Gati reformimi i sistemit energjetik, qeveria paralajmëron privatizimin e OSHEE, zbardhet strategjia

0
503

Qeveria ka miratuar planin strategjik të reformimit për sektorin energjetik, i cili mund të sjellë rritjen e çmimeve të energjisë për shumë konsumatorë duke filluar nga viti 2020. Sipas dokumentit të botuar në Fletoren Zyrtare, brenda tremujorit të parë të vitit tjetër, institucionet përgjegjëse, ku bëjnë pjesë Enti Rregullator i Energjisë, qeveria dhe Ministria e Energjisë, do të miratojnë hapat që duhen ndërmarrë për liberalizimin e tregut dhe derregullimin e çmimeve të energjisë. Këto hapa do të mundësojnë që të gjithë konsumatorët e lidhur në tensionin e ulët, përveç familjeve, të dalin nga tregu i rregulluar i energjisë, pra të mos furnizohen më me çmim të rregulluar si tani, por ta blejnë energjinë në treg të lirë. Megjithatë, dokumenti sinjalizon se çmimi i energjisë mund të ndryshojë edhe për familjarët, pasi vetë qeveria shprehet se reforma e tarifave mund të kërkojë mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë. Ky element i politikave të reformës dhe të tjerë elemente përforcojnë nevojën për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë. “Reforma ka të ngjarë të çojë në çmime më të larta, që mund të rezultojë në disa shqetësime publike. Megjithatë, do të jetë thelbësore për të komunikuar se çmimet për energji elektrike janë vetëm më të larta në sipërfaqe, d.m.th. çmimet aktuale të ulëta subvencionohen përmes taksave dhe buxhetit të shtetit në një mënyrë të vështirë dhe të ndërlikuar dhe në të njëjtën kohë rezulton në nëninvestime në infrastrukturë, duke dërguar një faturë gjithnjë në rritje për furnizimin me energji për brezat e ardhshëm. Për më tepër, reforma, si e tillë, parashikon krijimin e skemave të përkohshme dhe të përhershme mbështetëse për akomodimin e interesave të grupeve në nevojë nga ndikimet negative të reformës dhe “varfërimit nga energjia” – e thënë ndryshe “efektet që sjell ndryshimi me rritje i çmimit të energjisë elektrike”, si dhe mbështetjen e prodhuesve të energjisë së rinovueshme”, parashikohet në strategjinë e qeverisë, e cila ka të detajuara të gjitha masat që do të ndërmerren bashkë me afatet përkatëse. Sipas saj, skema e re tarifore do të miratohet në fund të vitit të ardhshëm deri në tremujorin e tretë të vitit 2020 dhe po në këtë periudhë qeveria do të miratojë skemën mbështetëse për konsumatorët në nevojë.

Privatizimi

Plani i ri parashikon ndryshime të rëndësishme në tregun e energjisë, duke përfshirë dhe privatizimin e plotë të furnizimit tek investitorë strategjikë. Kjo do të thotë që OSHEE do të mbetet shtetërore vetëm në pjesën e administrimit dhe mirëmbajtjes së rrjetit të shpërndarjes, ndërsa furnizimi dhe faturimi i energjisë do t’i kalojnë privatit. “Ndarja ligjore e OSHEE-së si dhe ndarja e plotë funksionale do të zbatohen sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda periudhës së parë. Kjo do të përfshijë marrëveshjet përfundimtare dhe operacionale midis të gjitha kompanive të reja, duke përfshirë, por jo kufizuar në, ndarjen e aseteve, shpërndarjen e pagesave të prapambetura dhe borxhet mes kompanive të ardhshme. Një plan ristrukturimi, i miratuar nga Këshilli i Ministrave, do të përmbajë vizionin në lidhje me zgjedhjen e kompanisë që do të kryejë furnizim universal për periudhën e tranzicionit në vazhdim. Do të përmbajë gjithashtu një strategji për ofertën publike, potencialisht që do të çonte në një privatizim të plotë të kompanisë furnizuese me një investitor strategjik që lehtësonte zbatimin e transformimit në një kompani biznesi private dhe konkurruese dhe një ofertë të pjesshme për publikun shqiptar për një pjesë minoritare të kompanisë DSO, me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë duke ruajtur kontrollin mbi biznesin e rregulluar”, mësohet në planin e qeverisë.

Borxhet

Strategjia e qeverisë për 2 vitet në vijim parashikon dhe gjetjen e një zgjidhjeje për detyrimet e papaguara ndërmjet subjekteve të ndryshme shtetërore. Grupi ndërministror i punës, i krijuar tashmë për këtë qëllim, do të finalizojë një marrëveshje që rregullon trajtimin e ardhshëm të të gjitha borxheve të pagueshme, ndërmjet kompanive shtetërore që lidhen me sektorin e energjisë elektrike, përfshirë subjektet publike me detyrime për energjinë elektrike. Përveç marrëveshjes, do të hartohet dhe miratohet një plan veprimi i cili do të sigurojë angazhimin për pagesën e faturave të energjisë elektrike nga të gjitha subjektet publike, duke përfshirë ato buxhetore dhe jobuxhetore. “Plani i veprimit duhet të përmbajë objektivat e pagesave të sektorit publik, si dhe të përcaktojë një procedurë zgjidhjeje të ngërçit/dështimit (fall-back procedure) kur subjektet e sektorit publik mund të demonstrojnë paaftësi (pamundësi) për të përmbushur objektivat e pagesës dhe ta raportojnë këtë te subjekti superior përkatës. Një strategji për përmirësimin e nivelit të pagesave nga subjektet publike duhet ta përmbyllë planin e veprimit. Së bashku, marrëveshja për pagesën e borxheve të prapambetura dhe plani i veprimit për pagesën e faturave të energjisë elektrike nga subjektet publike do të sigurojnë pastrimin e llogarive të arkëtueshme ndërmjet të gjitha njësive shtetërore”, thuhet në planin strategjik për reformimin e sektorit të energjisë në Shqipëri. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here