Erinda Ballanca nis sulmet ndaj KED: Ka probleme me konstituimin e organit, Ardian Dvorani në konflikt interesi

0
23

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca lëshoi dje disa kritika për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Gjatë një prononcimi mediatik, ajo deklaroi se KED ka shumë probleme që lidhen me funksionalitetin e organit. Sipas saj, kryetari i KED, Ardian Dvorani, është në konflikt interesi sepse nga ana tjetër garon edhe për anëtar në Gjykatën Kushtetuese. “Ne jemi vëzhgues në KED, aty ka probleme jo të vogla në lidhje me konstituimin e organit, në lidhje me konstituimin se si do të bëhet ky vlerësim dhe pastaj. Kryetar i KED është një individ, i cili garon dhe për në Gjykatën Kushtetuese, dhe i cili do duhet të bëjë rregullat për veten e vet dhe i duhet të ketë konflikt interesi përsa i përket procedurës së përzgjedhjes”, tha Erinda Ballanca. Nga ana tjetër, një tjetër problem i sistemit të drejtësisë që sistemi politik duhet t’i japë zgjidhje sa më parë është edhe amendimi i neneve të Gjykatës Kushtetuese. Nenet e rrëzuara nga kjo gjykatë pak kohë më parë prekin vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj bëri thirrje dje që këto nene të amendohen sa më shpejt. “Është mbledhja plenare e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të KLP që emëron gjyqtarët dhe prokurorët bazuar në propozimet e komisioneve për zhvillimin e karrierës. Kjo dispozitë është shfuqizuar dhe do duhet të plotësohet nga Kuvendi”, tha Skëndaj. Por krejt ndryshe mendon anëtari i komisionit monitorues të reformës në drejtësi, Saimir Vishaj. Në një reagim për mediat, Vishaj u shpreh se në 2019 do të jetë gati SPAK. “Në datën 10 shkurt është afati për të ngritur urgjentisht SPAK-un dhe GJKKO, por mendoj që në janar të gjithë individët që do kandidojnë qoftë për SPAK, qoftë për GJKKO do jenë subjekt i rivlerësimit të KPK, çka do të thotë se ata do të jenë në listën prioritare të vetingut”, u shpreh avokati Saimir Vishaj. Sa i takon ngërçit të krijuar në Gjykatën Kushtetuese, Vishaj sqaroi se ishte diçka e pashmangshme. “Të gjithë menduan se nuk mund të ketë shtet pa një Gjykatë Kushtetuese, por vetingu duhet të niste pikërisht nga kulmi i gjyqësorit nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Larte”, deklaroi Saimir Vishaj.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj