Komisionerët Publikë nuk ankimojnë asnjë vendim për gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar, pajtohen me KPK

0
14

Komisionerët Publikë kanë vendosur të mos ankimojnë një sërë vendimesh të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili ka vendosur për shkarkimin e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këto raste quhen mosankime dhe janë një sërë gjyqtarësh dhe prokurorësh, për të cilët, ashtu si KPK, edhe Komisionerët Publikë mendojnë se e meritojnë shkarkimin nga detyra. Midis këtyre emrave bie në sy edhe ai i Rovena Gashit. Ajo ishte prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme dhe njihej si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Gjatë seancës dëgjimore që KPK mbajti për të, u listuan shumë probleme me pasuritë dhe kjo çoi në shkarkimin e saj. Për këtë rast, edhe Komisionerët Publikë mendojnë se Rovena Gashi nuk e meriton të vijojë detyrën sepse kanë vendosur të mos e ankimojnë vendimin e komisionit të vetingut.

E njëjta gjë vlen edhe për ish-gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Shkodrës, Ahmet Jangulli, për ish-gjyqtarin e Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja, për ish-prokurorin e Apelit të Durrësit, Bujar Hoti, për ish-anëtarin e Gjyaktës Kushtetuese, Gani Dizdari, për ish-prokurorin e Korçës, Elsion Sadiku, për ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Artan Broci, etj. Që të gjithë këta emra janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kryesisht për probleme të shumta me pasuritë dhe nga Komisionerët Publikë nuk ka patur asnjë lëvizje apo pakënaqësi me këtë vendim. Për Komisionerët Publikë ata nuk e meritojnë që të vijojnë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë apo që vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të ankimohet duke e çuar çështjen në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisionerët deri tani kanë ankimuar vetëm vendimet e KPK për rikonfirmime, të cilat i kanë si të padrejta. Kujtojmë këtu rastin e Xhezari Zaganjorit dhe Bashkim Dedes. Megjithatë duhet theksuar fakti se edhe pse Komisionerët Publikë nuk kanë vepruar në favor të shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga vetingu, këta të fundit i janë drejtuar vetë KPA për të kërkuar rikthim në detyrë. Por seancat në KPA kanë treguar që shanset që të arrihet të diçka e tillë janë të pakta.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj