Romir Zalla: Teatri, artet pamore, muzika, libri nuk janë për fasadë, nuk zhvillohet dhe mbrohet kultura me Facebook dhe deklarata anemike në televizion

0
492

Në skenën e teatrit dhe në kinema aktori Romir Zalla është i njohur me angazhimet tij si dhe vlerësimet nga publiku. Ky vit për aktorin po mbyllet në teatër, por nuk kanë munguar dhe rolet në filma të ndryshëm. Për jetën artistike aktori i njohur Romir Zalla shprehet se Ministria e Kulturës nuk i ka të qarta prioritetet e saj. Në intervistën për “SOT” aktori Romir Zalla pohon se ligjet bëhen përciptas sa për të thënë, por ka edhe një tendencë për të pakësuar buxhetet. Aktori shprehet se problemet nuk zgjidhen duke mbyllur sytë, dhe teatri, artet pamore, muzika dhe libri nuk janë për fasadë. Duke folur për problemet e artistëve gjatë këtij viti aktori Romir Zalla ndalet dhe në Teatrin Kombëtar, kur prej disa muajsh po protestohet në mbrojtje të tij. Për aktorin, pas 10 muajsh rezistencë, ku nga këto 200 ditë pa ndërprerje në mbrojtje të teatrit, por mbi të gjitha të dinjitetit të artistëve ka qenë një luftë nervash, ku qytetaria ka fituar dhe tashmë çështja është ndërkombëtarizuar. Këtë muaj të fundit të vitit aktorin Romir Zalla publiku e gjen në skenën teatrore në dramën “Tri gra dhe Misugi”, ku do të vijojnë dhe një tur në skenat e teatrit në Kosovë. “Tri gra dhe Misugi” është dramatizim nga novela e famshme “Çiftja” e shkrimtarit japonez Yasushi Inoue. Në thelb të dramës janë tri letra dërguar Misugit, një burri, që gjendet në mes të një trekëndëshi tragjik dashurie. E vendosur në kontekstin e ditëve të sotme, me tri personazhe, aktorja, regjisori dhe asistentja, pjesa zbërthehet me të njëjtën strukturë të shtresëzuar dhe me ngjyrimin dhe shijen e Orientit të largët.

-Muaji dhjetor ju gjen me shfaqjen “Tri gra dhe Misugi” në skenat e teatrit, ku tre mbrëmje janë dhe në Kosovë. Për ju si është përcjellë deri tani nga publiku vepra?

Mesi i tetorit shënoi premierën e “Tri gra dhe Misugi” dramë e Yasushi Inoue, të cilën e kemi punuar me shumë përkushtim së bashku me Suelën dhe trupën. Në sallën e ngrohtë “Gëte” të Teatrit Eksperimental u prit jashtëzakonisht mirë për dy fundjava. Me pëlqeu fakti që erdhën ta shohin shumë njerëz, që e kishin lexuar veprën dhe e panë ashtu siç e kishin imagjinuar. Në Tiranë do të rikthehemi përsëri në datat 27, 28, 29 dhjetor, por ndërkohë pas skenës së teatrit “Aleksandër Moisi” të Durrësit, ku u prit me shumë kureshtje sidomos për formën e veçantë të vënies në skenë brenda skenës, tashmë “Tri gra dhe Misugi” në 10, 11 dhe 12 dhjetor do të prekë skenat e Gjilanit, Ferizajt dhe Gjakovës. Mezi po e presim këtë takim me publikun në Kosovë. Mendoj se do të ketë po atë shije të mirë dhe të ngrohtë në komunikim. Vitin tjetër do jemi në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Maqedoni për t’u kthyer përsëri në Elbasan dhe qytete të tjera.

 -Jemi në muajin e fundit të vitit, për ju si aktor si po mbyllet ky vit sa i takon angazhimeve artistike. Në punën tuaj çfarë keni synuar?

 Ky ka qenë një vit i ngarkuar me shumë ngjarje jo vetëm profesionale. Është vit i vështirë, ku përveç se si artist shumë shpesh më është dashur të pozicionohem edhe si qytetar për shumë probleme, që shqetësojnë shoqërinë tonë. Sigurisht pa lënë mënjanë marrëdhënien me publikun në skenë, që për mua është e shenjtë. “Komedia që shkon për dreq” ka qenë një shfaqje, që këtë vit ka pasur fatin të shfaqet përveç se në sallën e Teatrit Kombëtar ndoshta ndër shfaqjet e fundit në atë sallë në fillim të qershorit, por edhe në Teatrin Eksperimental, në Durrës, Korçë dhe Elbasan. Shfaqje me një energji pozitive dhe plot humor që besoj se nuk do mbyllet me kaq. Ndërkaq vazhdon të shfaqet në Teatrin Eksperimental drama “Jashtë derës”. Kjo ka qenë për mua një eksperiencë e jashtëzakonshme në punën me regjisorin Mantas Janciuskas nga Lituania. Është një shfaqje teatrore shumë e mirë, dhe për përvoja të tilla në skenë mendoj se kemi shumë nevojë të gjithë. Jo vetëm aktorët, por edhe publiku. Teatri vazhdon të mbijetojë, dhe unë kam shpresë se shumë shpejt do të marrë vëmendjen që meriton.

-Po vazhdojnë protestat në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, në qëndrimin e saj Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shprehet se nuk do të lejohet shembja. Në situatën sot çfarë mund të thoni edhe për përgjegjësinë e shtetit?

Sot jemi pas 10 muajsh rezistencë, ku nga këto 200 ditë pa ndërprerje në mbrojtje të teatrit, por mbi të gjitha të dinjitetit tonë. Ka qenë një luftë nervash, ku qytetaria ka fituar. Tashmë çështja është ndërkombëtarizuar. Thuajse çdo ditë shkruajnë edhe mediat e huaja për absurdin, që po ndodh me teatrin në Tiranë. Artistë, qytetarë, intelektualë, gazetarë me reagimin e tyre janë në mbrojtje të vlerave dhe kulturës. Shteti për fatin tonë të keq është i pafuqishëm. Pushteti arrogant ka shkuar në drejtim të paditur. Paaftësia për të menaxhuar vullnetin e qytetarëve duhet të marrë fund.

-Artistët me herët i janë drejtuar me disa kërkesa Ministrisë së Kulturës, që deri tani nuk janë plotësuar. Në gjykimin tuaj, sa përgjegjësi ka ministria?

Ministria e Kulturës kam përshtypjen nuk i ka të qarta prioritetet e saj. Ligjet bëhen përciptas sa për të thënë. Ka një tendencë për ti ulur buxhetet. Abuzohet shumë me faktin se nuk mund të rëndohen xhepat e shqiptarëve, duke ju marrë taksa me shumë për kulturën, arsimin, shëndetësinë…Në fakt është çështje keqmenaxhimi, paaftësie totale, korrupsioni galopant dhe arrogance. Ministria është aty si alibi e katastrofës kulturore dhe trashëgimisë. Problemet nuk zgjidhen duke mbyllur sytë, duke futur kokën si struci në rërë. Teatri, artet pamore, muzika, libri nuk janë për fasadë. Nuk zhvillohet dhe mbrohet kultura me Facebook dhe deklarata anemike në televizion. Të përveshin mëngët, ti shohin artistët në sy dhe të bëhet më e mira, duke filluar nga rritja e buxhetit dhe deri te ligjet e mira gjithëpërfshirëse për të gjithë artistët jo vetëm për artistët në rrogë pranë institucioneve. Këtë të bëjë ministria.

-Akuzat e artistëve kanë qenë dhe për mungesë transparence ndaj ministrisë. Si ndikon kjo për jetën artistike?

Kur nuk ka prioritete dhe politika të qarta kulturore, fut këtu dhe paaftësinë totale sigurisht që nuk ka transparencë. Transparencë do të thotë komunikim bashkëpunim vënien e gishtit në plagë. Kush është zgjidhja? Propaganda? Shifrat dhe statistikat sa për të thënë, që ne e bëmë tonën, por e kemi shtetin të varfër? Jo nuk duhet të jetë kështu. Politika, ministrat, drejtorët janë të përkohshëm. Kultura, teatri është aty gjithmonë.

-Artistët ende janë pa status, ju çfarë mund të na thoni pasi ka qenë edhe një nga premtimet e Ministrisë së Kulturës që para disa vitesh?

Statusi i artistit më shumë se në letër mungon në mentalitetin e politikës karshi artistit. Kam përshtypjen se na konsiderojnë si të dorës së fundit. Sigurisht ky status ka dhe një faturë financiare. E kur flitet për buxhete këtu nuk ka fare dëshirë, ambicie për zhvillim për promovim, respekt për artistin vlerën e tij.

-Çfarë mund të na thoni për projektligjin e artit?

Në lidhje me projektligjin për artin dhe kulturën një ligj pak përgjithësues ky, mendoj se nuk është i plotë për të rregulluar aktivitetin e gjallë skenik. Mendoj se pika kryesore, që zgjidh ngërçin dhe i jep më shumë liri procesit krijues në përgjithësi është rikthimi urgjent i Qendrës së Artit. Por specifikisht për teatrin mendoj se një ligj më vete, funksional dhe i konsultuar me artistët e artit skenik do të ishte më mirë.

-Vitin që vjen, si do të vijojnë projektet tuaja?

Këtë vit pata kënaqësinë të jem pjesë e kastit të filmit “Cirku Fluturues” me skenar dhe regji të Fatos Berishës. Mendoj se vitin tjetër do të ketë dhe premierën ky film, por edhe filmi tjetër ku bëj pjesë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” me skenar dhe regji të Kushtrim Bekteshi. Fat që me të dy këta filma kam pasur bashkëpunim me kolegë nga Kosova dhe Maqedonia. Mendoj se bashkëpunime të tilla mbarëshqiptare duhet të ketë më shpesh edhe në teatër. Ndërkohë vitin tjetër shpresoj të marr pjesë në disa projekte të tjera filmike.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here