Këshilli i Europës jep alarmin: Pushtetarët e korruptuar në Shqipëri të përfshirë dhe në pastrim parash, presim dënime e sekuestrime pronash

0
339

Ndërkombëtarët kanë dhënë alarmin sa i takon pastrimit të parave në Shqipëri. Dje Moneyval, pjesë e Këshillit të Europës, ka prezantuar raportin për Shqipërinë, ku janë evidentuar një sërë problematikash. Sipas ekspertëve të KiE, vendi ynë ka punuar për të luftuar pastrimin e parave, por ende mbetet një fenomen shqetësues. Sipas raportit, elementi që ndikon më tepër në pastrimin e fitimeve të veprave kriminale është korrupsioni. Sipas tyre, ka shumë zyrtarë të korruptuar që janë të lidhur dhe me botën e krimit, dhe të përfshirë në pastrim parash. “Korrupsioni është një nga rreziqet kryesore që nxisin pastrimin e parave në Shqipëri. Shpesh i lidhur me aktivitete të krimit të organizuar, korrupsioni gjeneron shuma të mëdha përfitimesh kriminale dhe minon seriozisht funksionimin e drejtësisë. Autoritetet janë të ndërgjegjshme për rreziqet e korrupsionit, por deri tani i kanë kushtuar vëmendje të kufizuar pastrimit të parave të lidhura me korrupsionin”, thuhet në raport. Më tej deklarohet se një reformë e rëndësishme në sistemin e drejtësisë është duke u kryer aktualisht për të përmirësuar zbatimin e ligjit mbi rreziqet e korrupsionit, i cili është i përhapur gjerë në vend. Në raport grupi Moneyval u bën thirrje autoriteteve shqiptare të shtojnë përpjekjet për dënimin e personave të përfshirë në pastrim parash dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, sidomos në lidhje dhe me financimin e terrorizmit. “Moneyval pranon se autoritetet shqiptare i kanë të qarta rreziqet për ndikimin e pastrimit të parave në ekonominë formale dhe rolin e mekanizmave kombëtare të koordinimit për politikat e adresimit të këtyre rreziqeve. Por megjithatë mekanizmat ende nuk kanë rezultuar plotësisht efektive dhe ka disa fusha që do të përfitonin nga një analizë më e detajuar e rreziqeve ekzistuese”, thuhet në raport.

Hetimet

Në raportin e KiE për Shqipërinë kërkohet që të rritet numri i personave të hetuar dhe të dënuar për pastrim parash. “Autoritetet përgjegjëse përdorin sistematikisht raportet e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe burime të tjera informacioni për të ndihmuar në hetimet e tyre të pastrimit të parave dhe shkeljet e lidhura me to, apo dhe financimet e terrorizmit. Hetime paralele janë bërë për çështjet e pastrimit të parave, por këto hetime rrallëherë rezultojnë në ndjekje penale apo hetime të pastrimit të parave në shuma të konsiderueshme. Këto të fundit shpesh pezullohen apo anulohen nga prokuroria”, shprehet Moneyval. Raporti thotë se Shqipëria ka një kuadër të fortë ligjor për konfiskimin e aseteve kriminale, por numri dhe vlera e aseteve të konfiskuara nuk është në proporcion me nivelin e lartë të kriminalitetit në vend. Në lidhje me financimet terroriste, Moneyval thekson se perceptimi i risqeve të lidhura me to, nuk reflekton saktë karakteristikat e aktiviteteve të mundshme terroriste në vend dhe në rajon. “Nuk ka një qasje sistematike për hetimin dhe identifikimin e aspekteve financiare të lidhura me shkeljet e terrorizmit. Në lidhje me zbatimin e sanksioneve financiare ka mangësi teknike që dëmtojnë efektivitetin e masave”, thuhet më tej. Raporti thekson se Banka e Shqipërisë ka një ide të qartë të rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe kohët e fundit ka përforcuar sistemin e saj të raportimit në lidhje me vlerësimin e riskut për entet individuale.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here