Astrit Greva: Partizani i 68-ës shkroi histori në Europë, pas 50 vjetësh niveli i sotëm as i afrohet “ndeshjes së shekullit”

0
19

Rrallë ndeshje sportive kanë mundur të marrin atë vëmendje të madhe e të pakrahasueshme ndër vite, si ajo që Partizani në basketboll për meshkuj zhvilloi më 18 dhjetor 1968, përballë njërës prej skuadrave më të forta të kohës, njëherësh kampione e Italisë, Oransoda (njohur kështu prej sponsorëve, kurse sot njihet edhe si Pallakanestro Kantu, bazuar në një distrikt të Lombardisë). Ndeshje që la mbresa tek sportdashësit dhe hyri në panteonin e sukseseve ndërkombëtare të basketbollit shqiptar, një sukses që më shumë se rezultati, i cili përfundoi në barazim 73-73, ishte një fitore e klubit të kuq në aspektin e imazhit, një fitore dhe për shtetin e kohës që organizonte si pritës ndeshjen, e në të njëjtën kohë, ishte një start i mirë sepse për herë të parë një skuadër shqiptare e basketbollit merrte pjesë në Kupën e Kampioneve të Evropës. Duke folur për emocionet e asaj dite dhe rëndësinë e ndeshjes, trajneri i Partizanit në ato vite, njëherësh trajneri historik i basketbollit shqiptar, Astrit Greva, në intervistën e dhënë për “SOT”, sjell për lexuesit momente interesante nga ndeshja, ekipi kundërshtar, grumbullimi i skuadrës etj. Kur kanë kaluar 50 vjet nga ajo ndeshje, që konsiderohet nga disa edhe si “ndeshja e shekullit” për basketbollin tonë në arenën ndërkombëtare, ende dhe sot, ne nuk kemi një nivel të tillë përfaqësimi. Rinia jonë, klubet trajnerët dhe politikbërësit e sportit, kanë një “fanar” ku duhet të shikojnë për sukses dhe Partizani i atyre viteve ishte një i tillë.

Është folur ditët e fundit në shtypin e shkruar për 50-vjetorin e ndeshjes së madhe të basketbollit që Partizani i Shqipërisë zhvilloi në Kupën e Kampioneve të Evropës me Oransodën në vitin 1968. Ju keni qenë protagonist i atyre ditëve, sepse ishit trajner i skuadrës. A do të ketë ndonjë ceremoni për këtë ngjare?

Kjo ka qenë një prej atyre ndeshjeve që kanë lënë mbresa të mëdha tek sportdashësit dhe tek protagonistët, sepse ishte hera e parë që Partizani i atyre viteve mori pjesë në Kupën e Kampioneve të Evropës në basketboll, një nivel që sot është Champions League, pra niveli më i lartë i përfaqësimit të klubeve në Evropë. Natyrisht, në këtë 50-vjetor do të ketë dekorime për ekipin, protagonistët dhe kjo është pozitive. Presidenti i Republikës do ta dekorojë Partizanin më 28 dhjetor. Në fakt, 50-vjetori ishte më datë 18, por presidenti kishte ngarkesë, kështu që u njoftuam për më 28 dhjetor. Është gjë e mirë të dekorohet skuadra që 50 vjet më parë shkroi një faqe të ndritur të basketbollit tonë.

Ku bëhet grupi i dikurshëm?

Një pjesë janë këtu, në Shqipëri, por ka dhe të tjerë që janë në Amerikë apo jashtë vendit.

Çfarë e bënte të veçantë Partizanin e atyre viteve dhe si ndodhi që u përballët me Oransodën?

Ekipi ynë i atyre viteve ishte shumë i ri, plot me 20-vjeçarë. Partizani doli kampion këtu dhe na u dha e drejta që të marrim pjesë në Kupën e Kampioneve të Evropës. Shorti na rezervoi përballë skuadrën italiane të Oransodës. Interesimi për këtë ndeshje në takimin e datës 18 dhjetor 1968 ishte maksimal dhe dueli mori një vëmendje europiane. Në fakt, ne si skuadër e pritëm me kënaqësi pjesëmarrjen, megjithëse, Oransoda ishte skuadër pretendente për titull kampion në Europë dhe rivalizonte me rusët në atë kohë. Vetë përfaqësuesja italiane vinte si kampione e Europës, pra kishin nivelin më të lartë të basketbollit në kontinent. Në fillim u stepëm, por më pas nisëm një përgatitje të fuqishme dymujore. Ministria e Mbrojtjes na përgatiti të gjitha kushtet, më të mirat që mund të bëheshin në atë kohë. Unë ju siguroj që në ato dy muaj ne nuk mendonim asgjë tjetër veçse për ndeshjen, gjithë qenia jonë ishte e lidhur me basketbollin. Bëmë një punë përgatitore kolosale që as nuk mund të mendohet sot.

A kishit ju informacion për ekipin kundërshtar? A ju ndihmuan organet e shtetit në atë kohë për gjendjen e ekipit kundërshtar, lojën, lojtarët dhe potencën e tyre?

Në fillim nuk kishim kurrfarë informacioni rreth tyre. Por ne u interesuam dhe mësuam që ata kishin në gjirin e tyre edhe lojtarë të huaj. Trajneri i tyre ishte Borislav Stankoviç, ndër specialistët më të mirë. Ata na dërguan, por asgjë rreth cilësisë së lojtarëve. Mund të them që nuk kishim asnjë të dhënë për ta, e as ata nuk kishin asnjë të dhënë për ne.

Para se të luhej ndeshja, si pritej në opinion ky takim? Pse bëri kaq shumë bujë jashtë vendit?

Nuk e di si rrodhën ngjarjet, por u poqën kushtet për një përballje të madhe. Pritej me interes të madh kjo ndeshje dhe këtë dozë interesi e shtuan gazetarët dhe fotoreporterët. Ishin 26 gazetarë të huaj që e ndoqën takimin, një rast i rrallë.

Pse gjithë ky interesim?

Jo vetëm se Partizani ishte kampion i Shqipërisë dhe luanin ndaj një kundërshtari që nuk e njihnin, por për këta gazetarë të udhëtojë në Shqipërinë e asaj kohe ishte diçka e jashtëzakonshme. Ne ishim vend i mbyllur dhe shumë prej tyre, më shumë sesa ndeshja, kishin kureshtje për vendin në tërësi.

Si ka qenë organizimi?

Organizimi nga ana jonë ka qenë shumë i mirë, për fat atë ditë nuk ishte shumë ftohtë. Kaldaja funksionoi të paktën në disa pozicione, por nuk kishte fare nevojë për kaldaja, pasi atmosfera ishte e tillë që shkaktonte temperatura të larta. Unë kam qenë prezent në shumë ndeshje dhe kam parë shumë ndeshje brenda e jashtë vendit, por atë ngjarje nuk e largoj nga mendja. Pallati i sportit ishte tejmbushur, kishte mbi 3500 vetë vetëm brenda, shumë mbi kapacitetin e tij normal, por atmosferën e ndizte masa e tifozëve që ishin jashtë, pothuajse 3-4 mijë të tjerë. U krijua kështu një atmosferë e paparë, ndeshja ishte elektrizuese, me shumë rivalitet, tepër e fortë. Dhe barazimi 73-73 që bëmë në këtë ndeshje ishte një rezultat shumë i mirë për ne, sidomos kur mendon se përballë kishim kampionen e Italisë.

Pati dhe një banket për nder të miqve….

Po u shtrua një banket në Hotel “Dajti”. Të dy palët ishim të kënaqur, edhe përfaqësuesit e FIBA-s dhe ishin personalitete të rëndësishme të federatës europiane dhe të basketbollit europian. Madje kujtoj që njërit prej tyre i kishte bërë përshtypje forca jonë dhe u mrekullua nga ndeshja aq sa tha: “Basketbolli modern u luajtka edhe në Shqipëri”. Nuk ishim në kushte të barabarta, sepse ata kishin 7-8 lojtarë mbi 2 metër. Kurse ne nuk kishim asnjë që të kapte 2 metrat. Më i gjati ishte Nikolin Pali 1.85, Kasmi 1.91 e kështu me radhë.

Si i përballuat, sepse ata nuk ishin vetëm të gjatë, por ishin një nga ekipet më të forta të kontinentit?

Ne ata i përballuam vetëm me lëvizje. Kemi përdorur skema efikase tekniko-taktike. Unë mund të them se niveli i tyre ishte shumë i lartë, por ka qenë shpirti ynë i sakrificës në atë ndeshje, shpirti i lojtarëve dhe lëvizjet e shpejta që bënë që të realizojmë një ndeshje që do të mbahet mend. Të gjitha rrethanat u krijuan për të qenë një ndeshje e nivelit më të lartë. Morëm përgëzime nga të gjithë dhe në fund edhe darka ishte e merituar.

Shteti shqiptar shtroi banket për miqtë, por brenda miqve ishin edhe dy “armiq” amerikanë. Duhet të ketë qenë telash i madh për kohën, apo jo?

Po, ka qenë një problem serioz sepse këtu nuk lejohej hyrja e amerikanëve. Ata kishin dy basketbollistë cilësorë në gjirin e tyre me origjinë amerikane. Ata u ndalën në aeroport dhe qëndruan gjatë atje sa u desh ndërhyrja e organeve shtetërore që t’i lironin e të vinin direkt e në pallatin e sportit. Madje u dha urdhër edhe të qetheshin, por për fat nuk u arrit deri aty. Madje amerikanët ishin edhe në banket.

Çfarë shpërblimi material ose tjetër keni marrë pas asaj ndeshjeje?

Asgjë, fare, vetëm trajtim ushqimor, akomodim dhe fjetje. Pra na u krijuan kushtet më të mira të mundshme për kohën. Më duhet të pranoj se nuk ka ndodhur asnjëherë një angazhim i tillë nga vetë lojtarët. Regjim disiplinor në përgatitje i paparë.

Meritat e asaj ndeshjeje i mori Fagu, që bëri bujë dhe në median italiane e më gjerë…

Agimi (Fagu) shënoi 48 pikë në atë ndeshje, ishte një prej ndeshjeve më të mëdha të tij. Më kujtohet që dypikëshin e fundit e shënuam ne, në fund fare, dhe barazuam 73-73. Kur shkuam në Itali ata e shihnin me kureshtje Fagun, e donin në fushë. Edhe atje salla ka qenë plot. Bëmë një nisje të vështirë, po humbnim 16-2, por pastaj e lamë të lirë Gimin të luante si të dëshironte dhe ai shënoi 23 pikë në atë takim. Edhe lojën e balancuam dhe rivalizuam për bukuri, pavarësisht humbjes.

A ka qenë kjo ndeshja më e madhe në historinë e basketbollit tonë?

Është një nga ndeshjet më të bujshme. Mund të them se ne kemi mundur me përfaqësuesen tonë në Shkup, në kuadër të Ballkaniadës, Greqinë, me rezultatin 84-78. Me Partizanin kemi bërë bujë në Athinë, ku u përballëm me Arisin e Selanikut, skuadër kampione e Evropës dhe atë vit kur luajti me ne ishte nënkampione e Evropës. Fituam ne 82-81. Kurse në vitin 1987, u përballëm me Sdrojovskin, kampionen e Çekosllovakisë. Fituam këtu me 16 pikë diferencë, kurse atje fituam me 9 pikë diferencë. Ky rezultat bëri realisht bujë në Evropë. Natyrisht, krahas jehonës kishte dhe skandale, siç na ndodhi në Budapest, ku ekipi ynë nuk pranonte arbitër spanjoll për çështje politike (shkak regjimi i Frankos në Spanjë), sa detyruam FIBA-n të ndryshonte gjyqtarin. Sot na duken marrëzi, por kështu ishte koha.

Keni kaluar një jetë me Partizanin, me shumë suksese. T’i kthehemi pyetjes: Çfarë e bënte të veçantë Partizanin e basketbollit të atyre viteve?

Do të duket sikur lavdërohem, por është fakt i pamohueshëm që në atë kohë punohej fort. Edhe sot ka talente, madje shumë më tepër, ka të rinj shtatlartë e cilësorë, por mungon puna që bënim ne. Sot punojnë 2 orë në ditë, ne punonim 5 orë në ditë. Jo vetëm kaq, stërvitjet nuk bëheshin sa për statistikë, por me seriozitet maksimal. Nuk ka qenë vetëm Partizani në basketboll, por edhe Dinamo e volejbollit të femrave që shkoi deri në katërshen e Evropës. Unë kujtoj këtu dhe një rast, kur lojtari ka ardhur në ndeshje dhe pas ndeshjes ka shkuar në ceremoninë martesore, deri këtu ka qenë përkushtimi ynë. Sot kushtet janë ku e ku më të mira, por nuk punohet në ato nivele përgatitore. Mungon disiplina, serioziteti dhe sakrifica.

Dy fjalë për ta mbyllur…

Më vjen keq vetëm për basketbollin e femrave, që ka rënë në një gjendje të mjerueshme. Jemi më keq se në periudhën kur vajzat ishin ende me kilota. Ndërsa për djemtë situata ndryshon. Ka talente, ka plot të rinj të shkëlqyer, rivalizojmë dhe në përgjithësi situata është e mirë. Edhe puna e federatës tek djemtë ndihet, sidomos me pjesëmarrjet e moshave në aktivitetet ndërkombëtare, një punë e madhe dhe pozitive që duhet të vazhdojë. Por problem janë lojtarët e huaj, ka shumë dhe kjo krijon shqetësim për të rinjtë vendas që nuk gjejnë hapësirë. Lojtarët e huaj sjellin eksperiencë, kanë cilësi dhe rrisin nivelin, por shkaktojnë dëm për basketbollin vendas. Por kam shpresë që ekipi kombëtar do të jetë i fortë në vitet në vazhdim. E them këtë sepse kemi goxha talente.

Intervistoi: Adriatik BALLA

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj