Skulptori Kristo Krisiko prezanton në galerinë FAB veprat e tij të para dhe pas viteve ’90

0
48

Skulptori i njohur Kristo Krisiko prezanton veprat e tij për publikun në ekspozitën personale që mban titullin “Prolog /Epilog” në galerinë e artit FAB. Kuruar nga profesorët Ardian Isufi dhe Sadik Spahija ekspozita prezanton vepra të ndryshme, që janë realizuar nga autori para ‘90 dhe pas këtyre viteve. Në aktivitetin e tij artistik skulptori Kristo Krisiko është nga emrat e njohur të artit. Kuratori Ardian Isufi shprehet se Prolog i një kronike të paralajmëruar, që zhvillohet përgjatë një eksperience të gjatë artistike, vjen në krijimtarinë e Kristo Krisikos si një sintezë e qenies humane e përshkruar në mënyrë të dëlirë në kohë dhe hapësirë. “Hapësira kohore parë në rrafshin historik shtrihet në dekada të jetuara para-pas viteve ’90-të me shpërthime haluçinante të saj që fillimisht vinin si shkak-pasojë e izolimit komunist nën trysninë e rregullit të realizmit socialist të kushtëzuar në artet pamore duke u pasur në vitet e demokracisë në një arratisje në tokën helene, pra larg-afër vendit të tij”, tregon kuratori Isufi. Për krijimtarinë e skulptorit Kristo Krisiko kuratori Ardian Isufi shprehet se nëse kolegë të tij rendën të ngrenë monumente të vetes nën efektin e temave të “njeriut të ri socialist”, kjo nuk ndodhi në veprat e tij. “Qendra e qendrës në veprën e tij është figura femërore që sendërtohet në forma poetike dhe në të vërtetat e saj humane. Camille Clodel nën një analizë të mprehtë dhe radikale thotë: “Roden, ti je skulptor dhe jo skulpturë”. E pra, nëse shumë kolegë të tij sidomos në periudhën e realizmit socialist paradoksialisht rendën të ngrenë monumentin e vetes së tyre nën efektin e temave të mëdha të “njeriut të ri socialist”, ndodh e kundërta në krijimtarinë e Krisikos me çiltërsinë dhe modestinë e tij artistike duke prezantuar marrëdhënien njerëzore pothuajse në një rrafsh intim”, vijon kuratori Ardian Isufi.

Koleksioni në ekspozitë

Koleksioni që prezantohet në këtë ekspozitë në galerinë e artit FAB sipas kuratorit Ardian Isufi e përmbledh këtë frymë lirie në çdo kohë apo periudhë të tij. “Duke nisur me projektin skuplturor në qeramikë të Bankës së Shqipërisë, që daton në fund të viteve ’80-të e deri në të përditshmen tonë postmoderme”, tregon ai. Epilog i një metamorfoze formash të abstraguara, apo thënë ndryshe “forma në zhvillim” shfaqin një qasje pothuajse të re në rrugëtimin artistik të viteve të fundit të skulptorit Kristo Krisiko. Kuratori Ardian Isufi shprehet se skulptura ka një dimension tjetër në kërkim duke evidentuar më shumë proçesin e formave në lëvizje sesa aspektin figurativ. “Fillimisht duken si një arratisje volumesh pa adresë, por që gjithmonë kthehen në destinacione kompozicionale të mirë shënjuara. Materia e formës tokësore ndërthuret me forma kozmogonike, sikur shkelin “njerëz të rinj në tokë të lashtë” nëpërmjet një futurizmi më shumë mental sesa estetik”, vijon kuratorit Isufi. Por dhe për kuratorin Sadik Spahija kjo ekspozitë merr një rëndësi të veçantë. “Janë vepra të dimensioneve të ndryshme në skulpturë. Janë punime, që janë realizuar para dhe pas viteve ‘90. Kristo Krisiko ka një aktivitet të njohur prej vitesh. Veprat e tij në ekspozitë janë vendosur jo vetëm brenda galerisë, por dhe jashtë”, vijon profesori Sadik Spahija. Ekspozita u çel mbrëmë për publikun, por do të vijojë të qëndrojë në galerinë e artit FAB deri në 9 janar të vitit që vjen. Ekspozita që do të qëndrojë gjatë kësaj kohe për publikun është dhe e fundja këtë vit për galerinë e artit FAB. Gjatë këtij viti në këtë hapësirë janë prezantuar artistë të ndryshëm, por dhe janë zhvilluar veprimtari me në fokus artin. 

 Nga Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj