Më 20 dhjetor bie vetingu në politikë, PD-LSI gati të rikthehen në Parlament, zbardhen raportet që do shkojnë në seancë plenare

    0
    401

    Propozimi i opozitës për veting në politikë pritet të rrëzohet në datën 20 dhjetor. Të enjten e ardhshme do të mbahet seanca e fundit parlamentare për këtë vit, në axhendë të së cilës pritet të jetë edhe hedhja në votim e nismës së PD-LSI për të vetuar politikanët. Komisioni i Venecias, në një draft paraprak të zbuluar pak ditë më parë nuk e mbështeti propozimin e opozitës, duke ngritur një sërë pikëpyetjes për mënyrën sesi dhe nga kush mund të bëhet vetingu në politikë. Ndërsa në datat 14-15 dhjetor, Komisioni i Venecias do të duhet t’i kthejë një përgjigje zyrtare Kuvendit të Shqipërisë. Pasi të disponohet opinioni i ekspertëve të Venecias, mazhoranca do të mblidhet në seancë parlamentare të enjten për të votuar pro ose kundër këtij propozimi. Sipas burimeve të gazetës, të gjitha gjasat janë që kjo nismë e PD-LSI të rrëzohet. Një pikë mjaft e fortë ku do të mbështetet mazhoranca për të votuar kundër propozimit opozitar do të jetë pikërisht opinioni negativ i Komisionit të Venecias. Por nga ana tjetër, PS pritet të përdorë si argument edhe faktin që ngritja e SPAK dhe BKH është shumë pranë, që do të thotë se edhe vetingu i politikanëve mund të kryhet shumë shpejt nga këto struktura. Vota kundër propozimit të opozitës paralajmërohet edhe tek raporti i përgatitur nga mazhoranca për këtë çështje. “Një sërë pyetjes nuk marrin përgjigje si: Kush do t’i hetojë “politikanët”?!; Çfarë e garanton, që ky organ nuk do të përdoret politikisht?!; Çfarë do të ishte ky organ, Kush do tata krijonte atë”, thuhet në raport. Nga mënyra si është hartuar projektligji konstatojmë se propozimi për vetingun në politikë është “një kostum i ngushtë” për zyrtarët publikë/politikanët, vetingun për të cilët besojmë se duhet ta bëjë drejtësia e reformuar”, thuhet në raportin e shumicës qeveritare. Në momentin që u zbardh drafti i Komisionit të Venecias, u vu re një tërheqje e opozitës, eksponentë të së cilës u shprehën të gatshëm të ulen në tryezë me mazhorancën për të dialoguar për teknalitete. Por sipas burimeve të gazetës, këtë herë është mazhoranca ajo që nuk ka ndërmend të “ulë kokë”. Kur u bë propozimi për veting në politikë, kryeministri Edi Rama u shpreh i hapur për të negociuar me opozitën. Por kjo e fundit kundërshtoi. Ndërsa tani që opozita po kërkon negociata, është Rama ai që kundërshton.

    Opozita gati të rikthehet në Parlament

    Hedhja në votim e vetingut në politikë të enjten e ardhshme pritet të rikthejë edhe opozitën në Parlament. Burimet i thanë gazetës se duke qenë se është propozimi i PD-LSI, opozitarët do ta përdorin si alibi për tu rikthyer në Parlament për ta mbrojtur këtë nismë e për të shpëtuar në këtë mënyrë edhe mandatet e tyre. Ndërsa zyrtarisht, kryetari i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho i tha gazetës se në ditët në vijim do të merret një vendim. Por kjo tregon një lëkundje të qëndrimit të prerë të opozitës që nuk kthehet në Parlament. Ndërkohë, duke qenë se konsensusi mes palëve për vetingun në politikë mungon, PD-PS do të shkojnë në seancë me dy raporte të ndryshme. Në raportin e opozitës theksohet se kjo iniciativë përmbush standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare. “Kufizimi me ligj i të drejtave të caktuara politike përfshirë atyre zgjedhore, është i pranueshëm në një shoqëri demokratike, si një masë që synon mbrojtjen e sistemit dhe vlerave demokratike dhe institucioneve përkatëse nga influencat kriminale në përzgjedhjen e zyrtarëve, politik-bërjen dhe vendimmarrjen”, thuhet në raportin e opozitës. 

    Mimoza Ibra

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here