Europa Nostra “kryqëzon” Kumbaron, restaurimi i 12 kishave në Korçë jashtë standarteve, rehabilitimi kushton 4.3 mln euro

    0
    353

    Ekspertët europianë kanë publikuar raportin për rehabilitimin e monumenteve pas-bizantine në Voskopojë e Vithkuq. Raporti teknik dhe financiar, që përmban një plan veprimi për të restauruar dymbëdhjetë ndërtesa religjioze pas-bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq në rajonin e Korçës është përgatitur nga “Europa Nostra”, organizata kryesore e trashëgimisë në Europë dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve. Sipas raportit, projekti i përgjithshëm i rehabilitimit për dymbëdhjetë ndërtesa fetare vlerësohet të kushtojë rreth 4.3 milionë euro. Ndërtesat fetare u listuan ndërmjet 7 Më të Rrezikuara Vendet Trashëgimi në Europë në vitin 2018 (7 Most Endangered heritage sites in Europe in 2018), pas një nominimi të bërë nga fondacioni “E Shkuara për të Ardhmen”. Në raportin e ekspertëve europianë kritikat shkojnë dhe për institucionet përgjegjëse, Ministria e Kulturës dhe IMK, ku ka munguar një program strategjik. Kishat përfaqësojnë një formë të re dhe unike arkitekturore të basilikës, duke kombinuar traditat bizantine dhe otomane, afresket janë më përfaqësueset e artit kishtar të shekujve 17, 18 në Ballkan dhe janë kryevepra të stilit pas-bizantin dhe meritojnë të restaurohen jo vetëm si trashëgimi, por për përfitime të turizmit. “Këto kisha janë të veçanta për nga historia dhe forma e tyre dhe përmbajnë vepra arti të mrekullueshme të cilat meritojnë të restaurohen si trashëgimi kulturore si dhe për përfitimet e mundshme të turizmit në këtë rajon të pazhvilluar”, shkruan raporti. Raporti i ekspertëve europianë ku kritikat shkojnë dhe për Ministrinë e Kulturës, vëren se puna që është bërë nuk ka qenë në standardin e kërkuar. “Shumica e dymbëdhjetë ndërtesave kanë pasur disa restaurime thelbësore mbrojtëse të ndërmarra kohët e fundit. Financimi dhe burimet kanë qenë të kufizuara dhe punët e kryera duket se janë përshtatur pasi burimet janë bërë të disponueshme, në vend që të ishin pjesë e një programi të strukturuar afatgjatë. Megjithatë, veprat duket se janë bërë në mënyrë racionale duke u kushtuar vëmendje fillestare mbrojtjes, duke riparuar strukturat e çatisë dhe gjithashtu në tërësinë kryesore strukturore të ndërtesave. Ndërsa shumë punë të dobishme janë ndërmarrë, jo gjithçka ka qenë në standardin e lartë të pritshëm për këto monumente të jashtëzakonshme”, vëren raporti.

    Veprimet dhe rekomandimet   

    Për gjendjen që janë kishat, sipas ekspertëve krijimi i një programi të përgjithshëm është veprimi i parë. “Një program strategjik duket që mungon. Kujdes duhet të vendoset në zhvillimin e një programi të tillë racional në mënyrë që të sigurohen fondet dhe të planifikohen e programohen në mënyrë optimale. Një rivlerësim i tillë strategjik dhe krijimi i një programi të përgjithshëm propozohet si një veprim i parë”, shkruan raporti. Për ekspertët e huaj, Kisha Ortodokse, Bashkia e Korçës, përfaqësuesit lokalë të fshatit dhe ekspertët vendorë duhet të të angazhohen më aktivisht.  “Një formë e kontakteve të strukturuara, për shembull nëpërmjet një komiteti koordinues nën drejtimin e Institutit të Trashëgimisë Kulturore (ITK), do të ishte e dobishme për të përmirësuar vendim-marrjen dhe për të përfshirë vendorët më afër me programin”, shprehen ekspertët e huaj. Disa çështje teknike ku ka pasur mangësi (p.sh. përmbytjet e kishave, riparimet e dobëta të çative, programimi i punimeve – çarjet serioze, ndërsa bëheshin riparimet e çative), sipas ekspertëve kërkojnë rishqyrtim dhe përmirësim për të shmangur ripërsëritjen. “Rekomandohen përmirësimi i përzgjedhjes së kontraktuesve, specifikime më të prera dhe mbikëqyrje më e fuqishme në vend”, vijon raporti. Ekspertët e huaj shprehen se restaurimi i afreskeve përfaqëson më shumë se 70 përqind të punës së re, por kërkohen trajnime. “Deri tani restaurimi i afreskeve është kryer nga ekipi i vogël i dedikuar brenda Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Korçë. Rekomandohet rritje e aftësive për të përmirësuar teknikat e restaurimit, pasi vërehen disa dobësi. Një formë trajnimi ose workshop-e të strukturuara nga ekspertë të jashtëm do të ishin shumë të dëshirueshme”, shprehen ekspertët e huaj. Përpjekje duhet të bëhen për të siguruar që financimi përmes mekanizmave të ndryshëm të disponueshëm nga Bashkimi Europian dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) të përdoren për të mirën e projektit. Projekti duhet të integrohet në strategjinë e zhvillimit të Korçës në nivel më të gjerë. Sipas raportit, projekti i përgjithshëm i rehabilitimit për dymbëdhjetë ndërtesa fetare vlerësohet të kushtojë rreth 4.3 milionë euro, ku janë llogaritur dy alternativa, përkatësisht një fazë prioritare për tre kisha që kushton 1.4 milionë euro dhe një program për të gjitha kishat e Voskopojës e Vithkuqit me 2.5 milionë euro.  

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here