CIA zbardh rrugën që ndiqej për infiltrimin e agjentëve, ja përballja e spiunëve me shqiptarët dhe përplasjet me ushtrinë jugosllave në kufi

0
411

Amerikanët kanë dhënë detaje për një mision të vitit 1951, ku është infiltruar një agjent i tyre në vendin tonë. Në dokumente e deklasifikuara jepen detaje nga përballja e tij me banorët. Po ashtu nuk kanë munguar dhe përplasjet me armë me jugosllavët.

23 nëntor 1951

Raport i detajuar operacioni infiltrimi

Për arsye të nervozizmit të lartë të shfaqur nga agjenti T5 para lëshimit, ka mundësi që të mos ketë marrë rrahjen në shpatull (sinjalin e hedhjes) para daljes nga avioni, edhe pse T5 insiston se është goditur nga shpërndarësi. Ndryshimi i planeve të grumbullimit gjatë udhëtimit për në vendin e lëshimit është diçka e vështirë për të kuptuar dhe kjo bëri që T5 të mendonte se po braktisej qëllimisht nga grupi. Pas lëshimit agjentët ishin aq të shpërndarë sa nuk u shërbeu as trajnimi i tyre për grumbullimin me anë të sinjaleve të zërit. Taktikat e rigrupimit kanë funksionuar me grupe të tjera kur ato kanë rënë në distancë të mbulueshme nga dëgjimi. T1 dhe pjesa tjetër e grupit kishin urdhër të vendosnin sa më shpejt komunikimet radio dhe nuk është e mundur që ato të kenë menduar të braktisin T5, veçanërisht kur vareshin prej tij për mbështetje. T1, 2 e 3 e njihnin mirë zonën dhe besonin se do të gjenin së shpejti T5, por ky gabim gjykimi ndodh shpesh dhe një plan i parapërgatitur është shumë më mirë sesa përpjekja për të gjetur njëri-tjetrin me shans.

Përplasja me jugosllavët

Tre të shtëna pushke të dëgjuara nga T5 mund të kenë qenë pistoleta e përdorur nga grupi për grumbullim, në rast urgjence. T5 pati disa përplasje me patrullat jugosllave dhe ka vrarë disa ushtarë jugosllavë, e në një rast një informator civil. Autoritetet jugosllave nuk kanë dyshime se T5 është një agjent i besueshëm shqiptar me mision të CIA. Por veprimet e T5 në Jugosllavi tregojnë një urrejtje të madhe të tij për Titon dhe kjo mund të ndikojë te informacionet e kaluara te ne mbi Jugosllavinë. Më 16 gusht 1951, T5 u nis me avionin drejt zonës së lëshimit, por raportonte disa detaje që mund të hedhin dritë mbi mungesën e organizimit të operacionit. T5 raporton se u ndje i trullosur sapo u hap dera e avionit dhe kjo nuk u shkaktua vetëm ngaqë shikonte jashtë por ngaqë dalloi disa shenja të dukshme zjarri që lëshoheshin drejt avionit. Agjenti T1 bëri dy ndryshime të instruksioneve gjatë rrugës, në lidhje me vendin dhe kohën e lëshimit. T5 raporton se ndryshimi i vendit të takimit iu tregua vetë agjentëve T1, 2 e 3. T1 instruktoi T2 e T3 që nëse nuk takoheshin në lëshim, ta gjenin njëri-tjetrin me anë të miqve që njihnin në zonë, kurse T5 nuk u përfshi në këtë plan, në një kohë që ai nuk e njihte zonën.

Kur iu dha sinjali i përgatitjes, T5 u pozicionua pranë derës së avionit, dhe do të lëshohej kur të merrte sinjalin e rrahjes në shpatull. Sapo e ndjeu atë T5 doli nga avioni dhe hapi parashutën. Ai thotë se u habit kur gjeti tokën e pjerrët me rreth 20-30 gradë, teksa parashuta e përfshiu dhe e bëri të rrokullisej poshtë dishezës. T5 nuk e njihte zonën por u mundua të qëndronte disa kilometra pranë zonës së lëshimit me shpresën për të rigjetur grupin e agjentëve të tjerë.

Takimi me banorët

Rreth shtatë ditë pasi u lëshua në Shqipëri T5 i foli në gruaje të vjetër në një fshat për t’i kërkuar ushqim. Ajo e paralajmëroi se kishte patrulla pranë fshatit dhe se ishte e rrezikshme të shkonte në shtëpi me të. Ajo i dha më vonë ca bukë me djathë. Një ditë më vonë T5 mori drejtimin për në Jugosllavi. Rrugës hasi në disa fshatarë që e pyetën nëse ishte Liman Peposi. T5 u përgjigj fillimisht se ishte Peposi, por kur po dukej se nuk ishte Peposi, u tha se ishte njeriu i Peposit. Burri i vjetër i tha nuk kishin dëgjuar prej kohësh për të dhe vrisnin mendjen ç’ishte bërë me të.

Përplasja me grekët

Dy ditë para se T5 të arrinte në kufirin me Jugosllavinë, hasi tre patrulla në drejtim të tij, të cilat pasi morën pozicionet, hapën zjarr kundër tij. Uniformat e tyre ngjanin me ato të ushtarëve grekë. Pas rreth një orë përpjekje ai arriti të çante rrethimin. Më 30 gusht T5 kaloi në Jugosllavi dhe takoi një burrë të vjetër në zonën e ndaluar të kufirit. Burri i vjetër i tha se Gostivari ishte gjashtë orë larg nga juglindja. T5 eci për disa ditë por në vend të vazhdonte në drejtim të Greqisë, shkoi në fshatin e tij, Gjilan të Kosovës, ku ishte i sigurt se do të merrte ushqim dhe strehim. Më tej ai vizitoi fshatin e Kabashit ku vizitoi shtëpinë e Xhemal Hazizit. Ata fillimisht kishin frikë ta strehonin T5, por e pranuan me kusht që fëmijët e tyre të mos dinin për prezencën e tij. Pesë ditë pasi kishte ardhur në Kabash T5 i tha Selmanit të sillte kunatin e tij Rexhep Tërpeza, i cili është kryetari i komunës së Tërpezës. Pasi erdhi ai tha se shqiptarët e Kosovës ishin anti-titoistë dhe dëshironin fuqimisht bashkimin me Shqipërinë, qoftë edhe nën regjimin e Hoxhës. Sipas tij kosovarët mendonin se nëse bashkoheshin me Shqipërinë ata do të kishin mundësi të vepronin më shumë kundër regjimit të Hoxhës. Terpeza informoi gjithashtu T5 se kosovarët janë konfuzë me afrimin aktual në marrëdhëniet Jugosllavi-SHBA. Ata nuk e kuptojnë përse SHBA ndihmon Titon, i cili pretendon se është komunist. Kosovarët kanë parë shumë produkte amerikanë, edhe pse ato shiten me anë të kooperativave. Terpeza the se vetëm një pjesë e vogël shiten në tregun e lirë dhe kjo ndodh në qytetet e mëdha ku ka amerikanë. Terpeza tha se shqiptarët që largoheshin në Jugosllavi viheshin në punë në ndërtimin e rrugëve dhe në disa raste ato dërgoheshin si klandestinë ne Shqipëri për llogari të shërbimeve sekrete UDB. Ai tha se edhe një grup britanik kishte ardhur në Jugosllavi nga Shqipëria. Atyre u ishte thënë të largoheshin në Jugosllavi në rast nevoje, pasi jugosllavët do të siguronin lirimin e tyre. Por pasi u vunë në punë në riparimin e rrugëve disa prej tyre u larguan përsëri për në Shqipëri me shpresë të arrinin në Greqi. T5 mësoi prej tij se jugosllavët kishin një kamp për refugjatët shqiptarë në Vuçiterna. Aty shqiptarët ndaheshin në dy kategori: ata që viheshin në punë dhe ato që merrnin ushqim dhe strehim pa punuar. Ai nuk dinte arsyet e kësaj ndarjeje. Terpeza tha se kishte aktivitete rezistence në zonat e Jakovës e Rugovës, por nuk dinte më shumë. Ai tha se Hasan Alia nga Remniku kërkohet nga forcat qeveritare që prej vitit 1944. Ai mund të ketë dalë në mal dhe mund të jetë aktiv me grupet e sipërpërmendura të rezistencës. Kur arriti në Greqi T5 u mor në pyetje nga një oficer grekpër rreth tre-katër orë, ku T5 tregoi detaje të aktivitetit të tij në Shqipëri dhe Jugosllavi.

Komentet

Meqenëse T5 nuk i gjeti dot shokët e tij të lëshimit, ai mendon se është braktisur nga tre anëtarë të grupit, të cilët ndryshuan vendin e takimit dhe nuk e përfshinë në planin e ri. Sipas një memorandumi të 17 prillit 1951, Liman Peposi dhe Tahir Vata janë rekrutuar nga CIA në prill 1951. Rekomanduesi i tyre ka qenë Muharrem Bajraktari. Ministria e Brendshme ka raportuar se agjenti T6 është vrarë prej tyre. Sipas edicionit të qershorit 1951 të gazetës Atdheu, Hasan Kabashi është vrarë gjatë përpjekjeve me komunistët jugosllavë më 15 tetor 1951. Atdheu është organ i partisë së Legalitetit. Duket se personi me të cilin janë takuar T2 e T3 në Kastoria, është Tahir Ademi.

Marrje në pyetje e të arratisurit Xhevdet Malo

Refugjati Xhevdet Malo nga Konispoli dhe ish-punonjës i zyrës së postës, raporton si më poshtë: Në vitin 1951, në Gjirokastër, një person mori një pako me rroba nga Amerika me vlerë rreth 20 dollarë, por autoritetet e postës i vunë detyrim doganor 250 dollarë. Prandaj, personi i shkroi përsëri vëllait të tij në Amerikë që t’i dërgonte shumën në fjalë. I vëllai u habit dhe i shkroi banorëve të tjerë të fshatit për të pyetur nëse i vëllai ishte çmendur, por ata i thanë se ishte e vërtetë dhe nuk ishte çmendur vëllai i tij, por situata në vend. Edhe në 1951, Ahmet Abazi nga Konispoli mori një pako me rroba nga SHBA me vlerë rreth 14 dollarë, dhe qeveria i vuri detyrim doganor 360 dollarë. Ai e la pakon në postë. Refugjati Muharrem Mullaj nga fshati Floqi raporton se nga torturat e agjentëve të Sigurimit në Korçë, i arrestuari Arqile Gostivishti kishte humbur një këmbë. Bijtë e familjeve të shpallura “kulakë” duhet të bënin dy vjet shërbim ushtarak dhe dy vjet punë të detyruar. Në vitin 1951, komunistët detyronin fshatarët të dorëzonin më shumë prodhime nga sa kërkohej. Sipas vendimeve të partisë, komunistët caktojnë një sasi të caktuar për çdo fshat sipas planit, të cilën Këshilli i Fshatit e ndante si dëshironte mes fshatarëve, gjë që ishte shumë e rëndë. Masa të ashpra merreshin ndaj atyre që nuk bindeshin. Zoti Edibe Yze ka qenë disa vjet i burgosur në kampin e Kamzës dhe është liruar në fund të vitit 1950, tregon se rreth 40 fëmijë të vegjël kanë vdekur në atë kamp nga mungesa e ushqimit, higjienës dhe kushtet e rënda të jetesës. Ai mbante mend edhe emrat: bija e Osman Pajakut nga Pogradeci, biri i Qamil Çollakut nga Bilishti, bija e Sabri Leminotit nga Korça, bija e Rrapo Selcës nga Gora e Korçës, bija e Shero Tresovës nga Korça, biri i Dagoricës nga Korça, biri i Batire Oshafit nga Pogradeci, bija e Tosun Hoxhallarit nga Tresova, biri i Kajam Ceravës nga Pogradeci, dy vajza të vogla nga Halarupi dhe një djalë brenda një dite, mamaja e Kajim Ceravës, gruaja e vjetër Brakollari nga Dushari, dhe Ligor Gjata nga Bilishti. Pas torturave të shumta të Sigurimit vdiq edhe Isa Bilishti. Kadri Petri që erdhi në Greqi më 16 mars 1952, raporton se në burgun e Korçës vdiq nga vuajtjet Bektash Panariti nga Korça.

Dëshmia e Mefail Totlakut

45 vjeçari Mefail Totlaku ka jetuar në fshatin Tren të Bilishtit. Ai deklaroi se në zonën e tij nuk ka rezistencë të organizuar ndaj regjimit. Njerëzit janë në dijeni të rezistencës së emigracionit dhe komitetit të NCFA dhe shpresat e çlirimit i kanë varur aty. Njerëzit e shikonin pozitivisht SHBA dhe Britaninë edhe pse më shumë i trembeshin ambicieve territoriale të fqinjëve. Sipas tij, në zonën e Bilishtit shtëpitë më të sigurta kundër komunistëve janë Ismail Kape, Ramadan Mehmeti, Haki Mydini, Arif Ramadani, Refat Medani, Estref Medani, Reshit Ganiu, Hysni Kolami, Zeqir Baktashi, Shyqyri Muharemi, Foto Jorgji e Rahim Hajrullahu, të gjithë nga fshati Tren. Nga fshati i Bitiçkës ishin Qamil Saliko, Elmaz Shabani, Nazif Sulejmani. Kohët e fundit në fshatin e tij nuk kishte pasur arrestime, ai kishte dëgjuar për njerëz që ishin arratisur nga malet. Ai personalisht nuk kishte parë gjurmët e NCFA, por kushëriri i tij, Nazif Kape, ka parë një fletushkë të lëshuar nga një avion, ku thuhej që populli duhet të kishte durim pasi Shqipëria do të çlirohej nga NCFA me ndihmën e fuqive perëndimore. Agjentët e pushtetit të zonës së tij ishin Gure Kolami, sekretar i organizatës bazë, Rustem Kolami, brigadier i kooperativës, Tosi Skordileva, Zenel Rexhepi agjent i Sigurimit, Resul Zhyleku, Enver Kape, sekretar i rinisë, të cilët jetojnë në Tren dhe veshin rroba civile.

Plani operacional për Shqipërinë 1954

Shqipëria është vendi më i vogël satelit i Bashkimit Sovjetik dhe një pikë e izoluar e komunizmit, me rëndësi shumë të vogël ushtarake, përveç një kërcënimi të pallogaritshëm në kufirin jugosllav, apo në formën e një baze për të rindezur luftën civile greke. Në disa kushte të caktuara ndërkombëtare, ajo mund të shërbejë si një pretekst për konsolidimin e hegjemonisë komuniste në formën e bashkimit të mundshëm të kufirit me Bullgarinë përgjatë juglindjes së Jugosllavisë.

Objektivat afat-gjatë

Marrja e informacioneve pozitive për çështjet politike, ekonomike e ushtarake mbi Shqipërinë, ruajtja dhe përforcimi i shpresës së çlirimit të popullit shqiptar dhe nxitja e dëshirës për rezistencë ndaj komunizmit. Dëmtimi i strukturave politike, ekonomike e ushtarake në Shqipëri; krijim i mjeteve dhe i terrenit për një ndarje të mundshme të Shqipërisë nga blloku sovjetik. Përmbledhje e inteligjencës mbi Shqipërinë: Shqipëria është një shtet tipik policor me struktura të forta sigurie. Deri në vitin 1953, popullata frikësohej aq shumë sa nuk mbështeste individët apo grupet klandestine, por më vonë u dallua një ndryshim pasi pas vitit 1953 grupet e infiltruara nisën të merrnin ndihmë të konsiderueshme nga popullata, veçanërisht në rajonet malore veriore. Ndryshimi besohet të ketë ardhur prej faktit të përmirësimit të inteligjencës dhe rritjes së kalibrit të përgatitjes së operacioneve. Ushtria e vendit nuk mund të konsiderohet një element besnik i regjimit por policia sekrete (Sigurimi) me rreth 10 000 anëtarë, është një armë e fortë dhe besnike e diktaturës.

Arritjet

Me anë të grupeve të infiltruara dhe burimeve të tjera, është arritur një mbulim i përgjithshëm i objektivave të inteligjencës në Shqipëri. Me anë të fushatave të përqendruara të transmetimeve klandestine radio dhe broshurave të lëshuara nga ajri, kemi krijuar një atmosferë më të mirë ku agjentët tanë të veprojnë. Gjatë vitit 1953 kemi kryer rreth 20 infiltrime dhe 75 kontakte radio me agjentët. Kemi lëshuar çdo muaj tekste propagande, ashtu si dhe furnizime për agjentët në terren.

Aftësitë aktuale operacionale

Gjatë tre viteve të fundit, rreth 1200 liderë me rreth 12 000 ndjekës raportohen të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me agjentët tanë, nëse u jepen materialet dhe drejtimi i duhur. Ky numër mund të duket i lartë, por duket se ka ende potencial për grupe të tjera rezistence që mund të aktivizohen në momentin e duhur. Grupe operative kanë raportuar prej vitit 1952 për rekrutimin e 31 liderëve me rreth 600 ndjekës nën komandë, dhe tentativa po bëhen për ruajtjen e entuziazmit të rezistencës, pa e nxituar atë në veprime që mund të jenë të parakohshme. Veprime po kryhen për krijimin e bazave të sigurta për mbështetjen e operacioneve kundër Shqipërisë. Është krijuar një bazë stërvitjeje dhe një bazë për transmetime propagande, këto të fundit të monitoruara për forcën e sinjalit dhe për monitorime të stacionit shtetëror shqiptar. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën po bëhen gjithnjë e më të sjellshme që prej kongresit të katërt të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili përfundoi më 20 shkurt. Dy vendet po i japim mbulim favorizues zhvillimeve në Shqipëri dhe Kinë. Përveç kësaj Tirana në disa raste ka treguar simpatinë për Republikën Popullore të Kinës dhe pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik… Ngjarja kryesore në marrëdhëniet shqiptaro-kineze që prej kongresit të partisë, është marrëveshja tregtare e nënshkruar në prill, e cila ka si qëllim forcimin e Shqipërisë ndaj presionit sovjetik, çka dukej qartë nga propaganda që iu bë nga të dyja palët. Deklarata e lëshuar në përfundim të bisedimeve ekonomike, e përshkruar si një pakt i sinqertë i paprecedentë, thoshte se Kina pranonte të jepte një kredi prej 112 milionë rubla për financimin e 25 komplekseve industriale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here