“Të gjithë e duan Agim Krajkën” mbledh artistët në skenë

0
17

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor sollën mbrëmë në skenë koncertin “Të gjithë e duan Agim Krajkën”. Koncerti në nder të mjeshtrit të muzikës Agim Krajka ishte dhe në përmbyllje të 60 vjetorit të Ansamblit Popullor. “Kemi një vit që celebrojmë me performanca të shumta 60-të vjetorin e Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve, për të përmbyllur kështu festimet me këtë koncert kushtuar një artisti të madh, që ka kompozuar e drejtuar për 30-të vjet me radhë  orkestrën e AP”, bënte me dije institucioni para zhvillimit të koncertit, që sonte vjen në natën e dytë për publikun te “arTurbina”.

Gjatë koncertit mjeshtri Agim Krajka u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.Agim Krajka i kushtoi çdo ditë të karrierës së tij artistike, folklorit muzikor duke e eksploruar në çdo cep të Shqipërisë, për ta pasur si muzën më të shtrenjtë, më të dashur,  e cila do ti jepte frymëzimet më të bukura për veprat muzikore, të cilat gjithmonë bënin tendencën e muzikës së kohës. Ai ishte i fundit që shkëputej nga folklori dhe i pari që ndiqte trendet e muzikës së kohës, prandaj të gjithë e kërkonin dhe donin të bashkëkrijonin e ndanin  skenën me të. Në vitin 1963, Agim Krajka filloi studimet për teori e kompozicion, nën drejtimin “Artistit të Popullit” – Çesk Zadeja. Krijimtaria e tij është voluminoze. Mjeshtri ka kompozuar qindra këngë, valle popullore  dhe shumë pjesë për orkestër simfonike si: “Suite me valle popullore” për orkestër simfonike,  “Uverturë rinore” për orkestër simfonike, “Romancë” për violinë e orkestër simfonike, “Fantazi” për fizarmonikë e orkestër simfonike. Krijimtaria e tij mori vlera të tjera me muzikën e shumë filmave, të cilat i kompozoi gjatë viteve 70-80. Kryeveprat e kinematografisë si “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Një shoqe nga fshati” etj, nuk do kishin vend të veçantë në historinë e kinematografisë tonë, pa kolonat zanore që shkroi për to “Mjeshtri i Madh” Agim Krajka.

Të gjithë e duan Agim Krajkën sepse ai kompozoi për të gjithë. Të gjithë e duan Agim Krajkën sepse krijimtaria e tij është skenë e madhe që bashkon artistë të melodisë e valles popullore, të këngës së lehtë moderne, sepse muzika  e tij është kinematografike e simfonike. E duan se ai i shkroi gjyshes, e duan se Agim Krajka është kompozitori i  rinisë. Agim Krajka është kompozitori i dashurisë.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj