Klodian Hoxha: Arti i përfshirë në politikë, drejtuesit e institucioneve të zgjidhen nga komuniteti artistik

0
15

Artistët kanë treguar që dhe me pak mbështetje ia kanë dalë të realizojnë shfaqjet e tyre, por mosvëmendja e institucioneve tregon se sistemi nuk ka funksionuar si duhet. Prej vitesh me kërkesa për mbështetje financiare drejtuar institucioneve, si dhe të përballur me vështirësi të ndryshme artistët shprehen se ka munguar vëmendja për të qenë pranë tyre. Në intervistën për “SOT”, aktori Klodian Hoxha tregon se është qesharake sa pak buxhete jepen për artin dhe kulturën. Sipas tij, edhe drejtuesit në institucionet e teatrit duhet të jenë më këmbëngulës për të pasur më shumë buxhete, dhe jo të rrinë të shesin teori. Për aktorin, drejtuesit në institucionet e teatrit duhet të zgjidhen nga komuniteti i artistëve, në të kundërt sipas tij sistemi teatror nuk do të funksionojë si duhet.

 -Jemi në muajin e fundit të vitit, por me teatrin dhe kinemanë ku keni qenë me më tepër angazhime?

Viti po mbyllet dhe unë mezi po pres frytet e tij, duke qenë se kam qenë pjesë e disa realizimeve kinematografike në vend edhe jashtë tij, duke e nisur nga Shqipëria, Kosova, Kina, edhe së fundi Amerika që shpresoj të jetë destinacioni i ardhshëm i imi. Për të vijuar karrierën time atje mu deshën shtatë muaj të përshtatesha si edhe të krijoja kontakte. Jam pjesë e një agjensie prestigjioze edhe shpresoj të vijoj së shpejti me projekte aty, që do i bëj të ditura në vazhdimësi. Sa i takon teatrit një rol pata këtë vit, duke qenë se kam qenë shumë i angazhuar me projekte kinematografike dhe kam qenë më i angazhuar me kinemanë, që është një nga dëshirat e mia të hershme. Jam shumë i lumtur që po e vazhdoj këtë rrugë. Për sa i përket teatrit një projekt kam bërë këtë vit se kam pasur angazhime të tjera, por shpresojmë të vijmë fuqishëm me një super shfaqe me regji të Elma Doresit. Viti që vjen ka për të qenë shumë më i ngarkuar se ky dhe jam në pritje të disa projekteve, që startojnë në 2019, ku edhe dëshira ime është që të nis edhe unë rrugën si regjisor. Jam në zhvillimin e një skenari, për një film artistik.

-Ju kemi parë në role dhe në produksione të tjera kinematografike, çfarë mund të na thoni për angazhimin me filmin, si e shikoni aktivitetin me kinematografinë?

Si u shpreha edhe me lart për sa i përket kinematografisë po më ngjit shumë kohët e fundit dhe kam dëshirë të provoj edhe unë një herë regjisorin, jam në përgatitje të një skenari, që shpresoj se shpejti ta konkretizoj, por jam akoma në përpunim e sipër. Kjo është diçka interesante dhe po e pres me padurim. Kam 15 vjet që e bluaj në kokë dhe mendoj se ka ardhur momenti të provoj edhe unë kinematografinë.

 -Po teatri, nga roli i parë që ju keni realizuar në skenë dhe deri tani, si ka ndryshuar aktiviteti artistik?

Për sa i përket teatrit kem qenë shumë aktiv në teatër në fillim, edhe ky aktivitet ka rënë gradualisht. Për arsye të shumë komponentëve kam qenë pjesë e shumë shfaqjeve, që janë vlerësuar me çmime brenda edhe jashtë vendit, duke sjellë revolucion në teatër me një grup modestesh aktorësh të sa po diplomuar, që e nisëm nga hiçi edhe duke shkuar derë në Kinë. Po në Shqipëri ndodhin gjëra të çuditshme, sot je super star nesër je askush, si të bësh një super shfaqje edhe një shfaqje koti njësoj je. Këtu arti është shumë i përfshirë politikisht, nëse nuk je i përfshirë me një krah politik je askush. Ndodh edhe në botë kjo gjë, po jo kaq dukshëm sa këtu dhe për këtë gjë më vjen keq për kolegët e mi dhe të rinjtë që mbarojnë shkollën, ku edhe ëndrra e tyre pritet në mes, ku rrugëzgjidhja është të ikin për të ndjekur ëndrrat e tyre diku larg vendit të tyre. Edhe atëherë kur ata nxjerrin në pah talentin e tyre diku jashtë ne fillojmë e krenohemi me ata që dikur u kemi mohuar aftësitë dhe i kemi ndrydhur.

 -Në punën tuaj si aktor, çfarë keni synuar deri tani?

Për sa i përket punës time si aktor, kam synuar të bëj maksimumin në rolet, që më janë ofruar edhe shpresoj t’ia kem arritur sado pak. Por akoma nuk kam bërë asgjë, se jemi të rij edhe në kulmin tonë. Për këtë duhet të na shfrytëzojnë për mirë të na ofrojnë sa më shumë role.

 -E shikoni të ardhmen tuaj në Shqipëri si aktor apo jashtë?

Të ardhmen time si aktor po mundohem ta projektoj jashtë se këtu ky vend nuk ka çfarë të më ofrojë më. Të gjitha i kam marrë tani, ka ardhur momenti të bëhem aktor ndërkombëtar se kombëtar jemi bërë. Shpresojmë që të ecin planet, jam duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë se kam disa oferta edhe nga jashtë Amerikës, por po e mendoj një herë si do veproj. Mund të synoj edhe Kinën për disa kohë përpara se të shpërngulem në Amerikë. Nuk ka asgjë të vështirë në jetë, por vetëm duhet të besosh në vetvete, mua më pëlqejnë sfidat dhe më pëlqen ta nis nga e para, tani mbetet për t’u parë.

-Ju folët për aktivitetin artistik, por të jesh artist sot në Shqipëri sa e vështirë është?

Të jesh artist në Shqipëri është jashtëzakonisht e vështirë se janë shumë komponentë, që nuk të lejojnë të ushtrosh aktivitetin tënd si artist po do rrish të merresh me godina me buxhete, me salla komode për të dhënë shfaqje, pastaj me politikë edhe ne energjinë tonë e shpërndajmë gjithandej edhe në fund nuk ja vlen. Këtu e vetmja mënyrë është të futesh në teatrin e politikës, sepse kanë kushte më komode se ne.

-Artistët shprehen për mungesë transparence nga institucionet, me projektet, buxhetet, etj, sa e dëmshme është kjo në jetën artistike?

Arti është pasqyra e shpirtit të një kombi dhe ne jemi më të neglizhuar nga qeveritë, nuk e kuptoj ç’kanë me ne? Ose kanë diçka personale, o nuk e di, sepse nëse do qeveria me pak sforco të bëj besoj se të gjithë do ishin të kënaqur. Ne edhe me pak mbështetje e kemi treguar që vlejmë, duke u vlerësuar në festivale prestigjioze, imagjino ne të kishim edhe pak më shumë mbështetje, sepse po nuk na mbështeti shteti ynë si mund të na mbështesin cooproducionet e huaja. Po i lutem që ti shohin gjërat me një sy tjetër, se duke mbështetur artin kanë për t’iu kthyer dyfish ato para mbrapsht, siç procedohet në botë, ku arti është një industri e fuqishme edhe qarkullon shuma marramendëse. Ne i kemi të gjitha këtu terrenin, aktor, regjisor skenograf, etj, vetëm një gjë na mungon, që të materializojmë lekët.

-Sot që ju flisni artistët nuk kanë ende një status. Një nga kërkesat e tyre prej vitesh drejtuar ministrisë?

Për sa i përket statusit mendoj që ka ardhur koha, që edhe ne artistët ta kemi atë, sepse i kemi dhënë këtij vendi, edhe presim të shpërblehemi duke e marrë statusin. Por sipas gjasave pak e vështirë më duket, sepse jemi akoma në fillimet tona, ne akoma nuk kemi një vend ku të ushtrojmë profesionin.

-Jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe flitet për gjendjen e teatrit me probleme. Për ju çfarë duhet bërë?

Është një situatë jo e këndshme për artin në vend edhe kjo dihet botërisht. Profesionistë ka sa të duash me shumicë, por nuk ka vende pune. Më mirë ta mbyllin akademinë, se studentëve që dalin nga aty nuk po i ofron mundësi punësimi.

-Çfarë kërkoni nga Ministria e Kulturës, në politikat e saj çfarë duhet të ndryshojë për artistët dhe jetën artistike?

Ministria duhet të jetë më bashkëpunuese me komunitetin e artistëve edhe ti motivojë ata që të ecin përpara, sepse duke na mbështetur ne kemi për të treguar vlerat tona.

-Është pohuar nga artistët që për shkak të buxheteve të pakta, teatri shqiptar është i mbyllur, nuk ka mundësi të jetë në skenat europiane. Për ju si ndikon kjo në përballjen e vlerave artistike dhe çfarë duhet bërë?

Është qesharake, por e vërtetë. Imagjino të mos kesh lekë për të shkuar deri në Kosovë, e lëre më të shkosh nëpër vende të tjera. Këto janë punët e drejtuesve, ata duhet të këmbëngulin jo të rrinë të dredhin zinxhirin edhe të shesin teori aty, prandaj unë mendoj që drejtuesit të zgjidhen nga komuniteti se vetëm ashtu mund t’u kërkojmë llogari. Në të kundërt, ky lloj sistemi nuk ka për të funksionuar kurrë, duke qenë se zgjidhen nga politika dhe janë në funksion të politikës, jo të komunitetit.

Roli i fundit në teatër

 “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” vepra e shkruar nga Ferdinand Hysi nën regjinë e Elma Doresit premierë në 2017 në skenën e Teatrit Kombëtar. Në rolin e Çeskut në skenë u ngjit aktori Klodian Hoxha dhe ky është dhe personazhi më i fundit i tij në teatër. Përmes një subjekti që i flet realitetit kjo vepër synon të prekë publikun përmes temave të ndjeshme që trajton. Dramaturgu Hysi për zanafillën e kësaj drame, është shprehur se, gjithçka nis nga një barsoletë me tre zarfe. Në një institucion të rëndësishëm zëvendësohet drejtori. Ish- drejtori shkon te drejtori i ri dhe në momentin, që do të largohet i thotë: “Të kam lënë tre zarfe, kur të kesh vështirësi hapi njëri pas tjetrit me radhë”. Pas disa muajsh, kur drejtuesi nuk po ia dilte dot hapi zarfin dhe lexoi atë që shkruhej në të: “Hidhja fajin atij që ishte para teje”. Kështu drejtori aktual nisi të thotë se fajet i kishte drejtori paraardhës, që i la situatën në atë gjendje. Por, as me fajësimin e drejtorit të parë nuk zgjidh dot gjë. Prandaj, pas dy muajsh hap zarfin e dytë, në të cilin ishte shkruar: “Bëj një autokritik dhe shtyje dhe për pak kohë”. Ndërsa, zarfi i tretë ishte për drejtorin që do të vinte! Hysi është marrë vetëm me zarfin e parë, ku pas drejtuesit që është ndarë nga jeta, vendin e tij e zë një tjetër. Por çfarë ndodh në vepër? Ndodh që drejtuesi i parë, i cili është ndarë nga jeta, e që tashmë ka mbetur veçse në një portret, “zbret” nga portreti dhe i drejtohet drejtuesit aktual duke i thënë: “Unë për ty nuk kam vdekur. Unë jam këtu i gjallë!”. I gjithë teksti i dramës zhvillohet në këtë linjë, ku ish- drejtuesi vazhdon që të jetën nëpër këmbë dhe firmos e vepron kudo. Kështu shtyhen disa vite me drejtuesin që iku, por nuk shohim se çfarë bën drejtuesi aktual. Nga kjo situatë përfitojnë, edhe ata që mbahen pas pushtetit, me servilizëm.

Intervistoi: Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj