Artistët: Jemi të abandonuar nga Ministria e Kulturës, me 30 vjet karrierë artistike asnjë vlerësim

0
341

Artistët me dekada jetë artistike në skena dhe me vlerësime nga publiku, por pa vëmendje nga institucionet. Në muajin e fundit të vitit artistët shprehen se po mbyllet me mosvlerësimin ndaj tyre. Me 30 vjet karrierë artistike baritoni i njohur Ylber Gjini shprehet se janë të abandonuar nga Ministria e Kulturës. Sipas tij, sot artistët që prej vitesh zhvillojnë aktivitetin artistik në skena nuk gëzojnë titull. “Ne kemi bërë një luftë të gjatë për statusin artistit dhe sot nuk e kemi. Ju jap një shembull, që të shkojmë ne në Akademinë e Arteve të konkurrojmë duhet të kemi titullin Prof. Asc, por kush na e jep në ketë titull? Në TOB nuk ka? A kemi ne 30 vjet karrierë, por nuk kujtohet askush për ne, as tituj dhe vlerësime moral dhe material. Këto duhet ti bëjë institucioni dhe ministrja e Kulturës, që na ka abandonuar. Ministria e Kulturës për mua ka mbaruar, sepse nuk bëri asgjë nga ato që na premtoi”, pohon në reagimin e tij baritoni Gjini. Më herët përmes një statusi në Facebook baritoni shprehet se artistët duhet të reagojnë, pasi në kushtet që janë sot nuk e dinë se në cilin grup interesi hyjnë. “Kjo është një temë shumë serioze për të reaguar. Në cilën grup interesi hyjnë artistët e TOB? Administratë; arsimtarë; pedagogë; doktorë infermierë; ushtarakë, policë? Pra siç e shikoni ne nuk përfshihemi në asnjë nga këto grupe, të cilët përfitojnë ngritje rrogash. Artistët janë lënë në dorë të Ministrisë të Kulturës si me qenë haremi i saj, të mbetur rrugëve pa status, pa ligj për artin edhe pa vëmendjen e qeverisë, që në këtë vend egzistojnë edhe disa artistë që kanë kryer Universitetin e Arteve dhe janë të diplomuar aty”, shprehet baritoni Ylber Gjini. Problem sipas tij mbetet dhe fakti që në kushtet që janë sot nuk kanë asnjë mundësi për të marrë titull. “Artistët kryejnë aktivitetin e tyre në TOB, që ka mbetur nën varësi të MK. Që nuk gëzojnë asnjë të drejtë për të qenë pjesë e trupës pedagogjike të Universitetit të Arteve, sepse atë e ka Ministria e Arsimit. Ministria e Arsimit nuk na njeh neve fare dhe as e ka idenë se çfarë arti bëjmë ne. Që të bëhesh pjese e stafit pedagogjik të Universitetit të Arteve duhet të kesh marrë titullin Asc. Ku ta marrim ne këtë titull? Kush të na i akordojë?”, vijon baritoni Gjini. Në statusin e tij ai shkruan se artistët po përballen me padrejtësi. “Ne që kemi bërë një karrierë si solist Opere prej 30 vjetësh na takon të jemi pjesë e mësimdhënies? Po si mundet të bëhet kjo? Ne duhet të kemi titullin Asc. po këtë kush do ketë nderin të na i japë? Ka edhe shumë padrejtësi të tjera që bëhen në kurriz të këtij komuniteti duke i quajtur artistët punonjës arti etj”, vijon baritoni Ylber Gjini.

Artistët të jenë të respektuar

Për të gjitha këto probleme baritoni shprehet se artistët duhet të jenë të përfshirë në këtë debat për të dhënë mendimin  tyre, duke shtuar se nuk duhet të jenë peng i askujt. “Për këto probleme unë kam mendimin, që ka dy zgjidhje. 1-Statusi i artistit; 2-Kalimi i TOB nën juridiksionin e Ministrisë së Arsimit që të paktën kjo ministri të na gjejë një emër edhe të jemi brenda sistemit të shkollës, që kemi bërë. Edhe të përfitojmë statusin, që na afron kjo ministri duke përfshirë edhe atë të mësimdhënies. Unë dëshiroj, që ta hapim këtë debat që edhe ne të jemi të qartë se kujt grupi i takojmë. Ne e kemi një identitet të nderuar edhe të respektuar, që e kemi krijuar me përkushtimin tonë në skenë. Prandaj nuk duhet të mbahemi peng i askujt”, vijon baritoni Gjini. Edhe sopranoja e njohur Eva Golemi shprehet se me 23 vjet karrierë si soliste në skena të ndryshme dhe me kryerole ka munguar vlerësimi nga institucionet. “Status i artistit mungon, ka qenë premtuar dhe deri më sot nuk e kemi. Ne nuk marrim dot as titullin, kemi mbi 20 vjet në skenë dhe nuk marrim dot titull. Unë si soprano dhe pse jam me vlerësime në botë nuk kam asnjë titull, që me kurrikulumin që kam duhet ta kisha. Ne jemi të pambrojtur, sepse nuk kemi status të artistit, ky është problemi. Unë kam shëtitur gjithë botën dhe vetëm për familjen time unë qëndrova në Shqipëri. Dhe pse duhet të jem “dënuar” meqë jetova këtu dhe nuk marr asnjë titull, medalje, përpos kurrikulumit që kam, ku 23 vjet kontribuoj në skenën shqiptare si dhe me 33 role të para si soprano”, shprehet në reagimin e saj sopranoja e njohur.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here