Telenovela “Xhisiela”, Gjykata e Krujës liron djalin e deputetit socialist, Rexhep Rrahja dënohet me 1 vit shërbim prove

0
653

Gjykata e Krujës ka dhënë dje vendimin për djalin e deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, Rexhep Rraja. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, vendosi të lirojë nga qelia Rrexhep Rrajan, duke e dënuar me 1 vit shërbim prove. Prokuroria e Krujës kishte kërkuar 1 vit burg për djalin e deputetit të PS-së, i cili akuzohet për dhunimin e Xhisiela Malokut dhe pse ai i ka mohuar akuzat. Rexhep Rraja u arrestua në 30 shtator pasi ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu, denoncoi në media kërcënimet sipas tij nga disa eksponentë të PS për të mbyllur denoncimin e Xhisiela Malokut. Vetë Rraja gjatë masës së sigurisë ka deklaruar se arrestimi i tij ishte politik, ndërsa gjatë gjykimit ka qenë e pranishme Edhe Xhisiela Maloku e cila ka mohuar denoncimet duke shprehur se gjithçka e bëri nga Xhelozia. Historia e rozë e Xhisielës me Rexhepin përfshiu edhe politikën me akuza e kundërakuza, ndërsa u përfshi dhe efektivi i policisë Emiliano Nuhu. Nuhu pasi u arratis duke braktisur dhe shërbimin, akuzoi se për të mbyllur dosjen e Rexhepit pas denoncimeve të Xhisielës ai ishte kërcënuar me jetë. Rexhep Rraja u arrestua më 30 shtator 2018 ndërsa prej atij momenti ai kërkoi dy herë lirinë në Gjykatë çka u refuzua. Publikisht pas denoncimeve në komisariatin numër tre dhe atë të Fushë Krujës, Xhisiela Maloku në media ndryshoi qëndrim duke thënë se problemet me Rexhepin do t’i zgjidhte vetë dhe gjithçka e kishte bërë nga xhelozia se Rexhepi e kishte lënë për një vajzë tjetër. Në hetimin e këtij rasti Prokuroria mori dhe raportin e mjekut ligjor ku rezultonte se Xhisiela Maloklu kishte dëmtime në trup çka faktonin dhunën e ushtruar, dhunë e konfirmuar edhe nga përgjimet në ambientet e komisariatit të Krujës. Me këtë vendim nga kjo e enjte, Rexhep Rraja fiton lirinë me kusht për t’u paraqitur pranë shërbimit të provës dhe për të mos kryer tjetër vepër penale. Çështja “Xhisiela” krijoi debate të forta politike pasi opozita akuzoi deputetin Rrahman Rraja dhe deputetë të PS se i bënë presion policisë së Fushë Krujës për ta mbyllur këtë dosje.

Reagimi i PD

Menjëherë pas dhënies së vendimit për lirimin e djalit të deputetit socialist, Rrahman Rraja, Rexhepit, ka reaguar Partia Demokratike. Një vendim të tillë nga institucionet e drejtësisë, PD e konsideron rënie të sistemit të drejtësisë. Sipas Partisë Demokratike ky vendim tregon qartë sistemin e dyfishtë të drejtësisë i cili kontrollohet nga Edi Rama. Vendimi për lirimin e përdhunuesit Rexhep Rraja është një tjetër provë e rënies së sistemit të drejtësisë. I biri i deputetit mafioz të Fushë Krujës është lënë i lirë jo për t’i shërbyer komunitetit, por për t’i shërbyer pushtetit kriminal të Edi Ramës. Lirimi nga burgu i djalit përdhunues të deputetit socialist tregon standardin e dyfishtë të drejtësisë që kontrollon Edi Rama. Nga njëra anë, mbahen në burg qytetarët që nuk paguajnë dot dritat, nga ana tjetër, lihen të lirë ata që vjedhin votat për Edi Ramën, përdhunuesit, vrasësit dhe trafikantët e drogës. Edi Rama nuk ka ndërmend të ndërtojë një drejtësi më të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben atij, ministrave të tij të korruptuar dhe krimit të organizuar me të cilin vjedh votat dhe bashkëqeveris”, thuhet në deklaratën e PD-së pas dhënies së vendimit. Ndërkohë, vendimi i Gjykatës së Krujës është ironizuar edhe nga deputeti njëkohësisht numri dy i PD Edi Paloka. Deputeti i Partisë Demokratike shkruan në fb se kryeministri tani mundet ta zhvillojë dialogun me Rrahjan, pa qenë nevoja të diskutojë me studentët. “E zgjidhi Rama dhe problemin e dialogut, sot ka liruar Rexhep Rrajen. Kështu që nga sot nuk do ti duhet të ballafaqohet me më studente “rrugaçë” nëpër universitete. Tani “dialogun” mund ta bëj me Rrajen”, shkroi dje në rrjetet sociale pas vendimit Paloka. Gjykata vendosi ta lirojë nga qelia e burgut Rexhep rajën duke e dënuar me 1 vit shërbim prove. Vendimi u dha trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here