Mazhoranca goditje Ilir Metës, vendos rrëzimin e dekreteve për Tushën dhe buxhetin, del kundër emërimit të bashkëshortes së Tavos në BSH

0
292

Mazhoranca qeverisëse ka vendosur t’i përgjigjet me të njëjtën monedhë presidentit Ilir Meta. Ky i fundit mbajti peng dy javë Sandër Lleshajn, ndërsa ditët e fundit i ka dhënë goditje të vazhdueshme qeverisë. Por këtë javë socialistë kanë vendosur që të “hakmerren”, pasi do të rrëzojnë dekretet e Metës për kreun e KLSH dhe ndryshimin në buxhet. Dje u mblodh grupi parlamentar dhe aty u diskutua mbi qëndrimet që do të mbajë mazhoranca gjatë kësaj jave, duke qenë se mbyllet sesioni parlamentar. Në grup u vendos që të rrëzohet propozimi i Metës për emrin e Vitore Tushës kryetare të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas informacioneve të gazetës, mazhoranca në argumentet që do të japë do përqendrohet te roli i saj në sistemin e drejtësisë. Dje u shkarkua nga detyra Bashkim Dedja dhe pas këtij vendimi, Tusha mbetet anëtarja e vetme e Kushtetueses dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Socialistët kanë rënë të gjithë dakord se largimi i saj pengon KED dhe për këtë arsye dekreti i Metës do të refuzohet. Sot në mesditë do të mblidhet Komisioni i Ekonomisë, i cili pritet ta rrëzojë dhe ta dërgojë dekretin në seancë plenare. Diçka të tillë e paralajmëroi në një dalje për mediat dhe kreu i grupit të PS, Taulant Balla. “E kemi vlerësuar personalitetin e Vitore Tushës, por vlerësojmë që prezenca e saj të jetë në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”, tha Balla.

Gara në BSH

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, dje është diskutuar dhe për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Sot Komisioni i Ekonomisë do të nisë seancat dëgjimore me kandidatët, ndërsa në grup ka pasur debate për kandidaturën e Suela Popës. Në Këshillin Mbikëqyrës do të futen 6 emra, ku 3 propozohen nga qeveria e 3 nga Parlamenti. Qeveria propozoi si anëtarë: Ridvan Boden, Suela Popën dhe Edlira Luçin. Por dje në grup ka shkaktuar debate kandidatura e zonjës Popa, e cila dikur ka mbajtur postin e AZHBR dhe njëkohësisht është bashkëshortja e deputetit të LSI, Vangjel Tavo. Dje në mbledhje grupi i pari që ka reaguar ka qenë Bashkim Fino, i cili është shprehur se Popa nuk mund të emërohet në atë post. Në mbështetje të tij kanë dalë dhe deputetët e qarkut të Gjirokastrës, të cilët e njohin nga afër Vangjel Tavon. Ata janë shprehur se sa kohë që Popa ishte në krye të AZHBR ka pasur vetëm skandale. Sipas tyre, PS është zotuar në publik se do i shkarkojë abuzuesit dhe nuk mundet që t’u japë poste të larta. Pas këtyre diskutimeve janë dhënë sinjale se gjatë votimit në Parlament do të rrëzohet emri i saj. Ndërkohë dje janë bërë publike dhe kandidatë e Kuvendit për në BSH, të cilët janë: Juristi Artan Hoxha, ish-ministri i Financave Arben Malaj, si dhe pedagogia e Ekonomisë Luljeta Minxhozi.

Dekreti për buxhetin

Mazhoranca do i japë këtë të enjte një tjetër goditje presidentit dhe sa i takon buxhetit. Kreu i shtetit e ktheu mbrapsht draftin, me argumentin se duhet të reflektohen sugjerimet e studentëve. Por PS ka vendosur të mbajë të paprekur ligjin. Sot Komisioni i Ekonomisë do të vendosë rrëzimin e dekretit. Dje në grup u vendos që këtë javë të ketë dy seanca plenare. Të enjten do të votohet për dekretet e Metës dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të BSH, ndërsa të premten do të diskutohet për vetingun në politikë, ku dhe ai do të rrëzohet.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here