Ndryshojnë procedurat, legalizimi i dokumenteve për në Itali tashmë nga Ministria e Punëve të Jashtme

0
403

Ambasada e Italisë në Tiranë njoftoi ditën e djeshme se për t’u ofruar një shërbim më të mirë shtetasve në aspektin ekonomik dhe në lidhje me lehtësimin e procedurave, duke filluar nga data 1 janar 2019, do të vendoset vula Apostile edhe për përkthimet e njohura (sikurse parashikohet në nenin 1 të Konventës së Hagës së datës 05.10.1961, në fuqi mes Italisë dhe Shqipërisë prej datës 01.07.2011). Për të qenë të vlefshme në Itali, dokumentet e lëshuara nga autoritetet shqiptare në Shqipëri duhet të jenë të pajisura me vulë Apostile të dyfishtë të vendosur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë mbi dokumentin origjinal në gjuhën shqipe dhe mbi përkthimin në e njohur në gjuhën italiane. Pra, nuk do të jetë e nevojshme që të kërkohet legalizimi i përkthimit pranë autoriteteve konsullore italiane në Shqipëri.

Procedura e re

Procedura e re që duhet ndjekur për të legalizuar përkthimin e njohur me vulë apostilë për dokumentet shqiptare që do të dorëzohen në Itali do të jetë në këtë mënyrë: Përkthimi do të kryhet nga një përkthyes i njohur firma e të cilit është depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë. Përkthyesi do të vendosë në përkthim këtë diçiturë: “Deklarohet se ky përkthim është i njëjtë me tekstin origjinal në gjuhën shqipe dhe se është kryer nga “Emri dhe Mbiemri”, përkthyes i njohur i akredituar pranë Ministrisë së Drejtësisë shqiptare”. Do të vendoset firma dhe vula e përkthyesit të njohur. Në bazë të nenit 65 të Ligjit nr. 7829 datë 01.06.1994, një noter shqiptar do të deklarojë vërtetësinë e nënshkrimit dhe statusin ligjor të përkthyesit të njohur. Mbi dokumentin dhe përkthimin do të vendoset vula “Apostile” nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Dokumenti origjinal i pajisur me Apostile dhe i shoqëruar nga përkthimi po ashtu i pajisur me Apostile, mund të paraqitet pranë autoriteteve italiane në Itali. Procedura e re do të ketë kosto më të ulët se shifra 3030 lekë që kushton aktualisht, ndërsa koha e marrjes së shërbimit do të jetë më e shkurtër. Ambasada italiane kujton gjithashtu se shtetasit shqiptarë kanë gjithsesi mundësi që të kryejnë përkthimin zyrtar të dokumenteve nga përkthyes të njohur në Itali.

Vula apostile

Vula Apostile, apo më saktë Apostille (fjalë belge) e lindur nga një marrëveshje ndërkombëtare të quajtur Konventa e Hagës, nuk është tjetër veçse një vulë e standardizuar në përmasa e përmbajtje siq’ parashihet nga vetë konventa. Është një lloj legalizimi që autoriteti kompetent i një shteti i bën dokumentit publik duke e kthyer dokumentin në të vlefshëm edhe për shtetet e tjera që kanë nënshkruar konventën. Pra Apostille është një legalizim i mundshëm i parashikuar vetëm për shtetas që vijnë nga vendet që kanë nënshkruar Konventën e Hagës së 5 tetorit 1961 lidhur me heqjen e legalizimit të akteve publike të huaja. Gjatë viteve konventa është ratifikuar dhe zbatuar nga shumë e shumë vende dhe parashikon që të mos kërkohet më legalizimi i certifikatave pranë autoriteteve konsullore, por të njihen si të vlefshme të gjitha ato certifikata që kanë të ashtuquajturën apostille të vënë nga autoritetet e vendit që kanë lëshuar dokumentin. Në Shqipëri është në përdorim nga viti 2004.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here