Çelsi bën “mrekullinë”, fitore ndaj Mançester Sitit dhe rihap garën në Premier

0
451

Në kuadër të javës së 16-të të Premier League në Angli, Çelsi i trajnerit Mauricio Sarri arriti një fitore të madhe dje përballë Mançester Sitit, duke fituar 2-0 dhe duke marrë tri pikë që e afrojnë ndjeshëm me kryesuesit. Jo vetëm kaq, por fitorja e Çelsit zbriti Sitin e Guardiolës në vend të dytë, pasi nga kjo ndeshje përfitoi Liverpuli i Jurgen Klop që pas fitores me Bornemouthit u ngjit në vend të parë me 43 pikë. Kështu, Çelsi i jep një “shuplakë” Mançester Sitit në përballjen më të rëndësishme të javës së 16-të në Premier League. Në “Stamford Bridge” “Qytetarët” u mposhtën 2-0 me gola të Kante dhe David Luiz, që ngritën peshë tifozët e pranishëm në impiantin londinez. Mesfushori francezi realizoi golin që zhbllokoi takimin në fund të pjesës së parë me një 11-metërsh në lëvizje, pasi u shërbye nga Hazard, ndërsa braziliani kërceu bukur me kokë, duke e detyruar për herë të dytë portierin Ederson që të nxirrte topin nga rrjeta. Një “asist” ky i bluve të Londrës për Liverpulin, që pak më herë kishte mposhtur 0-4 Bournemouthin, duke u ngjitur në krye të Premier League-s me një pikë më shumë se Siti. Ndërsa Çelsi më këtë sukses ruan pozicionin e dytë, që iu kërcënua nga Arsenali. Tashmë distanca mes skuadrës së Maurizio Sarrit dhe formacionit të Guardiolës ngushtohet në 7 pikë. Duke pasur parasysh gjatësinë e kampionatit dhe rivalitetin, mund të thuhet se gara është plotësisht e hapur. Kjo fitore e ndihmon Çelsin të kalojë problemet që kishte në ndeshjet e shkuara dhe psikologjikisht të ndihet më mirë në rrugëtimin e vet në Premier League. Padyshim, kjo fitore ishte “oksigjen” edhe për vetë trajneri Sarri, i cili mori jo pak kritika ndeshjen e shkuar. Kjo fitore dhe performanca e mirë e skuadrës në lojë janë dëshmi se Çelsi mund të rivalizojë për titull në Angli këtë edicion, pavarësisht se pretendentët kryesorë mbeten Liverpuli dhe Siti që janë vetëm një pikë larg njëri-tjetrit. Ndërkohë, Arsenali ka shënuar fitore të vështirë ndaj Huddersfieldit. “Topçinjtë” shënuan fitore minimale në shtëpi. Ishte mesfushori nga Uruguai, Torreira ai që shënoi golin e fitores për Arsenalin në minutën e 83-të, pas asistimit nga Aubamejang. Në vendin e tretë Arsenali ka 34 pikë. Hadersfieldi në vendin e 18-të ka 10 pikë. Po kështu, Mançester Junajtid ka shënuar fitore të thellë në shtëpi ndaj Fulhamit. Jang shënoi golin e parë në fitoren prej 4-1. Mata e Lukaku shënuan në vazhdim të ndeshjes, duke çuar rezultatin në 3 me 0 në pjesën e parë. Fulhami e ngushtoi rezultatin në 3-1 në minutën e 67-të përmes Kamaras. Megjithatë Junajtid shënoi edhe njëherë përmes Rashfordit. Në vendin e gjashtë Junajtid ka 26 pikë. Kurse Fulhami në vendin e fundit ka 9 pikë. Pas këtyre ndeshjeve mund të thuhet se skuadrat kryesore regjistruan fitore me vlerë për klasifikimin, me përjashtim të Sitit, që u mposht nga Çelsi dhe i “hapi krahun” Liverpulit të marrë kryesimin e Premier League angleze./Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here