Merkel i jep lamtumirën kristian-demokratëve gjermanë: Koha për një kapitull të ri

0
465

Kryetarja partisë kristian-demokrate (CDU) në pushtet në Gjermani Angela Merkel, u largua nga ky post pas 18 vitesh, me një fjalim emocional që u përcoll me brohoritje dhe duartrokitje. Ajo vazhdon kështu procesin e shpallur të tranzicionit pas rezultateve të dobëta elektorale të vitit të fundit, ndërsa i la stafetën aleates së saj më të re Annegret Kramp-Karrenbauer, që mori timonin me votë të fshehtë. “Ka qenë një nder i madh, një kënaqësi e madhe”, tha Merkel në fjalimin 35 minutësh dhe të fundit si kryetare e CDU, ku bëri një rishikim të kohës në krye të partisë, duke përmendur sukseset por edhe dështimet në faza të ndryshme. “Është koha për një kapitull të ri dhe për ruajtjen e unitetit”, tha kancelarja e cila u përshëndet me një duartrokitje të gjatë prej gati 10 minutash nga 1001 delegatët e mbledhur në Hamburg. Shumë prej tyre mbanin pankarta me mbishkrimin: “Faleminderit shefe”. 64-vjeçarja Angela Merkel largohet nga posti i kryetares së partisë CDU pas plot 18 vitesh, por vazhdon të mbetet kancelare deri në fund të mandatit. “Se ku na çojnë grindjet mes nesh, këtë më së miri e kanë kuptuar CDU dhe CSU vitet e fundit”, tha Merkel, e cila bëri thirrje që këto parti si motra të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë mes tyre.

 Annegret Kramp-Karrenbauer, pasuesja “mini-Merkel”

Kandidatja e preferuar e kancelares, Annegret Kramp-Karrenbauer u zgjodh dje si kryetare e re CDU. Ajo mori 51 përqind të votave në kongresin e Hamburgut. Zgjedhja e Kramp-Karrenbauer, e njohur shkurt si AKK, është e rëndësishme pasi kreu i kësaj partie ka shanset më të mëdha për të drejtuar vendin. Kramp-Karrenbauer është një aleate e Merkel që me shumë gjasa do të vazhdojë politikat e saj. Disa kritikë e kanë quajtur shpesh atë “mini-Merkel”, edhe pse liderja e re insiston se është një person më vete. “Njerëzit më konsiderojnë një kopje të kancelares, si e njëjta gjë, por unë mund t’ju them se qëndroj këtu me personin tim, si vetja ime”, tha Kramp-Karrenbauer, duke pranuar e emocionuar fitoren me diferencë të vogël votash ndaj dy kandidatëve të tjerë. Në raundin e dytë të zgjedhjeve, ajo mori 517 vota, kurse konkurrenti i saj Friedrich Merz mori 482 vota. Jens Spahn u eliminua në raundin e parë të votimit. Zgjedhja u bë me votë të fshehtë nga 1,000 delegatë të partisë. “Zgjedhja e AKK në krye të CDU është një tregues për forcën e vazhdimësisë së Angela Merkel. Ajo përfaqëson gjeneratën e re, ndryshimin por dhe vazhdueshmërinë,” tha analisti Fran Burëell.

Lidere e re, e aftë për kompromis

Annegret Kramp-Karrenbauer ishte shprehur më parë se në rast fitoreje si kryetare ajo do të mbështeste qëndrimin në post të kancelares Merkel deri në fund të mandatit të saj në vitin 2021. 56 vjeçarja Kramp-Karrenbauer ishte kandidatja e preferuar e Kancelares Angela Merkel. Më parë ajo ka qenë kryeministre e suksesshme në landin e vogël të Zarës, ku drejtoi një koalicion tripartiak. Ajo ka reputacionin se është e aftë të bashkojë pozicione të ndryshme brenda CDU-së dhe një talent për aleanca me parti të tjera. Friedrich Merz dhe Jens Spahn, dy konkurrentët e uruan fituesen dhe i premtuan bashkëpunim në forumet e partisë. Mergel u zgjodh kancelare për herë të parë në vitin 2005 dhe nuk do të rikandidojë pas vitit 2021. Në fjalimin e saj të premten, Merkel paralajmëroi për sfida të ashpra përpara, përfshirë ndryshimet klimatike, ruajtjen e unitetit evropian dhe përballimin e Brexit-it apo të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. “Nuk kam nevojë të jem kryetare e partisë për të mbetur e lidhur me këtë parti. Dhe, unë jam ende kancelare”, tha Merkel. Ajo e ka paralajmëruar që disa javë dorëheqjen nga partia, pas performancës së dobët të Demokrtistianëve në zgjedhjet e disa landeve gjermane.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here