Ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit, efektivët duhet të pajisen me certifikatë sigurie

0
430

Në ndryshimet e reja që propozohen në ligjin për Policinë e Shtetit, parashikohet që çdo efektiv, i cili nuk pajiset me certifikatë sigurie, të lirohet automatikisht nga detyra. Me ligjin aktual, efektivët që nuk marrin këtë certifikatë transferohen në detyra të tjera, si në strukturat e Rendit, ku nuk njihen me informacione sekrete. Sipas burimeve, një numër i madh efektivësh që iu ka skaduar afati 5-vjeçar i certifikatës, ende nuk kanë marrë përgjigje nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, që është edhe institucioni përgjegjës që lëshon dokumentin, pasi konsultohet me Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, në Ministrinë e Brendshme. Vonesat në fakt lidhen edhe me ngarkesën e DSIK-së në procesin e vetingut në drejtësi, por shumë efektivë pritet të cilësohen “të papërshtatshëm” për të vijuar detyrën, ende pa nisur procesi i vetingut në polici.

Në ndryshimet e reja që do të kalojnë për diskutim në Parlament parashikohet gjithashtu, që për plotësimin e nevojave të veçanta mund të pranohen në radhët e policisë edhe ushtarakë aktivë të Forcave të Armatosura. Po ashtu, parashikohet edhe ndërhyrja në disa pika për dhënien e gradave, ku gjatë konkurseve të fundit nuk munguan problemet. Ndërkohë, qeveria ka bërë gati projektin për të ngritur një njësi të posaçme, e cila do të luftojë bosët e krimit në vend. Momentalisht operojnë forcat RENEA, Shqiponja, etj, por kryeministri Edi Rama pak ditë më parë e bëri të ditur se do të ngrihet një njësi elitë, e cila do të jetë në krye të të gjithave. Bëhet fjalë për një njësi, e cila do të jetë e ndërthurur mes ushtrisë dhe policisë, me qëllim shfarosjen e krimit në nivele të larta. Ministria e Brendshme e ka bërë gati draftin dhe shumë shpejt ai do shkojë për miratim në qeveri, e më pas në Parlament. Sipas draftit për ndryshimin e ligjit për Policinë e Shtetit, kur polica ka nevojë ta veçantë mund të kërkojë dhe ndihmën e ushtarakëve. “Për plotësimin e nevojave të veçanta mund të pranohen në Policinë e Shtetit, ushtarakë, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të nenit 38 të këtij ligji. Për ushtarakët e shërbimit aktin, pranimi realizohet mbi bazë marrëveshje dy palëshe ndërmjet ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, ku përcaktohen kuotat dhe strukturat nga ku do të pranohen”, thekson drafti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here