantë e kriterit të përfundimit të Shkollës së Magjistraturës, qasja jo e unifikuar e institucioneve përgjegjëse në drejtim të zbatimit dhe interpretimit të ligjit për procedurat e zgjedhjes dhe rivlerësimit të anëtarëve të KED-së vlerësohen se janë disa nga arsyet që kanë penguar konstituimin me legjitimitet të plotë vendimmarrës të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi, konform Kushtetutës dhe ligjit të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, thuhet në raport. Më tej, në raportin e tij, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngre edhe shqetësimin se si mungesa e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ka bllokuar edhe punën e Gjykatës Kushtetuese. “Problematikat e shfaqura në drejtim të ngritjes në kohë të KED-së janë reflektuar ndër të tjerash në bllokimin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, e cila po përballet me një numër të lartë vakancash, si rezultat i shkarkimit apo dorëheqjeve të një numri të konsiderueshëm anëtarësh për shkak të vetingut”, thuhet ndër të tjera në raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj