Komedia “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve”, premierë në Teatrin Metropol

0
408

Shfaqja teatrore “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve” nga Ken Ludvig me regji nga Shkëlqen Berisha është premiera e fundit këtë vit për publikun në Teatrin Metropol. Në këtë shfaqje disa prej aktorëve luajnë dy deri në trembëdhjetë karaktere. Rolet në komedi regjisori ia ka besuar aktorëve, që publiku i njeh në aktivitetin artistik me teatrin. Në komedinë “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve”, që vjen premierë më datë 13 dhjetor,  me regji dhe përkthim nga Shkëlzen Berisha interpretojnë aktorët Amri Hasanlliu, Ermir Hoxhaj, Gentian Hazizi, Herion Mustafaraj, Klodjana Keco, Mirela Naska dhe Rozi Kostani. Në materialin mbi veprën teatrore përshkruhet se Langoi i Baskervillëve bashkon dy zhanre letrare popullore: përrallën gotike dhe trillin e letërsisë detektive, duke mbajtur kështu kureshtjen e publikut të ngacmuar nga suspanca për të lidhur fijet e ngjarjeve dhe shijuar në maksimum proçesin e zbulimit. Regjisori Berisha tregon se ka punuar për një spektakël dinamik, plot energji që shpërthen nga ironia e situatave, në të cilat pritshmëria dhe realiteti janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Ritmi, ngjyrimi dialektor, puna me gjuhën dhe theksat, harmonia mes fjalës dhe gjestit tek individi dhe pastaj mes ansamblit kanë qenë sfidat e këtij procesi mjaft të pëlqyeshëm. “Çdo gjetje apo element duhet të bazohet në saktësi dhe harmoni”, thotë regjisori, ndaj procesi ka angazhuar potencialet edhe të njohura edhe të panjohura të aktorëve, për të bërë të pandjeshme ngarkesën dhe arritur një nivel profesional të pëlqyeshëm dhe mikpritës nga publiku. Ndriçimi i shfaqjes nga Kevin Frazier, kostumografe Jonida Beqo, kostumografe realizuese Suzana Bodinaku, as. regji Rexhina Mollaymeri, skenograf realizues Arian Xhao, Griseld Kapllanaj, fragmentet e orkestruara Jusiald Xhani, grimi Marinela Halilaj, identiteti vizual Vincenzo Giannattasio. Premiera më 13 dhjetor për të vijuar dhe në datat 14, 15, 16, 20, 21, 22, 23 në Teatrin Metropol.

Vlerësimet për veprën

Romani përdor temat dhe simbolet tipike gotike, një mallkim familjar dhe një legjendë për një qen paranormal dhe djallëzor, një hero i bllokuar në një vend të çuditshëm, shkelja e tabuve morale, shqopishtet e zymta që mbajnë sekrete të këqija, hijet e errëta, dhe peizazhe të tmerrshme, të mbuluara nga mjegulla. Sherlok Holms sulmon legjendën e mallkimit Baskerville me armën e arsyes dhe të metodave shkencore të vëzhgimit, analizës dhe përfundimit. Megjithatë, kur Sherlok Holms nuk është në tregim dhe dr. Watsoni drejton komplotin, elementët gotikë e marrin përsipër rrjedhën e tij. Në krijimtari nuk ka një libër të dytë që të jetë marrë më shumë seriozisht personazhi sesa autori. I hyrë në legjendë si një prej krijesave më të jashtëzakonshme dhe jetëgjata të fantazisë letrare, Sherlok Holms ka një aftësi të mrekullueshme për observim dhe deduktim: është i ftohtë, logjik, i rezervuar por edhe i gatshëm për veprim. pëlqen ta përcaktojë vetveten si një “tru, gjithë pjesa tjetër është një shtojcë”. Edhe sot frymëzon libra me peshë që, mes seriozëve dhe atyre me vizatime, e trajtojnë si një person që ka jetuar me të vërtetë. Për të mos folur për rrëfimet e aventurave të reja, dokumentarë, seri televizive dhe filma. Shfaqja më e fundit e detektivit është në filmin e Guy Ritchie, “Sherlok Holms”. Producentët kanë qenë aq të sigurt për suksesin saqë pa dalë ende ata kanë pasur të gatshëm edhe vazhdimin.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here