Dokumentet e CIA, ja si Jugosllavia dërgoi armë dhe pajisje ushtarake në Shqipëri më 1946, në dhjetra zona pati rezistencë ndaj regjimit komunist

0
660

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi situatën pas çlirimi të Shqipërisë nga nazistët. Sipas tyre, pas lidhjes së marrëveshjes dhe bashkëpunimit me jugosllavët, këta të fundit nisën të furnizojnë vendin me armë luftarake. Po ashtu tregohet se shumë shqiptarë rezistuan përballë regjimit komunist.

Tetor 1946

Informacione ushtarake

Dërgesa të mëdha armësh dhe pajisjesh ushtarake janë transportuar me kamionë nga Mitrovica e Prishtina në drejtim të Shqipërisë, në ditët e fundit të gushtit dhe javët e para të shtatorit. Shumica e armëve ishin prodhim gjerman. Gjithashtu fabrika tekstile e Gerdelicës ka marrë porosi të mëdha për mallra ushtarake, të cilat janë dërguar tashmë në kufirin me Shqipërinë dhe Greqinë. Dërgesa të mëdha rrobash dhe këpucësh kanë ardhur në Mitrovicë nga një fabrikë në Pancevo në periferi të Beogradit. Mallrat, të cilat mbanin simbolin e yllit të kuq, janë marrë në dorëzim nga zyrtarë grekë e shqiptarë. Gjatë gjysmës së parë të shtatorit, një numër trupash ushtarake (rreth dy ose tre divizione të vogla) janë zhvendosur në jug të Prishtinës, Shkupit e Tetovës. Sipas disa oficerëve, këto njësi do të zëvendësojnë rojet kufitare, por vetë ushtarët nuk e besonin këtë. Trupat ishin të pajisur keq dhe nuk mbanin simbole në veshjet e tyre. Komisione ushtarake ruso-jugosllave kanë inspektuar Raskën e Mitrovicën. Meqënëse terreni është i përshtatshëm për fluturime, supozohet se instalacionet do të mbajnë armë të lëshuara nga avionët. Aktualisht puna është përqendruar te hapja e tuneleve. Instalime anti-ajrore janë ndërtuar në afërsi të Shkupit, të cilat supozohet të jenë për stërvitje. Fusha ajrore e Shkupit është e gatshme për të pritur dy ose tre grupe të reja avionësh. Lëvizje trupash janë pikasur në Kicevo, Debat e Prilep, të cilat besohet se janë batalione pune me të burgosur politikë. Sipas raportimeve ato mund të jenë njësi greke të stacionuara për disa kohë në jug të Serbisë.

Pakënaqësia ndaj Hoxhës

Informacionet mbi masën dhe cilësinë e rezistencës guerile në Shqipërinë janë të vështira për t’u gjetur, po aq sa dhe ato mbi regjimin. Por informacionet kanë pasur një rritje kohët e fundit kështu që mund të përcaktojmë një rrjedhë të përgjithshme. Në mes të vitit 1948, raportohet se kundërshtimi i heshtur ndaj regjimit të Hoxhës mbizotëron në rreth 80% të popullatës. Faktorët që bëjnë të mendosh këtë janë shtypja ndaj rezistencës tradicionale të zonave malore, persekutimi i regjimit ndaj të gjitha besimeve fetare. Gjendja e rëndë ekonomike në vend, mungesa e prestigjit e liderëve politikë e ushtarakë dhe sigurisht një urrejtje e gjerë e sllavizmit në përgjithësi. Shumica e rezistencës aktive gjendet në zonat malore qendrore e veriore, mes gegëve katolikë, të cilët i konsiderojnë rivalët e tyre Toskë si përgjegjës të tokave të jugut. Kështu që faktorit negativ të antagonizmit mes policisë së regjimit dhe komuniteteve fisnore, i është shtuar faktori pozitiv i armiqësisë etnike. Raportet aktuale i referohen vetëm përciptas rezistencës në jug të Shqipërisë. Asnjë prej raportimeve mbi këto grupe nuk flet për armët ata zotërojnë, por supozohet të përdorin mjete të vjetra si mushqeta ose disa armë të lehta perëndimore të mbetura nga lufta. Municionet gjithashtu besohet të jenë të pakta. Për ushqim, grupet guerile pa dyshim mbështeten në dashamirësinë e njerëzve të malit. Në këto rrethana duket se me shumë gjasa rezistenca kundër regjimit është e kufizuar vetëm në veprime ngacmuese, pa pasur mundësi të kontrollojnë territore apo qendra komunitetesh.

Rezistenca në Diasporë

Të gjithë anëtarët e mbijetuar të klasave të mesme e të larta të Shqipërisë tashmë janë larguar nga vendi. Grupet përbëhen nga tregtarë, artizanë, profesionistë dhe disa pronarë tokash. Shumica e tyre është dejonizuar prej bashkëpunimit disa më pak e disa më shumë, me gjermanët, gjatë luftës; shumica e tyre mbeten në Evropë dhe jetojnë në varfëri ose me ndihma bamirësie. Qendra të shqiptarëve të larguar janë krijuar në Itali, Greqi, Egjipt dhe në SHBA. Me përjashtim të atyre në SHBA, të emigruarit ndahen kryesisht në 3 grupe politike: Zogistët apo Legaliteti, i cili gjendet në Kajro rreth vetë mbretit Zog, i krijuar në vitin 1043 nga aktivisti Gegë Abas Kupi. Kurse Balli Kombëtar ka shumicën e anëtarëve në Itali, të përhapur edhe në Greqi dhe më pak në Lindjen e Afërt, i themeluar në vitin 1942 nën kryesimin e Mit’hat Frasheri. Ndërsa, Blloku Kombëtar i Pavarur është një grupim republikan, anti-Italian, kryesisht i majtë e reformist, fuqimisht anti-komunist, i themeluar në Itali më 1947 nga kolaboracionistët e fashizmit me në krye Ismail Verlaci bir i ish-kryeministrit … Shefcint. Grupi ka natyre konservatore dhe kapitaliste. Megjithse Balli dhe Blloku botojnë gazeta në Itali, asnjë prej tyre nuk përballon dot një botim të rregullt. Ka gjithashtu një broshurë liberale shqiptare në Londër nga Tajar Zavalani

dhe Dervish Duna, me disa ndjekës në Turqi; kemi edhe një Komitet të Kosovarëve të drejtuar nga Xhemal Deva. Deri në ndarjen e Titos nga Cominform (Zyra e Informacionit të vendeve Komuniste) në vitin 1948, tre grupet kryesore, megjtihse kishin të përbashkët urrejtjen ndaj regjimit të Hoxhës dhe ndaj pretendimeve territoriale greke në jug, ishin vazhdimisht antagonistë ndaj njëri-tjetrit, dhe çështja institucionale ishte pika kryesore e debatit mes tyre; republikanët e Ballit Kombëtar propozonin se sipas rezultateve të referendumit pas çlirimit të vendit nga komunistët, nj qeveri që përfaqësonte çdo grup të vinte në pushtet. Blloku Kombëtar kishte simpati për monarkinë, vetë monarkistët kërkonin rikthimin e Zogut, por linin të kuptohej se pranonin referendumin

Balli Kombëtar

Të tjera çështje ishin programi reformist i Ballit, që nginte dyshime të dy grupet e tjera, apo dhe pretendimet territoriale ndaj Kosovës që kishte grupimi i Zogut. Liderët e Ballit dhe të Bllokut mund t’i toleronin këto çështje për momentin. Ishin gjithashtu përplasjet e karaktereve që ndalonin bashkimin e grupeve. Gjatë viteve 1947 e 1948, Zog tregoi iniciativa drejt bashkimit, dhe propozoi formimin e një komiteti të çlirimit kombëtar, me kusht që të gjithë të pranonin: 1. Mbajtjen e referendumit pas njohjes së qartë nga liderët e tre grupeve të kushtetutës së vitit 1928, ku Shqipëria njihej si monarki; Që liderët e grupeve të punonin për rivendosjen në Shqipëri të të larguarve, pas çlirimit të Shqipërisë. Të ndalohej propaganda anti-Zog mes refugjatëve.

Pika e parë dhe pika e tretë duket qartë që nuk ishin realiste, kurse e dyta u konsiderua si një tentativë e Zogut për të sjellë të gjithë refugjatët në një zonë në mënyrë që ai t’i kontrollonte. Thuajse në të njëjtën kohë, Zogu dërgoi përfaqësues në ambasadën amerikane në Kairo për të deklaruar qëllimet e tij miqësore në lidhje me Greqinë. Të dërguarit thanë se Zogu ishte gati të formonte “Qeverinë e Lirë Shqiptare”, nga e cila do të përjashtoheshin refugjatët që kishin bashkëpunuar me fashistët he gjermanët. Ata thanë gjithashtu se Zog ishte i përkushtuar ndaj parimit të referendumit. Më tej u fol për ndërmjetësimin britanik e amerikan në debatet greko-shqip[tare, por përpjekja ogu dëgjoi se ministri grek në Romë po diskutonte me Frashërin dhe ndjekësit e tij; domethënë kur Zog kuptoi se nuk do të kishte kontroll të plotë të lëvizjes së bashkuar të diasporës.

5 shtator 1952

Plani operacional për Shqipërinë, Charity

Korrespondecë nga shqiptarët në Jugosllavi: Bashkangjitur kemi dy letra të dërguara më 21 dhe 22 gusht 1952, nga informatori në Sabac, Jugosllavi. Shkruesi informon burimin se ai dhe … kanë nisur punë respektivisht si mekanik dhe elektriçist në fabrikën e kimikateve Zorka në Sabac, për të plotësuar të ardhurat mbi 3000 dinarët e përmuajshëm që marrin nga qeveria jugosllave, të cilët nuk mjaftojnë për të gjithë nevojat. Gjithashtu siç iu shpjegua atyre nga kolonel Cedi Mijoviç, të gjithë duhet të punojnë për ta kthyer në një sukses programin socialist. Në letrën e 21 gushtit ai shpjegon mbi misionin e grupit me gjashtë njerëz të Jugosllavisë në Shqipëri. Ded Pjetra, i cili ka vrarë një rreshter dhe një major komunist te Ura e Mesit, bashkë me një mirditor, raportohen të jenë ende gjallë dhe ende nuk janë kthyer në Jugosllavi. Hilë Sllaku, Shpend Bushati (ish-agjent shqiptar i sigurimit që dezertoi në Jugosllavi në shkurt 1951) dhe një i tretë i paidentifikuar janë vrarë në Shqipëri. Disa ditë para letrës së tij, një tjetër mision që përfshinte edhe Pjetër Smaili, ka hyrë në Shqipëri.

Detajet

Në letrën e tij të dytë, kryesisht me anë të konfirmimit të informacioneve të mëparshme, por për fat të keq pa specifikuar datat apo rrethanat e veçanta, shkruesi jep informacionin e mëposhtëm në lidhje me individët e përmendur: Kanë arritur në Shkup vëllezërit Ndue, Pal e Martin Lala, një bir i Gjergj Nikol Ndreut dhe tre persona të paidentifikuar nga Kruja; Janë vrarë Gjergj Kol Ndreu dhe i biri Zef; Jak Lala; dy bijtë e Gjon N. Ndreut Kole e Mark; i biri i Llesh Gjok Lalës, Pjetër; dhe Geg Zef Hyseni.; Janë plagosur ose kapur nga armiku Gjon Lale Piroli; Pjetër Mark Ndoja; Gjon Ndue Perjaku, dhe një tjetër individ që më vonë vdiq; I gjithë grupi i mësipërm u tradhtua në Mamurras nga Gjin Gara nga Perlati.

Vdekja e 15 personave

Letra më tej vazhdon të raportojë se më 11 gusht Pjetër Kimza, Dom Zef Oroshi, Frrok N. Jaku, Kol Perdoda, Ndue Jak Zefi dhe pesë individë të tjerë të paidentifikuar arritën në Jugosllavi. Anëtarët e një grupi tjetër me dhjetë persona që ishin drejtuar për në Jugosllavi nga Pjetër Cup Qafa, raportonin për vdekjen në Shqipëri të 15 individëve duke përfshirë: Llesh Kajzu. Frrok Z. Peshku, Prend Ndue Marku, Ndue Llesh Frroku, Zef e Dodë Coku, Marka Pjetër Gjini, Llesh Froku, Zef Marka Tuci. Thuajse të gjithë liderët e rezistencës në Shqipëri janë arrestuar ndërsa Llesh Frrok Geci, Preng Gjok Deda e të bijtë, dhe Osman Vera janë dorëzuar të forcat qeveritare. Shkruesi raporton se sipas opinionit të tij jugosllavët e kanë shkatërruar qëllimisht organizatën e mbështetur në Shqipëri.

7 shkurt 1952

Raport i përmuajshëm aktiviteti

Aktivitetet e degës tonë për infiltrimin e agjentëve dhe furnizimet këtë muaj janë penguar nga dimri ballkanas, i cili i ka bërë të papraktikueshme operacionet në Shqipëri. Janë bërë disa tentativa për infiltrim të grupeve me katër agjentë në zonat juglindore të vendit, për të përcaktuar reagimin ndaj lëshimeve të furnizimeve dhe propagandës, të hedhura në dhjetor, por u vendos të shtyhej operacioni deri në thyerjen e motit të ftohtë. Depërtimet ajrore në vend kanë qenë të suksesshme, duke u hedhur nga ajri furnizime dhe 200 000 pamfleta propagande në Tiranë dhe në veri të Shqipërisë më 21 janar. Në frontin politik, Radio Shqipëria e Lirë vazhdon transmetimet e përditshme dhe gazeta Shqipëria vazhdon të botohet, por tashmë nga Roma dhe jo nga Nju Jorku. Ndryshimi i vendndodhjes besojmë se ka sjellë cilësi më të mirë dhe një pamje më të freskët nga pikëpamja gazetareske. Brenda në Komitetin Kombëtar, presioni ynë për zgjerimin e bazës politike ka vazhduar.

Informacionet e agjentëve

Kohët e fundit morëm një letër të shkruar me bojë nga grupi ynë i katër agjentëve që operon në Kukës në veri të Shqipërisë. Në letër këshillohet që katër anëtarët e grupit të kalojnë dimrin në Prizren të Jugosllavisë, dhe të kthehen në Shqipëri në pranverë. Ata kërkuan, dhe po u dërgohet ushqim dhe para për të kaluar dimrin në Jugosllavi. Një grup prej tre agjentësh të lëshuar në Shqipërinë qendrore në tetor, nuk kemi asnjë informacion. Në sektorin e luftës psikologjike, kemi vazhduar transmetimet sipas programit të radios klandestine Zëri i Shqipërisë së Lirë, nga stacioni pranë Athinës. Në edicionin e tretë të publikimit të organit të NCFA, shkruhet për zotimin e Jugosllavisë e Greqisë për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, dhe për pranimin në parim të Italisë. Ky lajm mori vëmendje të konsiderueshme në shtypin perëndimor. Letra e NCFA botohet në mënyrë të parregullt në gjuhët angleze, franceze dhe italiane. Në 21 janar kemi lëshuar një ngarkesë me furnizime dhe propagandë në veri të Shqipërisë, në qytetet e Shkodrës, Kukësit, Burrelit dhe Tiranës. Furnizimet përmbanin 900 kanaçe me ushqime të thjeshta dhe 250 qese me nga 300 gramë miell secila.

Lëshimi i broshurave

Një mision për lëshime fletushkash këtë muaj u kombinua me lëshimin e furnizimeve të propagandës për arsye të kushteve të këqija të motit. 200 000 broshura të palosura dhe 5000 koje të Shqipëria u lëshuan, teksa me përmirësimin e motit do të nisin lëshimet edhe në zonën jugore të vendit. Në zhvillimet politike përmndim, Ishan Toptanin i Komitetit të Shqipërisë së Lirë, i cili mori pjesë në takimin e lëvizjes evropiane të mbledhur me 20 janar në Londër. Lidhja shqiptare e azilantëve politike në Jugosllavi e formuar më 10 maj 1951, raportohet të ketë nisur shpërndarjen e publikimit të ri “Flamuri i Lirisë” e cila në dukje mbështet përpjekjen e shqiptarëve kundër tiranisë së qeverisë Hoxha. Kemi pasur disa raportime për diferenca mes veprimit të oficerëve tanë dhe atyre britanikë, duke sinjalizuar se britanikët mund të jenë duke ndjekur një politikë unilaterale veprimi në lidhje me Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë.

3 maj 1949

Operacionet e inteligjencës në Shqipëri nga Italia e Greqia

Aktualisht dega e jashtme është e angazhuar në dy operacione inteligjence kundër Shqipërisë dhe do të nisin një të tretë gjatë muajit qershor. Detajet e tyre listohen më poshtë:

Plani I

Operacione të përbashkëta me inteligjencën detare italiane për infiltrim të grupeve të inteligjencës në Shqipëri në rrugë ajrore. Organizata u kontaktua nga inteligjenca detare italiane në pranverën e vitit 1948 me propozimin për operacione të përbashkëta inteligjence në Shqipëri. Në korrik 1948, u dha aprovimi final për përkushtimin tonë në operacion, ku përfshihet edhe dhënia e një avioni C-47 për lëshimin e personelit dhe furnizimeve. Një oficer i shërbimeve italiane të inteligjencës ka punuar bashkë me grupin për zhvillimin e operacionit. Avioni C-47 erdhi në tetor 1948 dhe furnizimet e tjera u siguruan nga Gjermania e Zvicra. Anëtarët e grupit u rekrutuan nga kampe refugjatësh në Itali dhe në Greqi, dhe transporti i sigurua nga CIA. Agjentët e dërguar në Shqipëri do të kontaktojnë me lëvizjet lokale të rezistencës me anë të liderëve të tyre, të identifikuar në memorandumet të datës 18 janar. Të gjithë individët janë kontrolluar në skedarët e CIA për informacione denigruese. Shqiptarët janë zgjedhur për arsye të lidhjeve të tyre familjare në rajonet qendrore të Elbasanit e Mirditës, ku është raportuar më parë për ekzistencën e grupeve të rezistencës. Në grupe përfshihen agjentë të besimeve myslimane dhe katolike. Lideri shqiptar në Itali i cili ka punuar në matinën italiane dhe CIAn, është Ismail Verlaci.

Infiltrimi i agjentëve

Objektivi i parë i planit është infiltrimi i agjentëve nga ajri, të cilët të pajisur mjete transmetimi radio do të vendosin kontakte me grupet vendase të rezistencës, për të mbledhur informacione. Fillimisht ata do të vëzhgojnë situatën lokale dhe do të vendosin një bazë komunikimesh dhe marrjes së furnizimeve të lëshuara nga ajri. Objektivat e inteligjencës janë caktuar nga Uashingtoni, duke përfshirë dhe informacionin e dëshiruar mbi grupet e rezistencës, kushtet e brendshme politike dhe instilacionet ushtarake të mbrojtjes. Plani ka hyrë në fazën operacionale në shkurt 1949, kur katër agjentë në dy grupe me mjete të veçanta radio, u lëshuan në kushte perfekte të motit në pikën e dëshiruar të Serrisht, në Mirditë. Agjentët ishin Alush Lleshakanu e Xhevdet Bloshmi të grupit të parë, dhe Ndue Gjonmarkaj e Ndue Mlyshi në grupin e dytë. Shyqyri Biçaku dhe Kolë Çuni ishin pjesë e grupit të dytë mbështetës, por po mbahen në rezervë për arsye shëndeti të keq. Ende nuk është vendosur kontakt radio me dy grupet e para. Një fluturim në kushte të mira moti u krye mbi Shqipëri natën e 12 prillit por nuk u vërejt asnjë sinjal në zonën e caktuar, sipas planit paraprak. Më 24 prill Ismail Verlaci mori një kabllogram komercial nga Kastoria në Greqi, të nënshkruar nga Lleshanaku, ku thuhej se ai dhe Blloshmi kishin arritur mirë në Kastoria. Më 28 prill ai mori telegramin se dy agjentët kishin arritur në Athinë, ku menjëherë u vunë në kontakt me qendrën tonë atje për dhënie të informacioneve.

Plani II

Një tjetër plan po përgatitet aktualisht në Itali dhe pritet të hyjë në fazën operacionale në qershor. Aktualisht agjentët, që me shumë gjasa do të lëshohen nga ajri, duket se nuk kanë shumë mundësi për propagandë apo krijim rezistence. Nëse në të ardhmen potenciali i tyre rritet, dega e OPC do të informohet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here