Ndërkombëtarët strategji për të mos lejuar rrëzimin e reformës, ja si do të zhbllokohet KED dhe “loja” me ankimimet për Dedjen e Zaganjorin

0
14

Vendet partnere duket se po ecin me strategji për të mos lejuar më asnjë vonesë të reformës në drejtësi. Kjo reformë nisi në vitin 2016, por për dy vite është sulmuar dhe ka pasur tentativa për të zvarritur. Por duket se tani vendet partnere kanë marrë masa që të mos ndodhë një gjë e tillë. Sot hidhet shorti për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe ky institucion ka pasur vazhdimisht probleme. Por falë ndërhyrjes së partnerëve duket se pritet të kemi një institucion funksional shumë shpejt. Nëse shihet lista e kandidatëve, rreth 6 emra e kanë kaluar vetingun dhe ata mund të marrin vendime. Bëhet fjalë për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, konkretisht Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja. Po ashtu e kanë kaluar vetingun kandidatët e Gjykatës së Lartë: Edmond Islamaj, Ardian Dvorani dhe Medi Bici. Ndërsa nga Prokuroria e Përgjithshme e ka kaluar vetingun Arta Marku. Pra nga gjithë emrat që do të zgjidhen sot, ata që përfaqësojnë Kushtetuesen, Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme e kanë kaluar vetingun. Tani mbetet të shihet se kush do të zgjidhet nga Gjykatat e Apelit dhe ato Administrative. Po ashtu dhe mes tyre ka emra që e kanë kaluar vetingun. Kjo do të thotë se KED mund të bëhet funksionale në javët e para të vitit që vjen dhe më pas i hapet rrugë zgjedhje së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjen e Inspektorin e Drejtësisë.

Ankimimet

Gazeta ka mësuar se gjithçka është strategji e ndërkombëtarëve dhe komisioneve të vetingut. Në listën e mësipërme, bën pjesë kreu i Kushtetueses Bashkim Dedja, i cili ndodhet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Por seanca e parë e tij është vendosur më 12 dhjetor, pra pasi të hidhet shorti për KED. Nëse vendimi për të do ishte marrë më parë dhe mund të kishte shkarkim, atëherë bllokohej KED, pasi Kushtetuesja duhet të propozojë dy kandidatë. Por fakti që çështja e Dedes është shtyrë pas shortit, tregon se autoritet vendase edhe të huaja janë kujdesur që të mos ketë asnjë problem. Por po ashtu duket se me strategji po ecet dhe sa i takon apelimit për kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Vendimi për të do merret në janar dhe duket kjo është bërë për të mos krijuar probleme me ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Zaganjori është ai që mbledh gjyqtarët për të zgjedhur anëtarët dhe largimi i tij mund të sillte probleme.

Lufta për drejtësinë

Reforma në drejtësi është kthyer gjatë viteve të fundit në një objekt debati dhe përplasjesh politike. PD dhe LSI kanë nisur sulmet e vazhdueshme ndaj saj. Ndërkohë që PD më herët e bllokoi procesin. Fillimisht ankimoi disa ligje në Kushtetuese, ndërsa më pas u ngujua në çadër dhe bllokoi KLGJ e KLP. Po ashtu PD dhe LSI refuzuan që të japin votën për ligjin për magjistratët. Sot nuk bëhet dot asnjë emërim në gjyqësor dhe prokurori sepse këtë të drejtë e ka KLGJ me KLP. Mazhoranca propozoi që të bëhen ndryshime në ligj dhe t’u rikthehet e drejta e emërimeve KLD dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Por opozita e bllokoi. Por viti 2019 pritet që të sjellë futjen në shina të reformës, pasi do ngrihen të gjitha organet e reja. Sot ngrihet KED, ndërsa të hënën dhe të martën ngrihen KLGJ dhe KLP. Ndërsa në fillim të 2019 pritet që të ngrihen SPAK dhe Byroja e Hetimit.

Kliti Topalli

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj