Konferenca dhe ekspozita, në Ditët e Albanologjisë

0
426

Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi edicionin e IX të Ditëve të Albanologjisë. Fjalën e hapjes së veprimtarive e mbajti rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, akademik prof. dr. Marenglen Verli, i cili gjatë fjalës së tij ndër të tjera theksoi se edicioni i këtij viti i Ditëve të Albanologjisë shënon përmbylljen e një viti shumë të rëndësishëm siç ishte viti mbarëkombëtar i Skënderbeut. Ndër të tjera ky vit ka përkuar edhe me një sërë ngjarjesh të tjera të rëndësishme si, 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 110-vjetori i Kongresit të Manastirit, 100-vjetori i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, etj. Në 3 dhjetor zhvilloi punimet konferenca shkencore “Skënderbeu dhe epoka e tij”, ku referuan prof. dr. Aurel Plasari, “Referat: Mbi të sotmen dhe të ardhmen e studimeve skënderbegiane”, dr. Elvana Metalla, “Kruja në periudhën e mesjetës, rivlerësim mbi të dhënat arkeologjike”, prof. dr. Skënder Muçaj dhe dr. Suela Xhyheri, “Kastriotët dhe fisnikët e tjerë shqiptarë në fushën e ndërtimeve mbrojtëse, prof. dr. Afërdita Onuzi, “Veshjet shqiptare në shekujt XIV-XV (reflektim etnografik)”, dr. Mikaela Minga, “Fan Noli, Skënderbeu dhe muzika”, prof. asoc. Dr. Nebi Bardhoshi, “Etnografia për Skënderbeun: kozmologji antropologjike mbi figurën e heroit”, prof. dr. Valter Memisha, “Vështrime shkencore për figurën e Skënderbeut në faqet e revistës “Studime filologjike” etj. Ditën e dytë, më 4 dhjetor zhvilloi punimet Konferenca “100 vjet gërmime arkeologjike në Shqipëri. Prezenca austro-hungareze në arkeologjinë shqiptare”.

Kjo konferencë e cila erdhi si bashkëpunim mes Institutit të Arkeologjisë (pranë ASA), Ambasadës Austriake në Tiranë dhe Muzeut Historik Kombëtar, kujton kontributin e misioneve austro–hungareze në arkeologjinë shqiptare si dhe synon të japë një panoramë të përgjithshme të rrugëtimit të tyre shkencor.  Në fund të konferencës u hap ekspozita me titull “100 vjetori i prezencës austro-hungareze në arkeologjinë shqiptare”. Gjithashtu gjatë ditës së dytë të veprimtarive Ditët e Albanologjisë u paraqitën 34 botime të reja shkencore të realizuara nga institutet e Akademisë së Studimeve Albanologjike gjatë vitit 2018. Gjatë ditës së tretë, 5 dhjetor,  u hap në ambientet e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit ekspozita “Një etnografi për kohën e Skënderbeut”. Nëpërmjet kësaj ekspozite synohej të paraqitej kultura shqiptare në periudhën e Mesjetës. Objektet që u ekspozuan ishin: veshje, stoli, pajisje të mjedisit shtëpiak, armë të kohës së Skënderbeut, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here