Lëvizja e Dhjetorit, Gjon Bruçi: Gjithçka e organizuar nga Ramiz Alia/ Fatos Klosi: Ja pse dhjetoristët nuk janë më në PD

0
919

Dita e sotme shënon plot 28 vjet nga Lëvizja e Dhjetorit. Në 8 Dhjetor të vitit 1990

një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë. Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur. Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Evropë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike. Në lidhje me 28-vjetorin e Lëvizjes së Dhjetorit reagoi dje Sekretari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, Gjon Bruçi. Në një prononcimi për gazetën “SOT”, ai deklaroi se protesta masive e studentëve ishte e organizuar dhe iniciuar nga Ramiz Alia. Sipas tij, Ramiz Alia degradoi gjendjen ekonomike dhe kulturore të studentëve dhe në këtë mënyrë nxiti ngritjen e tyre. “Lëvizja e 8 dhjetorit e pati një shkak. Pavarësisht se u nis për ujë, drita e probleme ekonomike, ajo përfundoi në një demonstratë politike. Arsyet ishin sepse udhëheqja e asaj kohe gjatë 5 vjetëve pas vdekjes së Enver Hoxhës e kishte transformuar edhe boshtin politik, edhe problemet me studentët nuk i merrte në evidencë dhe detyrimisht i dha shkak rinisë studentore të ngrihej për problemet studentore ekonomike dhe pastaj kuptohet agjenturat e manipulojnë këtë lëvizje, i japin kuptim politik për të përmbysur socializmin në Shqipëri. Por përgjegjësia shtetërore politike i takon Ramiz Alisë dhe atyre që lejuan të degradohej jeta ekonomike, sociale e studentëve në ato vite”, tha Bruçi. Ai akuzoi Ramiz Alinë se ndihmoi ndërkombëtarët të rrëzonin regjimin komunist. “Ata i dhanë një armë në dorë agjenturës së huaj, si agjentura serbo-greke apo ajo amerikane dhe ndërkombëtarëve që kërkonin me doemos të përmbysej regjimi në Shqipëri siç kishte përmbysje në Lindje e në vende të tjera. Absolutisht që kjo lëvizje ishte e nxitur nga Ramiz Alia, u lejua nga ai për të përmbysur pushtetin”, tha Gjon Bruçi.

Reagimi i Klosit

Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi po ashtu komentoi për gazetën Lëvizjen e Dhjetorit të vitit 1990, ndërsa zbuloi edhe arsyet se pse dhjetoristët nuk janë sot pjesë e PD. Sipas tij, një gjë e tillë ndodh në çdo forcë politike për shkak të luftës së brendshme. “Fakti që dhjetoristët sot nuk janë më pjesë e PD, është pjesë e luftës së brendshme politike. Në të gjitha partitë ndodh kjo gjë. Ata që janë nismëtarët e vërtetë, shumë shpejt dalin nga loja, dalin disa të tjerë pastaj që janë menduar pak më shumë që kur ju futën asaj pune, ju futën me qëllime të qarta dhe synime shumë të qarta. Të parët vërtetë ishin entuziastë për rrëzimin e atij sistemi diktatorial dhe për të siguruar një mënyrë më demokratike të qeverisjes së vendit, por jam i sigurt që nuk e kishin vendin tek karriera”, tha Klosi. Ish-kreu i SHISH theksoi se protesta e studentëve u shfrytëzua nga Sali Berisha për pushtet. “Ata që e panë këtë si një mundësi për të bërë karrierë dhe bënë plane pak më shumë sesi do t’ia arrinin dhe në një farë mënyre ia arritën, si puna e Berishës. Berisha, me aq sa kemi dëgjuar, ka qenë një njeri që u përpoq të ndërmjetësonte midis pushtetit të kohës dhe të rinjve që ishin entuziastë që ta ndryshonin atë sistem. Pastaj Berisha e tregoi që ishte i zoti për këto punë dhe prandaj ia doli edhe atëherë”, deklaroi Fatos Klosi. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here