Ndalimi i importeve prek 80% të tregut, si do të ndikohet biznesi i automjeteve

0
16

Si pritet të ndikojë në tregun e automjeteve, vendimi për ndalimin e makinave mbi 10 vjet të përdorura. Statistikat mbi parkun e makinave në vend. Edhe në 2018-n, mbi 80% e automjeteve të importuara ishin më të vjetra sesa 10 vjet.

Shqipëria është e mbushur me makina të vjetra, duke u bërë një varrezë e Europës. Sipas të dhënave nga Automobile Club Albania (ACA), parku i automjeteve në Shqipëri ka një moshë rreth 20-vjeçare, nga 10.2 që është mosha mesatare në Bashkimin Europian.

Nga viti 2011 deri në shtator 2018, në Shqipëri janë targuar gjithsej 291 mijë autovetura, me një mesatare prej rreth 30 mijë në vit, sipas të dhënave nga Drejtoria e Transportit Rrugor dhe ACA, të cilat janë përpunuar nga Qendra e Kërkimeve Monitor (QKM). 92% e këtyre automjeteve kanë një vit prodhimi deri në 2008-n, pra sot janë mbi 10 vjet të përdorura. (shiko tabelën në fund: Targimi i mjeteve të përdorura sipas vitit).

Tendenca ka vijuar edhe në 2018-n. Për 9 muajt e këtij viti u targuan gjithsej 33 mijë automjete, nga të cilat vetëm 5481, ose 16% ishin të prodhuara pas vitit 2008, pra ishin më pak se 10 vjet të përdorura. Në 2018-n, hyjnë ende makina që janë prodhuar që në vitin 1985, pra që janë në përdorim prej 33 vitesh. Mjetet e “preferuara” të shqiptarëve kanë një vit prodhimi mes 2000 dhe 2008, teksa përbënin 79% të targimeve totale për 9-mujorin.

Por, nga 2 dhjetori, ka hyrë në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave, që ndalon importin e automjeteve që janë të përdorura më shumë se 10 vjet, duke ndikuar mesatarisht 80% të totalit të importeve vjetore. Mjetet e reja që do të hyjnë duhet të përmbushin normën Euro 5, si për makinat ashtu dhe kamionët, ndërsa autoveturat e përdorura, që përmbushin normën Euro 4, duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Sokol Kodra, drejtor i Auto Star Albania Sh.A, distributori ekskluziv i Mercedes-Benz në Shqipëri, pohon se ky vendim do të ndikojë në rritjen e shitjeve të automjeteve të reja, kryesisht atyre që janë më të lira dhe më të prekshme për klientë me të ardhura pak më të ulëta se mesatarja. “Mendoj se është një hap i rëndësishëm për uljen e informalitetit në tregun e automjeteve dhe eliminimin e konkurrencës së pandershme që bëhet jashtë përfaqësive zyrtare”.

Nuk është kaq optimist Gentian Bushati, menaxher i përgjithshëm i Porsche Albania. Ai thotë se tregu i automjeteve të reja nuk pritet të ndikohet të paktën në afatin e shkurtër. “Ata që preken nga ky vendim janë konsumatorët që shpenzonin 3000-4000 euro për një automjet, të cilët nuk janë treg i synuar për blerjen e makinave të reja”.

Edhe Reinaldo KRISAFI, CEO i Tendence3a, distributor zyrtar i Renault pret që momentalisht, të evoluojë vetëm tregu i mjeteve të përdorura, me rritjen e çmimeve për mjetet që do të jenë në stok në tregun shqiptar. Sipas tij, ky proces nuk do të ndikojë në rritjen e shitjeve për mjetet e reja, të paktën deri në vitin 2020.

Eno Zeneli, drejtor i Automaster, importuesi zyrtar i Fiat Chrysler Automobiles, e quan vendimin të vonuar, pasi dëmi që është shkaktuar që nga viti 2011, me heqjen e së ashtuquajturës “Doganë” për importin e mjeteve të përdorura, është shumë i madh jo vetëm në tregun e automjeteve, por edhe në shëndetin e popullsisë dhe me pasoja që do të vazhdojnë për vite me radhë. Ai pret që në radhë të parë do të ndikojë pozitivisht në formalizimin e tregut.

LEXO EDHE http://www.monitor.al/distributoret-cmimet-e-autoveturave-te-perdorura-do-te/

Automjetet stok plotësojnë kërkesën të paktën edhe për një vit

Në fund të shtatorit 2018 kishte rreth 56 mijë autovetura stok në vend, që llogaritet si diferenca mes mjeteve që janë importuar dhe atyre që janë regjistruar, sipas të dhënave nga Doganat dhe Drejtoria e Transportit Rrugor, të përpunuara nga QKM.

Stoku më i madh u krijua pas vitit 2011, kur u hoqën detyrimet doganore për makinat e vjetra. Importi i makinave kërceu në 50 mijë në 2012-n dhe 62 mijë në 2013-n, dyfishi i mesatares vjetore në periudha normale, duke krijuar një stok prej rreth 18 mijë mjetesh në 2013-n.

Më pas, tregu u stabilizua, në një nivel prej 2-3 mijë mjetesh në vit, për t’u rritur sërish në 2018-n, sidomos në muajt e fundit, kur u njoftua vendimi për ndalimin e importeve. Sipas të dhënave që i referohen 10 muajve të parë të vitit, në 2018-n është krijuar një stok i ri prej gati 10 mijë automjetesh që kanë hyrë në vend, por nuk janë targuar. Vendimi i qeverisë u jep afat të gjithë tregtuesve që të targojnë automjetet e importuara deri më 1 mars të vitit të ardhshëm. Stoku aktual i automjeteve është i barabartë me kërkesën vjetore për makina në vend.

Por Bushati i Porsche tërheq vëmendjen për një dukuri që ndodh rëndom përpara hyrjes në fuqi të një vendimi. Ashtu si rritja e akcizës së cigareve ndikon në shtimin e importit të tyre në muajt para hyrjes në fuqi të vendimit, e njëjta ndodhi dhe me importin e automjeteve mbi 10 vjet deri në momentin kur hyri në fuqi vendimi për ndalimin e tyre.

Bushati pohon se një efekt tjetër do të jetë shtrenjtimi i parkut të automjeteve ekzistuese, pasi ato do të jenë më pak të disponueshme.
Eno Zeneli thotë se për kategorinë që duan mjete shumë të lira e me moshë të madhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi muajt e fundit janë importuar aq shumë mjete sa do të ketë gjendje për të gjithë kërkesën për të paktën edhe një vit
Reinaldo KRISAFI, CEO i Tendence3a pohon se në tregun shqiptar, gjenden në stok rreth 120.000 mjete të përdorura Euro 2, 3, 4, 5 ende të pashitura, të patarguara në trajtë stoku nga tregtarët me apo pa licencë.

Efekti në mjedis

Rritja e ndjeshme e importeve pas vitit 2011, rrjedhojë e uljes së detyrimeve doganore për automjetet e vjetra, ka ndikuar negativisht në mjedis. Aktorët e tregut pohojnë se makinat që importoheshin e hidheshin në treg ishin me masën 75% të tyre mbi 15-vjeçare, duke sjellë ndotje alarmante.
Sokol Kodra pohon se ulja e vlerës së doganës në vitin 2011, detyrimisht ka nxitur importimin e mjeteve të përdorura me moshë mbi 13 vjet dhe rritjen e vjetërsisë së tregut të makinave.

“Pikërisht ky ‘legalizim’ me ligj i importimit të makinave të çfarëdolloj moshe vitet e fundit ka sjellë dhe vjetërsimin e stokut të makinave në Shqipëri, duke mos marrë në konsideratë asnjë lloj mase apo norme për ndotjen e mjedisit. Pasojat dhe ndikimi besoj se është më se i dukshëm për të gjithë”, pohon ai.

Eno Zeneli pohon se dëmi që është shkaktuar që nga viti 2011, me heqjen e së ashtuquajturës “Doganë” për importin e mjeteve të përdorura, është shumë i madh jo vetëm në tregun e automjeteve, por edhe në shëndetin e popullsisë dhe me pasoja që do të vazhdojnë për vite me radhë.
Ndotja e lartë ishte arsyeja kryesore që e nxiti Ministrinë e Mjedisit të ndërmerrte nismën për kufizimin e importit të automjeteve të përdorura. Sipas Ministrisë së Mjedisit, mjetet me normën EURO 0-3 përbëjnë 80% të parkut ekzistues të automjeteve, ndërsa edhe sot, pjesa më e madhe e makinave të importuara janë mbi 13-vjeçare. Mbi 2/3 e mjeteve që importohen kanë përfunduar ciklin e tyre normal të jetës dhe vijnë vetëm “për të vdekur” në Shqipëri, sipas Ministrisë së Mjedisit.

Sipas relacionit që shoqëron projektvendimin, qëllimi i tij është mbrojtja e shëndetit të njeriut dhe mjedisit nga shkarkimet e ndotësve të gaztë prej mjeteve motorike dhe lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje pozitive dhe ata me ndezje me kompresion, që djegin gaz natyror apo të lëngshëm për përdorim në automjete, nëpërmjet përcaktimit të kushteve të importit të tyre në Republikën e Shqipërisë dhe kushteve për mjetet ekzistuese në qarkullim.

Vitet e fundit, struktura e regjistrimit për herë të parë të autoveturave është: 5% mjete të reja (kilometrazh 0) dhe 95% mjete të përdorura e shumë të përdorura. Kjo prirje u theksua pas vitit 2011, kur me eliminimin e taksës doganore u hoq edhe barriera taksuese që ishte vendosur për efekt të ndotjes nga mjetet e përdorura. Me heqjen dorë nga parimi “ndotësi paguan”, u ndryshua rrënjësisht politika e importit të automjeteve.

Një shifër e tillë e regjistrimit të mjeteve të reja (5%) nuk haset në asnjë vend të Europës, ndoshta edhe të Afrikës. Kjo çon në mosrespektim të normave të lejuara të shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe lëndës së ngurtë pezull të përcaktuara në Direktivat e Bashkimit Europian dhe në konventat e ndryshme ndërkombëtare.

Aktualisht vazhdojnë të regjistrohen për herë të parë edhe makina EURO 0, EURO l, EURO 2 e EURO 3, duke krijuar në këtë mënyrë probleme të mprehta të ndotjes së mjedisit e sigurisë në rrugë. Mjetet EURO 0-3 përbëjnë 80% të parkut ekzistues, thuhet në relacionin e Ministrisë së Mjedisit.
Një tjetër problem sipas operatorëve është dhe cilësia e karburanteve. “Problematikën me cilësinë e karburantit e shohim çdo ditë në servis”, thotë Eno Zeneli. “Fakti që asnjë prej markave prestigjioze ndërkombëtare nuk është e pranishme në tregun e karburantit tregon që kemi një problem me këtë sektor dhe kryesisht me cilësinë e tij”, pohon ai.

Vendimi për importin e automjeteve

Lejohen të regjistrohen për herë të parë për qarkullim në territorin e Republikës së Shqipërisë, mjetet motorike dhe automjetet, të cilat plotësojnë kushtet e mëposhtme:

1. Autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5, të Bashkimit Europian;

2. Mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5, të Bashkimit Europian;

3. Autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 4) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri;

Mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Vendimi përcakton se automjetet, të cilat kanë hyrë në territorin shqiptar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri më 1 mars 2019, për kryerjen e procedurave të nevojshme.
Ky vendim nuk zbatohet për importin e:

Automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi, siç janë:

  • automjetet e prodhuara deri në dhjetor 1970;
  • automjetet e prezantuara si model i prodhimit deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë;
  • automjetet, të cilat paraqesin vlera teknike muzeore apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale.

Mjeteve motorike, të cilat janë të importuara nga subjekte fizike e juridike, me qëllim ndihmën humanitare, në përputhje me legjislacionin kombëtar që rregullon donacionet dhe ndihmat humanitare.

Tirana, me numrin më të madh të automjeteve për banorë

Ashtu si edhe në tregues të tjerë të zhvillimit ekonomik, qendra e vendit ka diferencë të madhe me rajonet e tjera edhe për numrin e lartë të automjeteve për banorë.

Sipas të dhënave të INSTAT, Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë numrin më të lartë të automjeteve për banorë, ndërsa në krahun tjetër, Elbasani, Korça, Kukësi dhe Dibra kanë numrin më të ulët të automjeteve në raport me popullsinë.

Në vitin 2017, Tirana numëroi 233 automjete për 1000 banorë, ose sa dyfishi i makinave për 100 banorë në Qarkun e Dibrës. Më pas shihet se Durrësi ka numrin më të lartë të automjeteve në raport me popullsinë, me rreth 213 automjete për 1000 banorë. Gjithashtu, Vlora renditet ndër qarqet me numër të lartë makinash në raport me popullsisë, me rreth 203 të tilla për 1 mijë banorë.

Numër të lartë automjetesh, mbi 190 të tilla për 1000 banorë, kanë edhe qarqet e Lezhës, Gjirokastrës dhe Shkodrës. Dibra rezulton të ketë numrin më të ulët, me vetëm 101 automjete për 1000 banorë, e ndjekur nga Korça me 119 dhe nga Elbasani me 121 automjete për 1000 banorë. Qarqet me numrin më të lartë të të papunëve, si Lezha dhe Vlora, kanë numër të lartë automjetesh për frymë në raport me qarqet e tjera.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj