Zbulohet projekti i qeverisë, njësi speciale me policë dhe ushtarë për të goditur bosët e krimit, ja si do ndryshohet ligji

0
13

Qeveria ka bërë gati projektin për të ngritur një njësi të posaçme, e cila do të luftojë bosët e krimit në vend. Momentalisht operojnë forcat RENEA, Shqiponja, etj, por kryeministri Edi Rama pak ditë më parë e bëri të ditur se do të ngrihet një njësi elitë, e cila do të jetë në krye të të gjithave. Bëhet fjalë për një njësi, e cila do të jetë e ndërthurur mes ushtrisë dhe policisë, me qëllim shfarosjen e krimit në nivele të larta. Ministria e Brendshme e ka bërë gati draftin dhe shumë shpejt ai do shkojë për miratim në qeveri, e më pas në Parlament. Sipas draftit për ndryshimin e ligjit për policin e shtetit, kur polica ka nevojë ta veçantë mund të kërkojë dhe ndihmën e ushtarakëve. “Për plotësimin e nevojave të veçanta mund të pranohen në Policinë e Shtetit, ushtarakë, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të nenit 38 të këtij ligji. Për ushtarakët e shërbimit aktin, pranimi realizohet mbi bazë marrëveshje dy palëshe ndërmjet ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, ku përcaktohen kuotat dhe strukturat nga ku do të pranohen. Në çdo rast, pranimi sipas pikës 1 të këtij neni bëhet, pas nxjerrjes në lirim të ushtarakëve nga autoritetet kompetente të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi”, thekson drafti. Më tej bëhet e ditur se pranimi realizohet mbi baza konkurrimi, procedurat e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike. Po ashtu theksohet se kalimi nga strukturat e Forcave të Armatosura tek Policia e Shtetit realizohet duke njohur ruajtur vjetërsinë e shërbimit. “Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike miraton ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me gradat e Policisë”, thuhet në draft.

Paralajmërimi i Ramës

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama e paralajmëroi se qeveria ishte duke punuar me qëllim ngritjen e një strukture super speciale për të luftuar krimin. Madje ai hodhi dhe idenë e xhandarmërisë. “Kemi nevojë për një reagim intensiv të vazhdueshëm ndaj të fortëve. Me shpejtësi do të çojmë në Parlament projektin e ri për krijimin e një force tjetër reagimi parandalues, një force të shpejtë reagimi parandalues, një force super speciale që do të merret në mënyrë të dedikuar me të gjithë ata që janë një bezdi për komunitetet dhe që kanë precedentë penalë, apo që kanë profile kriminale mbi të cilët duhet të ushtrohet përditë presioni parandalues i Policisë së Shtetit”, deklaroi ai. Kryeministri Edi Rama foli dhe për të rikthyer xhandarmërinë, ku do të shkrihen forca të policës dhe të ushtrisë, një model që ishte edhe në kohën e ish-mbretit Zog dhe që aplikohet aktualisht në shumë vende të botës. Sipas tij, ngritja e xhandarmërisë është emergjencë kombëtare. “Nga ana tjetër, duhet të çojmë përpara dhe të finalizojmë diskutimin për xhandarmërinë, për të marrë një vendim përfundimtar, pas shumë e shumë debatesh të bëra dhe në të shkuarën, nëse po, apo nëse jo dhe për të futur në një proces historik, siç është ky i kalimit nga një epokë shumë problematike në raport me sigurinë e me krimin, në një epokë kontrolli të plotë në fushën e sigurisë dhe zmbrapsje të plotë krimit nëpër skutat e veta, edhe një numër të konsiderueshëm efektivesh nga Policia Ushtarake. Kjo është temë që meriton në debat shterues pa humbur kohë”, u shpreh Rama.

Kliti Topalli

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj