Dokumentet e CIA, ja si Hysni Kapo punonte për shtrirjen e ndikimit komunist në ushtri, DASH sherr me Beogradin më 1951 për ndërhyrjet në Shqipëri

0
480

Amerikanët kanë nxjerrë detaje se si regjimi komunist kishte në kontroll gjithçka. Sipas tyre, ishte një aparat i veçantë që kujdesej që fryma komuniste të shtrohej dhe në ushtri. Po ashtu është treguar se personi kyç ishte Hysni Kapo. Po ashtu tregohet dhe një përplasje e amerikanëve me jugosllavët për vendin tonë.

Tetor 1950

Organet e partisë në ushtri

Organizatat e Partisë Komuniste në ushtrinë shqiptare janë të ngjashme me sistemin e organizmit civil të partisë, me diferencën e vetme se ushtarët nuk kanë të drejtë të bëjnë kritika gjatë takimeve apo të kontrollojnë oficerët. Prej Ministrisë së Luftës deri në njësitë më të vogla, ushtria është e gjitha e organizuar në seksione partiake. Drejtoria politike e ushtrisë ushtron influencën e saj me anë të degëve në divizione, regjimente e batalione. Drejtoria është e lidhur drejtpërdrejt me Komitetin Qendror të Partisë. Ajo drejtohet nga gjenerali Hysni Kapo dhe nëndrejtori, kolonel Beqir Ndou. Drejtoria ka si degë kryesore nën-drejtorinë e kulturës, të agjitacion-propagandës, nën-drejtorinë e rinisë, dhe degët e organizimit dhe financave.

Organizata dhe të gjitha degët e saj gjenden në çdo divizion. Ato drejtohen nga shefi i degës politike dhe nga komisari i cili kryen mbikëqyrjen e përgjithshme të organizatës deri në nivel të kompanive. Komisari politik zgjidhet nga njerëzit më të besuar të partisë dhe përgjigjen direkt te drejtoria politike e ushtrisë, e drejtuar nga gjenerali Hysni Kapo. Seksioni politik i regjimentit përbëhet nga tre nën-seksione: zyra politike, zyra e shtypit dhe propagandës dhe zyra e të rinjve. Përveç shefit të seksionit politik është dhe në komisar, i cili varet nga komisari i divizionit. Detyrat e komisarit të regjimentit janë të ngjashme me komisarin e divizionit por në shkallë më të vogël. Ndërsa batalionet nuk e kanë këtë organizëm, por kanë Byronë e Batalionit. Më poshtë në nivel kompanie puna politike bëhet vetëm nga instruktori politik i cili mbikëqyr skuadrat ushtarake me anë të njerëzve të tij të besuar. Roli i instruktorëve politikë në ushtri ka të bëjë me zhvillimin e linjës politike të partisë me anë të propagandës mes ushtarëve. Këta instruktorë kanë çdo ditë dy orë në dispozicion programe trajnimi, ndërsa mbikëqyrja kryhet në bashkëpunim me njerëzit e Sigurimit, të cilët shtojnë dozën e terrorit mes individëve. Organizata e të rinjve drejtohet nga seksionet korrespondente të zyrave politike, dhe punon me ushtarët e moshave nga 20 deri në 25 vjeç, të cilët duhet të regjistrohen në organizatën e rinisë komuniste, edhe nëse nuk janë anëtarë të partisë.

Maj 1951

Situata e ushqimit

Sipas informacioneve nga elementë të rezistencës shqiptare në Romë situata e ushqimit në Shqipëri po bëhet e dëshpëruar si rezultat i thatësirave dhe kërkesave të qeverisë për grurë. Në të gjithë vendin popullata është e dobësuar dhe e pafuqishme, megjithëse njerëzit janë të nervozuar nga mungesa e ushqimit dhe veshjeve, ata janë të pafuqishëm të veprojnë kundër masave të ashpra që qeveria po merr për të ruajtur pushtetin. Megjithëse mund të kemi ekzagjerime në raportimet e refugjatëve shqiptarë, dihet tashmë se çështja e fermave kolektive bujqësore është kthyer në një bumerang për zyrtarët rusë pasi tani duhet të dërgojnë grurë në Shqipëri prej rënies së ndjeshme të prodhimit ushqimor. Tashmë raportohet se ushqimi mungon dhe në zonat më produktive të Shqipërisë dhe se asnjë ushqim nuk jepet për të internuarit politikë. Gjendja e rëndë e ushqimit ishte ndoshta arsyeja e vendimit të 13 marsit 1951 për reduktimin e kuotave të dorëzimit të prodhimeve bujqësore me 25 për qind.

Qershor 1951

Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar ambasadorin e tij në Beograd se krijimi i kohëve të fundit i komitetit të refugjatëve shqiptarë në Jugosllavi, është në kundërshtim me interesat bazë të Shteteve të Bashkuara në këtë rajon. Departamenti trembet se veprime të tilla mund të sjellin konflikt të drejtpërdrejtë interesi mes Jugosllavisë dhe SHBA, prandaj ambasadori Allen është instruktuar të bëjë të qartë për qeverinë jugosllave se aktivitetet e shqiptarëve të emigracionit në Perëndim, si ato në Jugosllavi, mund të provokojnë lëvizje direkte të Bashkimit Sovjetik kundër Jugosllavisë, dhe rreziku bëhet edhe më i madh kur aktivitete të tilla sponsorizohen nga vetë jugosllavët. Qeveria e SHBA është e shqetësuar për mundësinë që krijimi i një organizata të shqiptarëve në emigracion mund të shtojë tensionet në rajon. Në 12 qershor një zyrtar i ministrisë së jashtme jugosllave i përsëriti ambasadorin Allen shqetësimin e qeverisë në lidhje me mbështetjen perëndimore të aktiviteteve të rezistencës në Shqipëri, me argumentimin se aktivitetet e rezistencës në Shqipëri mund të japin një justifikim për Bullgarinë të ndërhyjë, sipas Paktit të Asistencës reciproke Shqipëri-Bullgari. Ministri i Brendshëm jugosllav Rankoviç ka nisur një udhëtim pushimesh në Evropë. Ambasadori Allen sugjeron se ministrit i është këshilluar të bëjë udhëtimin nga Byroja Politike për t’u njohur më mirë me jetën evropiane dhe perëndimore. Prej vitit 1951 ka pasur shumë vizita nga zyrtar të lartë jugosllavë në vendet perëndimore me objektiv kryesor mbledhjen e mbështetjes për regjimin e tyre he promovimin e lidhjeve mes Jugosllavisë komuniste dhe socializimit perëndimor.

Dhjetor 1956

Situata e brendshme politike

Komiteti ekzekutiv i ushtrisë së rrethit të Sarandës u transferua në Delvinë në prill 1956, së bashku me zyrën e rekrutimit. Në janar 1956 persona të panjohur thyen dyqanin ushqimor të Kooperativës në Lukovë dhe morën gjithçka gjetën brenda, përfshi dhe 50 000 lekë të cilat ishin në një kuti. Fajtorët raportohet se janë zbuluar. Në Gjermen raportohet se ka rreth 10 fshatarë të armatosur, por ashtu edhe në Shalës. Prej fillimit të 1956 urrejtja e banorëve të zonave fshatare ndaj regjimit është shtuar ndjeshëm, sidomos në zonat kufitare Sarandë, Leskovik e Ersekë. Kjo për arsye se qeveria ka anuluar triskat e racioneve për fshatarët e varfër, si dhe dyqanet “reciproke” ku fshatarët shkëmbenin mallrat. Fushata qeveritare e kolektivizimit i jep fund ndjesisë së pronësisë që është goditja më e rëndë për fshatarët. Gjatë fushatës qeveritare për kolektivizimin e detyrueshëm fshatrat e mëposhtëm u shpallën armiq: Tac, Starje, Leshnje, Borova, Fratar, Varibob, Pacomit, Kuqar, Corogun, Potgoran. Gjatë kohës së luftës këto fshatra ishin bastione të Ballit Kombëtar. Fshatrat e zonës së Ersekës janë vendosur rrëzë një mali, maja e të cilit ndan territorin grek me atë shqiptar. Drithërat kryesore të kultivuara këtu janë gruri e misri dhe banorët jetojnë gjithashtu me prerjen e druve, me të cilët bëjnë qymyr druri, ose japin kafshët e punës me qera. Fshatrat e zonës së Ersekës prodhojnë drithëra që popullatës i zgjasin vetëm për 8 muaj, prandaj për të plotësuar nevojat e tjera ata shkojnë për të punuar si punëtorë në Korçë ose japin kafshët e tyre me qera. Fshatrat e Nivicës dhe Shënvasilit prodhojnë mjaftueshëm ushqime si grurë, misër, ulli, duhan sa për mbajtur popullsinë e tyre. Fshatrat e zonës së Këlcyrës prodhojnë grurë, misër dhe rrush, por burimi thotë se prodhimi furnizon popullsinë vendase vetëm për rreth 7 muaj prandaj banorët duhet të kryejnë punë të tjera. Në pranverën e vitit 1956 fshatarët e zonës së Këlcyrës pas presionit të autoriteteve iu bashkuan kooperativës shtetërore, së bashku me fshatrat e zonës së Ersekës. Kishte fshatra të tjera që nuk iu përulën presionit të autoriteteve për t’u bashkuar në Kooperativë. Pas presionit të komunistëve banorët e fshatit Gjatë u bashkuan në kooperativë, por në mars 1956 ata e braktisën kooperativën pasi drejtuesit refuzuan të shpërndanin prodhimin sipas numrit të anëtarëve të familjeve, por ë bënë sipas numrit të ditëve të punuara nga çdo familje.

Korrik 1952

Burimi: Vneshniaia Torgovlia

Në janar 1952 populli shqiptar shënoi gjashtë vjetorin e shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë me përmirësime të mëdha politike dhe të forcës së punës. Vitet pas themelimit të republikës ishin një përpjekje e suksesshme e popullit shqiptar për të forcuar sistemin demokratik dhe për ndërtimin e bazave të socializmit. Republika Popullore e Shqipërisë, me mbështetjen e fuqishme të kampit demokratik dhe socializmit të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, është duke ndjekur me sukses rrugën e ndërtimit të shtetit demokratik të popullit dhe zhvillimit të pavarur të ekonomisë dhe kulturës. Faktori më i rëndësishëm i përmirësimit të ekonomisë është zbatimi i planit 2-vjeçar ekonomik 1949-1950. Megjithë shkatërrimin e madh të shkaktuar nga lufta, volumi i prodhimit pas planit 2-vjeçar e kalli konsiderueshëm prodhimin e para-luftës. Në vitin 1950 prodhimi u rrit me më shumë se 3.7 herë në industrinë minerare dhe më shumë se tre herë në fabrika. Prodhimi në çerekun e tretë të vitit 1951 u realizua me 105 për qind. Volumi i punës u rrit me 47 për qind në krahasim me çerekun e tretë të 1950. Në 1951 ndërmarrjet e rëndësishme për ekonominë kombëtare si ato të pambukut, hidrocentrali Lenin, rafineria e sheqerit me kapacitet 10 000 ton në vit, kombinati tekstileve, u vunë në funksion. Rafineria e sheqerit dhe industria tekstile plotësuan nevojat e të gjithë vendit me sheqer dhe veshje. Pajisjet për ndërmarrjet u furnizuan nga Bashkimi Sovjetik, i cili ndihmoi Shqipërinë edhe për vënien e tyre në funksion. Republika e re ka bërë progres dhe në bujqësi. Tokat e kultivuara në 1950 kaluan nivelet e para luftës dhe sipërfaqja e mbjellë me prodhim industrial kaloi nivelet e para luftës me 11 herë. Prodhimi i grurit kaloi nivelin e paraluftës me 40 për qind dhe gjithashtu u rritën prodhimi i panxhar sheqerit dhe pambukut. Shumë vëmendje i është kushtuar rritjes së gjedhëve. Si rezultat i plotësimit të planit dy-vjeçar numri i kokëve të gjedhëve e kaloi atë të paraluftës. Qeveria po e ndihmon bujqësinë në shumë drejtime duke i dhënë farat më të mira të grurit, të pemëve frutore dhe një masë të konsiderueshme fertilizuesish. Më shumë se 672 milionë lekë u shpenzuan për ujitjen dhe tharjen e tokave ndërsa rreth 157 milionë lekë u janë dhënë fermave fshatare deri në fund të 1950. Ato morën gjithashtu kredi për mbjelljet e pranverës 1952. Një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të bujqësisë është zhvillimi i mekanizmit të punës dhe krijimit të stacioneve të traktorëve. Numri i traktorëve në 1951 e kaloi me 3.6 herë atë të vitit 1947. Më shumë se 3000 plugje, 900 kultivues, 300 prerësa dhe shumë mjete të tjera u dërguan në rajonet e rritjes së të mbjellave, duke rritur prodhimin në mënyrë të konsiderueshme. Shqipëria ka pasur gjithashtu sukses në forcimin e sistemit të saj financiar teksa për vitin 1951 buxheti shtetëror ka sjellë të ardhura prej 9,500 000 000 lekë. Burimi kryesor i buxhetit është sektori socialist i ekonomisë. Shpenzimet për ekonominë kombëtare arritën në 3, 607 000 000 lekë në krahasim me 2 252 000 000 lekë në vitin 1950. Lidhjet e ngushta ekonomike me Bashkimin Sovjetik dhe demokracitë e tjera të popullit kanë qenë deçizive për zhvillimin e suksesshëm të Shqipërisë. Sipas një marrëveshjeje të shkurtit 1951 me Bashkimin Sovjetik për pajisje industriale, Shqipëria ka forcuar përgatitjen teknike dhe ka rritur kreditimin. Shqipëria gjithashtu ka rritur tregtinë me Poloninë dhe Çekosllovakinë, ashti si dhe me Gjermaninë Lindore dhe demokracitë e tjera të popullit si Bullgaria, Hungaria e Rumania.

Shkurt 53

Kushtet ekonomike, standardi i jetesës

Burimi: Flamuri i Lirisë

Ligji numër 226 i vendos punëtorët në shtatë kategori pagesash duke nisur nga 202 deri në 800 lekë në ditë. Punonjësit e zyrave marrin 2400 deri në 7000 lekë në muaj në varësi të vendndodhjes dhe ndërmarrjes. Një punëtor i martuar merr 3500 lekë në muaj dhe duhet të paguajë taksat, kontributet shoqërore, anëtarësinë në klubet e sportit, racionet e ushqimit, rinovimet e zyrave, telegrame të herëpashershme për Stalinin, telegrame proteste kundër provokimeve kufitare, abonimin e gazetave dhe ndihma për Korenë. Racionet mujore dhe shpenzimet për mallrat e nevojshme janë si më poshtë: 2 kg bukë në ditë 300 lekë, 1.35 kg sheqer 75 lekë, 1 kg vaj 65 lekë, 2 kg fasule në muaj (vetëm për 3 muajt e parë të vitit) 140 lekë, dru 550 lekë për metër/kub, qeraja 100 lekë, dritat 100 lekë. Nëse punëtori pinte një paketë cigare në ditë do të shpenzonte dhe 500 lekë të tjera në muaj, dhe këto linin shumë pak për të blerë mish, i cili kushton 130 lekë/kg, perimet me rreth 40 lekë/kg, veshje apo sende të tjera. Nëse punëtori mbetet pa punë, ai merr 25 për qind të rrogës nga mbështetja sociale nëse nuk është anëtar i sindikatës dhe 60 për qind nëse është anëtar. Ai është i detyruar të marrë pjesë në punë vullnetare pa pagesë, përveç punës së rregullt. Fshatarët janë të detyruar të dorëzojnë në shtet një jesh të madhe të prodhimit, edhe nëse nuk mund ta përballojnë. Kështu një familje detyrohet të hajë vetëm lakra gjatë tre muajve të fundit të një viti me prodhim të dobët. Deri në fund të vitit 1951 një fermer mund të braktiste tokën e tij nëse nuk përmbushte këto detyrime dhe të shkonte të punonte në minierë për të fituar 400 gramë bukë në ditë, kështu mund t’i shpëtonte burgut. Ndërsa tani ai është i detyruar të punojë tokën e tij para se të lejohet ta braktisë. Pas dorëzimit të prodhimit te shteti, fermeri merr shumat e mëposhtme për çdo kilogram prodhim: grurë 2.5 lekë, drithëra të tjera 2 lekë, misër 2.5 lekë, lesh 33 lekë, për çdo vezë ai merr 1 lek, pambuk 18 lekë, duhan 23 lekë, luledielli 27 lekë. Shpërblimi mund të merret dhe në formë patkonjsh, gozhdë, djep fëmijësh apo sende të tjera artizanale. Për të marrë produkte industriale si këpucë apo veshje fshatari duhet të sillte përveç kuotave të tij edhe djathë, ullinj, gjalpë apo portokalle. Zakonisht fermerët i presin pemët e bajameve për të evituar pengesën prej 3000 lekë për pemë. Kushtet e fermave kooperative po bëhen gjithnjë e më keq. Ka uri të madhe pasi çdo person merr vetëm 8 kg misër në muaj dhe nganjëherë edhe kaq mungon. Mishi shpërndahet vetëm gjatë ditëve të festave.

Shpërndarjet, kushtet e minierave

Hamit Koçi, një ish banor i Okshtun në Peshkopi, tashmë refugjat në Jugosllavi raportoi mbi kushtet ekonomike të Shqipërisë se shteti e blen mishin nga fshatari për 9 lekë për kg. Gruri blihet për 2.5 lekë dhe shitet për 150 lekë. Leshi blihet për 30 lekë dhe shitet për rreth 500 lekë. Meqenëse fshatarët janë të detyruar të dorëzojnë te shteti prodhimet e tyre të caktuara dhe meqenëse në shumë raste ata nuk i kanë, ata detyrohen t’i blejnë ato në dyqane për të plotësuar detyrimet e tyre. Isuf Koçi, vëlla i Hamitit, i cili gjithashtu është arratisur në Jugosllavi e ka përshkruar si më poshtë kryerjen e punës vullnetare në minierën e Bulqizës: Një ditë kreu i komunës së Okshtun i Vogël lexoi listën e merave të sjellë nga Sigurimi. Lista kishte emrat e të gjithë atyre që “kishin kërkuar” të punonin vullnetarisht në minierën e Bulqizës për plotësimin e planit të prodhimit. Në të ishte emri i Isuf Koçit, i cili atë ditë kishte punuar në fushë dhe thirrja e emrit i erdhi si një surprizë. Por ai u detyrua të linte fermën dhe të vazhdonte me të tjerët për në minierë. Fillimisht atyre u thanë se do të punonin për një muaj, por siç ndodhi më vonë, ata mbetën aty për një kohë të gjatë. Isuf Koçi e përshkruante jetën në minierë si të papërballueshme. Ai tha se ushqimi ishte shumë i keq dhe e për mëngjes nuk u jepnin asgjë. Në drekë merrnin gjellë patatesh dhe fasulesh, ndërsa për darkë u jepnin dy vezë të ziera që shpeshherë kishin zogj. Kishte gjithashtu shumë vullnetarë që për arsye se konsideroheshin më të pasur, detyroheshin të merrnin ushqimin e tyre me vete. Për punën ata paguheshin 70 lekë në ditë, me të cilat duhet të paguanin më pas “ushqimin dhe fjetjen”. Në fund të muajit ata nuk kishin asgjë të mbetur. Isuf Koçi vazhdon më tej: “U njoftua se puna ishte 8 orë në ditë, por kjo ishte vetëm në letër pasi në realitet ata punonin 16 orë ose më shumë: 2 orë shtesë për Komandantin, 2 orë për Stalinin, për realizimin e planit e kështu me radhë. Nëse dikush largohej nga minierat dënimi ishte i rëndë. Ai mund të dënohej me 6 deri në 8 muaj punë në minierë pa pagesë ose me gjysmë pagese. Gjyqe të tilla kryheshin me ceremoni të madhe për të dhënë shembullin dhe për të ngulitur frikën te punëtorët dhe fshatarët”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here