Skandali me tenderin e Unazës së Madhe, Autoriteti i Konkurencës nis shqyrtimin e tenderëve të dyshimtë, në fokus 3 lloje prokurimesh

0
744

Pas skandalit të 2 tenderëve të fituar nga kompania DH Albania me dokumente të falsifikuara, Autoriteti i Konkurrencës pritet të nisë hetimet për të gjitha garat e dyshimta të prokurimeve publike, sikurse janë ato me pjesëmarrjen e vetëm një kompanie, garat me kushte specifike që përcaktojnë kompanitë fituese apo aplikime që diktojnë fituesin e sigurtë. Në një prononcim për mediat, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Juliana Latifi thotë se zhvillimi i këtyre garave fiktive prish rregullat e konkurrencës së lirë mes kompanive. “Ky është një objekt i ri që po diskutohet në Komisionin e Konkurencës. Ne jemi përpara një prokurimi të tillë publik dhe pikërisht kjo përbën një risi jo vetëm për Autoritetin Shqiptar të Konkurencës, por edhe për vetë Bashkimin Europian. Jemi duke diskutuar parametrat se si ne do të ndërhyjmë kundrejt dhe atyre prokurimeve, të cilat pavarësisht se në pamjen e parë duken si të rregullta, janë prokurime fiktive. Ne jemi duke diskutuar kushtet e këtyre prokurimeve, ose natyrën që ka oferta, kushte të cilat janë tepër specifike dhe që të krijojnë idenë se ndodhemi pikërisht përpara kushteve të paravendosura nga palët dhe më pas një prokurim, i cili është i sigurt nga ajo palë që aplikon dhe e fiton më pas këtë prokurim”, pohoi Latifi, duke shtuar më tej se edhe për 2 tenderët, atë të Unazës së Madhe dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit po shikohen format që do të ndiqen për nisjen e hetimit nga dikasteri që ajo përfaqëson. “Autoritetin e Konkurencës askush nuk e pengon për të parë edhe këto dy prokurime, por gjithmonë duke përpunuar një praktikë që bazohet në standardet e vetë Bashkimit Europian. Ne jemi në proces të rishikimit të atyre prokurimeve publike të cilat prishin vërtetë rregullat e konkurencës”, theksoi kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Juliana Latifi.

Hetimet

Kompania DH Albania u përfshi një skandalin e falsifikimit të dokumenteve, duke përfituar rreth 30 milionë euro nga paratë publike. Ajo u shpall fituese për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe të Tiranës, me një vlerë kontrate prej 18 milionë euro si dhe e një kontrate 12 milionë euro nga Operatori i Sistemit të Transmetimit për linjën e re 220 kV Burrel – Peshkopi. Kjo kompani dorëzoi pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një dokument të falsifikuar të sekretarit të Shtetit të Delawere në SHBA, ndërkohë që tashmë prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet mbi këtë skandal. Hetimet për skandalin e falsifikimeve në tenderin e “Unazës së re” dhe atë të linjës Burrel-Peshkopi nuk përfshijnë vetëm kompaninë mashtruese “DH Albania”, por edhe institucionet shtetërore. Nga Prokuroria e Tiranës mësohet se kanë nisur verifikimet në rang hetimor, edhe për Autoritetin Rrugor Shqiptar, si dhe Operatorin e Transmetimit. Sipas Prokurorisë, të dyja institucionet do të hetohen nëse kanë patur përgjegjësi për të verifikuar informacionin e falsifikuar të paraqitur nga kompania “DH Albania”. Për këtë do të merren në pyetje, veç përfaqësuesve të kompanisë, edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në të dy tenderat, si dhe personat që janë marrë me mbledhjen dhe administrimin e dokumentacionit. Paralelisht, Prokuroria e Tiranës ka nisur letër porosinë për autoritetet amerikane të Delaware-t, për të verifikuar në rrugë zyrtare dokumentacionin e paraqitur nga kompania “DH Albania”, si dhe për informacione të tjera shtesë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here