Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi/ Zbardhet dëshmia e policit, tregon çfarë i tha Kasemi në komisariat

0
395

Ditën e djeshme, në Gjykatën e Krimeve të Rënda është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj Fadil Kasemit, i akuzuar se ka vrarë ish-bashkëshorten e tij, gjyqtaren Fildez Hafizi. Në seancë pritej dëshmia e një oficeri policie dhe ballafaqimi mes Kasemit dhe shoferit të furgonit që dyshohet se e ka rrëmbyer pas vrasjes. Oficeri i Policisë nuk ishte paraqitur në seancë për të dëshmuar, ndaj edhe prokurori kërkoi të lexonte dëshminë që ai kishte dhënë në fazën hetimore. Sipas deklarimeve që lexoi prokurori, punonjësi i Policisë ka treguar se si Kasemi e ka pranuar vrasjen e bashkëshortes, ndërsa në ambientet e Komisariatit të Policisë është gjetur edhe një plumb, i cili dyshohet se i përkiste armës së të pandehurit. “Kam qenë në zyrën time kur më erdhi një punonjës policie dhe më tregoi se në ambientet e Komisariatit kishte ardhur një person, i cili kishte deklaruar se kishte vrarë bashkëshorten e tij. Pas kësaj unë kam zbritur poshtë dhe kam parë një burrë rreth 55 vjeç, të cilin e kam pyetur për gjeneralitetet dhe çfarë kishte bërë. Ai më tha se ishte Fadil Kasemi dhe se në zonën e Xhamllikut kishte vrarë bashkëshorten e tij. Pas kësaj, janë lajmëruar oficerët e Krimeve të Rënda, të cilët kanë ardhur dhe kanë marrë Fadil Kasemin, për të vazhduar me hetimet e mëtejshme. Unë i kam përcjellë ata deri të dalja e Komisariatit, ndërsa kur po futesha, një prej oficerëve më tha se ishte konstatuar një plumb te shkallët. E kemi marrë dhe kemi vënë në dijeni oficerët e Krimeve që kanë ardhur dhe marrë plumbin”, lexoi prokurori. Gjatë seancës së djeshme, Gjykata revokoi edhe një vendim të ndërmjetëm për ballafaqimin e dy dëshmitarëve, kërkuar nga mbrojtja. Sipas arsyetimit të Gjykatës, përballja mes tyre nuk do të sillte asnjë të re, pasi i konsideruari si viktimë, shtetasi K.T., është përballur disa javë më parë me një tjetër punonjës të Policisë dhe nuk e ka ndryshuar variantin e tij. Edhe ky vendim është kundërshtuar nga mbrojtja, që e konsideroi vendimin të padrejtë, ndërkohë pati edhe një diskutim me gjykatën. Mbrojtësi Ilia Ilia, i cili ka qenë përfaqësuesi ligjor i Fadil Kasemit, që prej rifillimit të procesit te Krimet e Rënda mungoi, ndërsa kishte kërkuar shtyrjen e seancës dhe caktimin e saj në datën 31 dhjetor, për shkak se nuk do të ishte në Shqipëri, shkruan panorama. Vetë i pandehuri caktoi edhe një tjetër mbrojtës, që kërkoi shtyrjen e seancës dhe diskutoi me drejtuesen e trupit gjykues, duke i thënë se nëse do ta vazhdojë në këtë formë procesin, më mirë të merrnin edhe një prokuror tjetër, ta vendosnin në anën e mbrojtjes dhe të vazhdonin, duke i konsideruar si të padrejta dhe paragjykuara vendimet e Gjykatës. Ky proces është thuajse në fazat finale të tij, ndërsa priten edhe disa prova të tjera më 26 dhjetor nga ana e mbrojtjes. Pas kësaj do të mbyllet shqyrtimi gjyqësor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here