KLSH kontroll në Entin Kombëtar të Banesave, zbulohet shpërdorimi i fondeve për ndërtimin e banesave sociale

0
14

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një kontroll në Entin Kombëtar të Banesave, nga ku ka rezultuar se ky institucion ka shpërdoruar fondet për ndërtimin e banesave sociale. Raporti i publikuar nga KLSH flet për periudhën nga data 01.06.2016 deri më datën 31.12.2017. Sipas këtij raporti, EKB ka përzgjedhur në disa raste në mënyrë jo të duhur bashki ku janë kryer këto investime, duke bërë që investimet të rrezikojnë vetëshlyerjen e tyre.

 Auditimi

Nga auditimi i procedurave të prokurimit me objekt: “Banesë me kosto të ulët dhe efiçencë energjie, godina nr. 1 në qytetin e Korçës” me fond limit 69,544,571 lekë, sipas urdhrit të prokurimit me nr. 1183 prot, datë 19.05.2016; “Banesë me kosto të ulët dhe efiçencë energjie, godina nr. 2 në qytetin e Korçës” me fond limit 177,975,710 lekë, sipas urdhrit të prokurimit me nr. 660 prot, datë 10.08.2016; “Godinë banimi 6 kat +1 kat nëntokë në rrugën Stefan Kaçulini në qytetin e Durrësit” me fond limit 92,777,097 lekë, sipas urdhrit të prokurimit me nr. 2490 prot, datë 03.11.2016; “Bllok banesash sociale me kosto të ulët dhe efiçencë energjie me dy kate + papafingo në qytetin e Pukës” me fond limit 61,113,825 lekë, sipas urdhrit të prokurimit me nr. 1022 prot, datë 11.05.2017, KLSH ka konstatuar se EKB, përpara nënshkrimit të marrëveshjeve me bashkitë respektive për ndërtimin e godinave të banimit, nuk disponon ndonjë relacion ose analizë tekniko-ekonomike lidhur me nevojat e bashkive për ndërtimin e objekteve të banimit referuar numrit të të pastrehëve sipas komuniteteve përkatëse. “Enti Kombëtar i Banesave, nuk ka asnjë të dhënë rreth mënyrës së përzgjedhjes së qytetit ku do të investohet. Në të gjitha rastet e vendimeve të marra nga Këshilli Drejtues i EKB për ndërtimin e banesave për të pastrehët, në dosjet e prokurimit, mungonin korrespodenca midis drejtorive rajonale të EKB, bashkive respektive dhe Drejtorisë së Përgjithshme të EKB për të vënë në pah nevojat e vetë qyteteve në varësi të numrit të të pastrehëve, për të ndërtuar banesa sociale me kosto të ulët. EKB, në të gjitha rastet, përpara fillimit të procedurave të prokurimit me objekt “Ndërtim godinash me kosto të ulët dhe eficiencë energjie”, nuk ka evidentuar, argumentuar arsyen e mos ndërtimit apo të mos investimit në fillim në Bashkinë e Tiranës, Bashki që ka vendin e parë për nga numri i të pastrehëve sipas komuniteteve dhe kategorive. EKB, në të gjitha rastet, përpara lidhjes së marrëveshjes me bashkitë respektive ku do të kryhej investimi, nuk ka kërkuar të dhëna nga bashkitë për kategoritë e të pastrehëve. Nuk është marrë asnjë iniciativë paraprake për të analizuar riskun e vjeljes së investimit i cili është i lidhur ngushtë me perspektivën e çdo qendre banimi, me numrin e të pastrehëve apo edhe me planet afatgjata për zhvillim të zonave urbane aty ku mund të parashikohet nëse do ketë rritje apo zvogëlim të numrit të banorëve”, raporton KLSH, sipas të cilit, nga auditimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion të grupit të auditimit, nuk u konstatua po ashtu asnjë relacion tekniko-ekonomik, tek i cili të pasqyrohej mënyra e përcaktimit të fondit limit ose e vlerës së investimit përpara miratimit të marrëveshjes me bashkitë respektive ku do të kryhej investimi. Në të gjitha rastet, për ndërtimin e godinave të banimit në Pukë, Durrës, Korçë, etj., u konstatuan luhatje të vlerës së investimit nga vlera e përcaktuar në fillim të lidhjes së marrëveshjes e deri në vlerën finale që konkludon me shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës me operatorin ekonomik që do të kryejë punimet. EKB, në asnjë rast, vlerën fillestare të investimit, nuk e ka të bazuar me preventivin përkatës të punimeve e si rrjedhojë pas bërjes së projektit dhe nxjerrjes së preventivit, vlera fillestare ka pësuar ndryshime të cilat edhe pse në rënie të vazhdueshme, kanë qenë të pa argumentuara dhe jo në përputhje me udhëzimin nr. 3, datë 28.12.2016, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, për vitin 2016”.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj