TOB mbyll vitin me grand gala “Alles Walzer”, artistët në skenë me valset vjeneze

0
27

Teatri i Operës dhe Baletit e mbyll këtë vit artistik me mbrëmjen gala “Alles Walzer”. Mbrëmja e 28 dhjetorit në skenën e Pallatit të Kongreseve pritet të jetë me një program të larmishëm, që prezanton forma të ndryshme të baletit (klasik, neoklasik dhe modern) dhe koreografitë e koreografit Renato Zanella, që bashkëpunon prej shumë vitesh me Vjenën. Ansambli i kërcimtarëve përbëhet nga balerinë të Teatrit të Operës dhe Baletit, si dhe nga solistë të tjerë që do të interpretojnë. Një mbrëmje me valsin vjenez, që përfshin për publikun një përzgjedhje të melodive të njohura austriake, që do të shoqërohen edhe me pamje të mrekullueshme. Në këtë mbrëmje do të prezantohen pjesë nga repertori muzikor i Mozart, Strauss dhe Lehar, në mënyrë që viti simbolik i marrëdhënieve mes Austrisë dhe Shqipërisë të mbyllet në një atmosferë të gëzuar vjeneze. Për grand gala “Alles Walzer” dirigjuar nga Claudio Bushler me regji dhe koreografi nga Renato Zanella prej disa ditësh artistët po zhvillojnë provat. Janë të gjithë duke u përgatitur që mbrëmjen e datës 28 dhjetor ku publiku i pranishëm edhe vetë mund të bëhet pjesë në këtë grand gala me kërcimin. Solistja e njohur Ledia Sulaj tregon se kjo mbrëmje është traditë në TOB, por dhe këtë vit nuk mungojnë momentet e veçanta. “Ne po zhvillojmë provat për mbrëmjen grand gala “Alles Walzer” dhe jemi të gjithë si trupë baleti, por dhe solistët dhe kori i TOB. Regjia dhe koreografia është nga Renato Zanella, i cili në skenën tonë është i njohur dhe si regjisor i veprës “Lakuriqi i natës”. Do ketë valse vjeneze, por dhe koreografi me stil pak të thyer, pak kontemporane”, tregon solistja Ledia Sulaj, një nga emrat e vlerësuar të skenës sonë me aktivitetin e saj artistik.

Valset vjeneze

Kalendari i këtij viti përfshiu 206 aktivitete për TOB. Teatri i Operës dhe Baletit shprehet se grand gala “Alles Walzer” përmbyll kalendarin e shfaqjeve për vitin 2018 si dhe Vitin Kulturor Austri- Shqipëri. “Një gala magjike me valset dhe pjesët më të bukura të Strauss dhe autorëve të tjerë vjenezë”, shkruan TOB për mbrëmjen e datës 28 dhjetor. Kjo mbrëmje organizohet nga TOB dhe Ambasada Austriake në vendin tonë. Balloja vjeneze daton si traditë që në shekullin e XIV-të dhe arriti majën e shkëlqimit gjatë Kongresit të Vjenës, kongresi në të cilën morën pjesë gjithë shtetet dhe fuqitë Evropiane në përpjekje për të arritur një marrëveshje për një rend të ri në kontinentin e vjetër. Sot më shumë se 400 ballo organizohen çdo vit në Vjenë me një numër vizitorësh më të madh se 500.000 vetësh. Balloja Vjeneze është shndërruar në një eksport të suksesshëm kulturor dhe organizohet më shumë se 30 herë në vit në metropolet më të rëndësishme botërore: Athinë, Berlin, Bruksel, Londër, Madrid, Moskë, Nju Jork, Paris, Pekin, Pragë, Romë, Tokio, Zyrih etj. Shtrati vjenez i përket shumë viteve më parë. Në një situatë që s’ka të ngjarë me Vjenën e sotme. Filli i tyre nis nga pjesë të shkurtra të muzikës qytetare të titulluara “lingler”. Karakteri i tyre popullor, bënte që ato të ekzekutoheshin në restorante tipike vjeneze. Një ambient i tillë ishte vatër e gëzimit, ku nuk mund të mungonte muzika. Ishin pikërisht orkestrat e thjeshta vjeneze që luanin natyrshëm dhe pa partitura këto pjesë. Pjesë e këtyre familjeve ishte edhe ajo e Shtrausit, e cila këtë traditë e çoi më përpara. Këtu filloi edhe kultivimi i kësaj muzike. Rryma popullore u fut në rrugën e operetës dhe ata u bënë mbretërit e kësaj tradite të bukur. Kjo kushtëzoi që nga forma e një valleje popullore siç ishte valsi, të merrte përmasat e një vepre krijimi simfonik orkestror. Kështu u krijuan suita të tëra valsesh, të cilat nga një krijim i thjeshtë popullor që interpretohen me dy tre instrumente u bënë vepra të orkestruara, tradita e të cilave vazhdon edhe sot.  

Nga Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj