Agim Rada: Kumbaro një kamikaze, që po mbyll Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit dhe po ua dorëzon bojaxhinjve të bashkive

0
28

Qendra e Realizimit të Veprave të Artit pritet të mbyllet, sipas një shkrese zyrtare që drejtori Agim Rada ka marrë nga Ministria e Kulturës. Krijuar që në 1983 kjo qendër ka funksionuar prej vitesh dhe për drejtuesin e saj skulptorin e njohur Agim Rada mbyllja e saj është bërë me qëllim sipas tij për shkak të kritikave që ai prej vitesh ka drejtuar ndaj ministrisë. Në intervistën për “SOT” skulptori Agim Rada tregon për përplasjet që ka pasur me ministren e Kulturës, dhe nuk pranon që QRVA është pa efikasitet. Sipas tij, ministrja e Kulturës nuk duhet të qëndrojë më në drejtim të ministrisë, pasi deri më sot ka treguar paaftësi në atë institucion. Për skulptorin e njohur që prej 40 vitesh vijon me krijimtarinë e tij është e pafalshme, që një ministre Kulture të mos tregojë vëmendje ndaj veprave të artit dhe objekteve të trashëgimisë në vend.

-Në 40 vite krijimtari me veprat e artit, ku ka qenë e fokusua më tepër puna juaj?

Te ky vend, që ju shikoni që unë e quaj tempullin tim, këtu unë kam sakrifikuar gjithë rininë, energjinë time dhe forcat e mia në krijimin e figurave të ndritura të kombit. Krijimtaria ime ka nisur qysh në moshë të re sapo mbarova shkollën. Veprat e mia njihen nga publiku dhe janë të institucione të rëndësishme. Veprat e mia janë të gjitha të depolitizuar, që nuk kanë lidhje me ideologjinë në shërbim të diktaturës. Janë figura, që i shërbejnë kombit tim dhe përjetësisht sa të jetë shqiptari në këto troje dhe ato do të jenë të radhitura krahas popullit, duke filluar me Ali Pashë Gucinë, Marin Barletin, Onufri, Jan Kukuzelin, Fan Nolin, Lasgush Poradecin, Mit’hat Frashërin, Skënderbeun, Sali Butka, etj. Energjia ime ka qenë në shërbim të vendit tim dhe unë me këtë dua të vdes, ti shërbej deri në grahmat e fundit.

-Një shkresë zyrtare ka mbërritur te ju si drejtues i Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit për mbylljen e qendrës. Çfarë mund të na thoni, pasi QRVA është krijuar që në 1983?

Unë e prisja këtë shkresë zyrtare dhe nuk më erdhi e papritur. Për bandën që drejton shtetin kjo është një gjë fare normale, sepse unë kam pas kurajon jo vetëm sot por dhe në kohën e diktaturës unë i kam thënë të vërtetat e mia. Unë nuk mund të hesht dhe të bëj sikur nuk shikoj reprezaljen dhe krimin shtetëror, që ndodh karshi veprave të artit, monumenteve të kulturës, etj. Unë kam detyrë qytetare që ti denoncoj këto publikisht dhe këtë kam bërë. Kjo mbyllje e ndërmarrjes sime vjen si rezultat jo siç thotë kryeministri dhe ministrja, që nuk është efikase. Kryeministrit i përgjigjem që vetëm thjeshtë Ministria e Kulturës nuk është efikase, sepse nuk prodhon tulla dhe mobilje, por vetëm vlera shpirtërore, është përgjegjëse për ruajtjen dhe promovimin e vlerave shpirtërore. Që të thuash që QRVA nuk është efikase është përgjigje qesharake. Unë e di shumë mirë që kostoja e reagimit tim një ditë do të vinte, dhe kjo ishte kostoja e hakmarrjes e njerëzve të vegjël, që për mendimin tim janë dy arsye që bëhet. E para, është me qëllim dhe nga njerëz që nuk e duan vendin, që i shërbejnë agjenturave dhe të keqes së vendit. Të mbyllësh një ndërmarrje kur ruhen dhe konservohen vlerat me qëllim kjo është që të mos kesh respekt për vlerat shpirtërore të krijuara nga artistët. Ndërsa në rastin tjetër, nëse bëhet nga budallallëku është akoma më e turpshme dhe tregon që duke filluar nga ministrja e Kulturës dhe deri te më i fundit në ministri janë të paaftë, dhe kjo është skandaloze.

-Ju keni disa vite në drejtim të QRVA, si e gjetët këtë qendër?

Unë kam pesë vite që drejtoj QRVA. E gjeta në një gjendje skandaloze dhe kjo ndërmarrje mori jetë prej meje. QRVA ruan vlerat e krijimtarisë të të gjithë artistëve. Specialistët që unë kam përgatitur në këtë qendër janë të rinj dhe me vullnet dhe dëshirë, por që iu pre rruga në mes. QRVA ka 7 punonjës dhe pas kësaj do të ndodhi që veprat e artit do të degradojnë dhe të shkatërrohen. Nuk do të ketë më kush ti riparojë. Në shkresën e Ministrisë së Kulturës thuhet që kjo punë i është lënë bashkive.

-Ju mendoni se bashkitë kanë mundësi për veprat e artit?

 Sipas shkresës së Ministrisë së Kulturës i bie që veprat e artit të bien në dorë të bojaxhinjve të bashkive të ndryshme. Por me vendimin që ka marrë Ministria e Kulturës këta specialistë dalin në rrugë, dhe nuk përgatiten më të tjerë. Me mbylljen e QRVA i bie të kujdeset vetëm zoti. Ministria e Kulturës ia ka besuar bashkive këtë punë, por nuk mundet dot ta bëjnë. Nuk e kanë idenë në bashki të merren me veprat e artit, dinë vetëm ti lyejnë me varak.

-Ju keni qenë kritik herë pas here ndaj Ministrisë së Kulturës. Në këto vite si e keni parë punën e ministres Kumbaro?

Unë nuk kam qenë kritik vetëm ndaj ministres Kumbaro, por për gjithë qeverinë. Për mendimin tim në këto vite ka qenë skandaloze Ministria e Kulturës. Ministria e Kulturës nuk ka bërë një konkurs për një vepër arti. QRVA e ka lënë me 400 mijë lekë të reja buxhet. Me kaq pak buxhet imagjinoni se si na kanë lënë. Në Ministri të Kulturës është përgjegjës dhe një skulptor Ylli Beqiri që nuk ka bërë asnjë vepër në jetën e vet. Kur erdhën zyrtarët e Ministrisë së Kulturës në qendrën tonë që erdhën si gestapo, ai arriti deri aty sa ti quante veprat e mia të artit punë private. Këto punë që i shërbejnë vendit tim i quajti private a tua sikur unë kisha bërë Fan Nolin vepër dhe po e çoja në shtëpi? Ai të jetë i bindur ashtu dhe të tjerë që ato vepra janë në atë ambient, por janë bërë me paratë e mia dhe mundimin tim. Me allçinë që kam blerë vetë, dhe le të më nxjerrin një faturë që kam bërë dëm në ndërmarrje. Unë nuk kam dalë të vjedh, por të punoj.

-Sa është mbështetur ndër vite QRVA nga Ministria e Kulturës?

Qendra e Realizimit të Veprave të Artit nuk është mbështetur nga Ministria e Kulturës. Ju pohova që buxheti i vitit ka qenë vetëm 400 mijë lekë të reja, për të gjitha punët dhe investimet. Me këtë buxhet që e kanë lënë thonë nuk është efikase, kur me 2 kilometra rrugë janë 40 milionë euro. Ju lutem zoti kryeministër më jepni një centimetër rrugë në vit mua dhe veprat e artit nuk do të kenë kurrë probleme. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka ardhur në qendrën tonë vetëm njëherë. Por ministrja Kumbaro e ka mendjen vetëm të hipi në avionë. Për mendimin tim shkenca duhet të zbulojë një stacion për ndërrim linjash në ajër, sepse ministrja akoma nuk i ka zbritur stacionit të avionit bashkë me punonjëset e tjera atje, që pasi i bënë fondet qesharake duke shpenzuar nëpër udhëtime jashtë shtetit dhe sponsorizime pa vlera më nxjerrin ndërmarrjen time jashtë efikasitetit. Unë kam qenë si delja e zezë për ministrinë nga kritikat që bëja. Unë nuk jam nga ata që i lëpihen eprorëve. Nuk kam dashur të di as për kryeministrin e djeshëm dhe as për këtë të sotmin, dhe as për kriminelin e dikurshëm. Fjalën time e kam thënë gjithmonë pa frikë. Nuk të vrasin më si dikur, por të presin krahët e krijimtarisë. Por kjo është një gjë, që nuk do ta arrijnë dot në punën time, krijimtaria ime i ka shërbyer vendit tim dhe do të vijoj të shërbej.

-Ju keni reaguar më parë dhe ndaj dëmtimeve të ndryshme në objektet e trashëgimisë sonë kulturore…

Unë i bëj thirrje KLSH dhe institucioneve që merren me këtë punë të shikojnë se ku kanë shkuar fondet. Ne shikojmë ura që rrëzohen dhe kisha që rrënohen, afreske që shkatërrohen përditë. Jemi dëshmitarë që i prekim vetë gjërat dhe nuk është nevoja që të dalin dhe të na trumbetojnë suksesin virtual, që kanë në mendjen e tyre, sepse ne i shikojmë se ku po katandiset vendi. Shkatërruan stadiumin “Qemal Stafa” historinë e arkitekturës në vend, do të shkatërrojnë dhe Teatrin Kombëtar. Por sepse hajdutët nuk kanë frenim, nuk i shikojnë si objekte por si thes me para, mendojnë se sa para do të marrin nga stadiumi, nga teatri, nga sheshi. Harruan që përgjysmuan dhe bulevardin, që ishte bërë nga arkitektët më të mirë italianë, por e ndanë përgjysmë. Kjo është një masakër. Ministrja e Kulturës për mua është një kamikaze, firmos prishje stadiumesh, teatrosh, etj, por një ditë do të vijë që do të japi llogari për të gjithë firmat që kanë hedhur. Nuk janë pasuri të tyre por janë të popullit tonë.

-Për ju nuk ka pasur investime nga ministria?

Flet ministrja e Kulturës për investime, por po vetë i shkatërron objektet. Ajo flet thjesht për të mbuluar shkatërrimet e trashëgimisë kulturore.

-Ju jeni në varësi si institucion nga Ministria e Kulturës, keni zhvilluar takime me ministren Kumbaro për problematikat, që jeni shprehur dhe më parë në punën tuaj me QRVA?

Jo nuk kam bërë takime. Unë si drejtues i QRVA i kam çuar disa projekte. Kam dashur që të punojnë dhe studentë të artit figurativ, por besoj që ajo as i ka parë dhe as lexuar ato projekte. QRVA nuk prodhon as tulla dhe mobilje, por konservon dhe ruan vlera shpirtërore, të cilat nuk maten me para. Kjo që po ndodh me QRVA është vetëm hakmarrje. Unë po them sot Lindita Nikolla, por nesër është Mirela Kumbaro për të ikur. Ministrja e Kulturës duhet të ikë urgjentisht nga ministria. Është e paaftë dhe përveçse e paaftë kanë qëllime orguzeza dhe fshihen në vendimet e tyre. Mirela Kumbaro kurrë nuk ka qenë ministrja ime këtë e kam thënë dhe më parë, kryetari i Kuvendit nuk është kryetari i Kuvendit tim, kryeministri nuk është i imi, aq më shumë dhe presidenti, që nuk është kurrë presidenti im. Unë i them ministres së Kulturës që kam kuptuar qëllimin tuaj, por nuk jam as sahan lëpirës që t’ju përgjërohem, sepse talentin dhe ndjenjën për vendin tim, dashurinë për atdheun dhe figurat e ndritura nuk ma keni mëkuar ju. Por ju ruajuni dhe bëni kujdes, mos u merrni me shkatërrimin e veprave të artit dhe aq më tepër të më pengoni mua në krijimtarinë time, sepse çdo gjë mund të më merrni, por jo duart dhe shpirtin tim në krijimtari.

-Ju keni disa vepra arti, çfarë do të ndodhë?

Veprat që unë kam këtu, janë punë të bëra jashtë orarit dhe në të mirë të vendit tim. Nëse kanë menduar ti çojnë për skrap i paralajmëroj larg duart nga veprat e mia, sepse do ti mbroj me jetën time. Nuk ka bir k…,që të më shkatërrojë veprat e mia. Në këto vite që kam qenë këtu të mos ishte QRVA “Nëna Shqipëri” nuk do të ishte më sot, sepse kur e kemi parë kemi gjetur një gropë 60 centimetra, që ishte bërë nga rrufeja mbi atë vepër. Kemi restauruar Monumentin e Pavarësisë në Vlorë, kemi restauruar monumente të tjera në vend dhe pa buxhet nga Ministria e Kulturës. Në Ministri të Kulturës janë të papërgjegjshëm. Unë do ta respektoja, nëse ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro do të ishte dikush që ka dhënë për vendin tim, por ajo thjesht ka mbaruar për gjuhë të huaja dhe nuk quhet zanat. Është njëlloj sikur të thuash, sot kam zanatin e shoferit, kur makinës dinë ti japin të gjithë. Për mendim tim Kumbaro nuk ka asnjë lloj vlere, që të vazhdojë të jetë ministre. Unë ftoj KLSH të bëjë kontroll të thellë, sepse do të ketë zbulime. Vepra ime me Marin Barletin ishte në Ministri të Kulturës, por disa kohë para se të mbërrinte kjo shkresë zyrtare në QRVA edhe puna ime u hoq nga mjediset e ministrisë. Mendoj se e ka bërë si hakmarrje. Ka qenë një vepër që unë e kam realizuar në 1988 dhe e ka qenë e derdhur në bronz, ndodhej në GKA dikur. Kjo duket që ministrja e Kulturës është një hakmarrëse, njeri i vogël dhe kështu janë njerëzit e paaftë dhe grabitqarë. QRVA është krijuar rreth 40 vjet më parë që në diktaturë dhe e mbyll sot Kumbaro. Kjo qendër në kohën e PD ka pasur diku te rreth 25 veta të punësuar me një fond gati 26 milionë lekë të reja dhe e katandisën me 400 mijë lekë të reja.

Intervistoi: Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj