Kaluan tonelata drogë drejt Italisë, Prokuroria e Katanias kërkon 90 vite burg për Moisi Habilajn dhe grupin e tij

0
369

Në seancën e djeshme ndaj Moisi Habilajt dhe grupit të tij, Prokuroria e Katanias ka lexuar pretencën. Organi i akuzës të Katanias ka kërkuar plot 90 vite burg për anëtarët e bandës së drejtuar nga Moisi Habilaj. Prokurori i cili hetoi këtë dosje, Antonio Bonomi ka kërkuar 18 vjet e katër muaj burg për Moisi Habilaj, i cili ndodhet në qeli që nga fundi i 2017. Në seancën e djeshme ka marrë pjesë dhe vetë Moisi Habilaj. Ai ka qëndruar i heshtur pas hekurave duke dëgjuar akuzat ndaj tij dhe pa dhënë asnjë koment për to. Ndërkohë jashtë sallës ishin me dhjetëra familjarë të tij dhe të të pandehurve të tjerë. Për drejtësinë italiane, Moisi Habilaj cilësohet si organizatori dhe drejtuesi i një karteli të specializuar për trafikimin e marijuanës nga Shqipëria. Në listën e personave në proces janë dhe ata që konsiderohen si bashkëpunëtorë të Habilaj. Për antarët e tjerë të këtij grupi kriminal prokuroria kërkoi dënime më të ulta. Për Meridian Sulajn, të cilin prokuroria italiane e konsideron si krahun e djathtë të Habilajt u kërkuan 12 vjet e 4 muaj burg, ndërsa për Fatmir Minajn u kërkua lirimi nga akuzat. Nazer Seiti, i cili u ekstradua nga Shqipëria drejt Italisë që konsiderohet dhe si financieri i grupit, organi i akuzës së vendit fqinj kërkoi shpalljen e tij fajtor dhe dënimin me gjashtë vite burg. Grupi kryente trafikun e drogës kryesisht nga deti me anë të peshkarexhave. Kur mbërrinte në Itali droga i shitej disa klaneve mafioze në provincat e Katanias, Sirakuzës dhe Raguzës. Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, banda e Habilajve, kishte mbrojtje në Shqipëri nga drejtues të policisë dhe trafikun e kryente nëpërmjet rrugëve detare. Dënim me burg është kërkuar dhe për 12 të akuzuar të tjerë, të gjithë shtetas italianë. Ndërkohë, për Antonio Riela, prokuroria kërkoi 15 vite burg, ndërsa Angelo Busaça rrezikon tetë vite burg. Gianluca Spampinato, rrezikon 10 vite e katër muaj burg, Gianluca Passavanti, katër vite dhe 20 mijë euro gjobë. Ndërsa për Ëilliam Patanè, Fabio Spampinato, Carmelo Bertolini, Enrico Maria Giaquinta, Massimiliano Brundo, Antonio Greco, Giuseppe Greco dhe Rosario Giuliano u kërkua dënimi me dy vite burg, katër muaj dhe 6 mijë euro gjobë. Antarët e këtij grupi kriminal u gjykuan me gjykim të shkurtuar dhe nëse ata do të shpallen fajtor nga Gjykata e Katanias, do të përfitojnë 1/3 e uljes së dënimit. Grupi kriminal u shkatërrua më 14 tetor të vitit 2017 dhe paralelisht me autoritetet italiane, nisën hetimet në Shqipëri edhe për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Hetimet ndaj Tahirit

Menjëherë pas arrestimit të Moisi Habilajt në Itali dhe publikimit në media të audiopërgjimeve që ishin bërë ndaj këtij grupi kriminal nga autoritetet italiane, Prokuroria për Krime të Rënda nisi një hetim ndaj ish ministrit Tahiri. Gjatë këtij hetimi prokurorët e krimeve kërkuan masën e sigurisë “arrest me burg”, për ministrin. Ndërsa gjykata caktoi ndaj tij masën “Arrest shtëpie”, e cila u rrëzua nga apeli një javë më pas. Ndërkohë që ndaj ish ministrit rreth një muaj më parë Gjykata e Katanias me një vendim të formës së prerë është shprehur se ndaj Tahirit nuk mund të ngrihet asnjë akuzë, pasi ndaj tij nuk ka prova. Prokuroria e Krimeve të Rënda administron si provë, vendimin e Gjykatës së Katanias për pushimin e hetimeve ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Vendimi u depozitua më 29 Tetor nga vetë Tahiri dhe avokati i tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në atë vendim thuhet se Prokuroria e Katanias nuk gjeti prova që të mbështesnin pretendimet e anëtarëve të grupit Habilaj gjatë përgjimeve policore, për blerje dhuratash për Tahirin. Ish-ministri e konsideroi atë vendim një provë vendimtare për hetimin e nisur ndaj tij në Shqipëri. Saimir Tahiri po hetohet në Shqipëri si garantues i grupit të Habilajve me akuzat pjesë e grupit të strukturuar të trafikut të drogës dhe për korrupsion. Hetimet ndaj Tahirit përfundojnë më 17 janar, ku me shumë gjasa çështja ndaj tij do të pushohet për mungesë provash.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here