I riu mashtron 8 vite agjencinë kosovare të inteligjencës

0
398

Autoritetet në Kosovë thanë sot se 26-vjeçari nga Prishtina, Edmond Jetullahu përmes falsifikimit të dokumentit për vite me radhë, dyshohet se tetë vjet më parë u vetë punësua në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) çka i ka siguruar qasje në dokumente sekrete të institucioneve. Jetullahu, i cili u arrestua të martën nga Policia e Kosovës, dyshohet për kryerjen e veprave penale të Spiunazhit, Prezantimit të Rremë dhe Falsifikimit të Dokumenteve. Agjencia vendase Insajderi ka siguruar aktvendimin për fillimin e hetimeve ndaj Jetullahut, ku thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Jetullahu ka kryer tri veprat penale të spiunazhit, falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të rremë.  Në vitin 2010, Jetullahu dyshohet se kishte përpiluar dokumentin e falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal. Përmes këtij dokumenti, ai në mënyrë të rreme kishte krijuar marrëdhënie pune me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Ishte vetëpunësuar si udhëheqës i planeve strategjike për mbrojtjen e vendit. “I pandehuri Edmond Jetullahu, me datë 01.12.2010 ka përpiluar dokumentin e falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal me të cilin kinse e ka themeluar marrëdhënien e punës në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës me pozitë Udhëheqës i planeve strategjike për mbrojtjen e vendit”, thuhet në aktvendimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, raporton Insajderi. Jetullahu dyshohet se kishte arritur të merrte të dhënave, të fotokopjonte, të fotografonte, apo të merrte të dhëna nga zyrtarë të tjerë të shtetit “me qëllim që t’i komunikohen apo t’i dorëzohen shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit i cili u shërben këtyre” Gjatë tërë kësaj periudhe gati 8 vjeçare, Edmond Jetullahu kishte shfrytëzuar dokumentin e falsifikuar për t’u prezantuar si zyrtar i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në mënyrë të rrejshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here