Kujtim Buza: Tanksi i injorancës nuk po thyen vetëm piktura dhe skulptura, por po shkatërron vlerat tona

0
699

Piktori Kujtim Buza shprehet se Ministria e Kulturës nuk kthen vëmendjen nga artistët, ata vazhdojnë me krijimtarinë e tyre të artit edhe pse problemet nuk mungojnë. Në aktivitetin e tyre artistët i zhvillojnë vetë ekspozitat, por sipas piktorit të njohur Kujtim Buza edhe Galeria Kombëtare e Arteve ka përgjegjësinë që nuk mbledh për fondin e saj vepra arti. Në intervistën për “SOT” mjeshtri i njohur Kujtim Buza shprehet me kritika për Ministrinë e Kulturës dhe GKA, kjo e fundit nuk po bën dot as botimet për artistët e njohur shqiptarë. Dekada me krijimtarinë artistike piktori Kujtim Buza pohon se është detyrë e shtetit që të mendojë dhe për studiot e piktorëve, që duhet të kenë një status të veçantë. Për piktorin e njohur Kujtim Buza nuk është e drejtë që artistët nuk ekspozojnë në GKA. Sipas tij, drejtori ka përgjegjësi në GKA për këtë gjendje, por dhe ministria që duhet të kërkojë dhe të japë llogari, por dhe të informojë dhe orientojë zhvillimin e artit.

-Në ekspozitën e grupimit të artistëve të “Plein Air” ju u prezantuat me disa vepra. Sa rëndësi ka aktiviteti?

Ne i kemi vitet e ngjeshura me aktivitete. Jo vetëm ky që po kalon, por dhe më parë ne jemi marrë me aktivitete, me qarkullime, me lëvizje, në male e kodra, nëpër bukuritë e atdheut. Një vit me udhëtime në koloni piktorësh në veri dhe jug, jashtë kufijve shtetërorë. Kemi qenë në Itali, në Greqi, Plavë e Guci, etj. Kemi bërë ekspozita kushtuar Çamërisë, duke pasqyruar qytete, male dhe kodra të bukura të Çamërisë. Ne sapo jemi kthyer nga Saranda këto ditë dhe shumë shpejt do të shkojmë të bëjmë piktura në një zonë, ku nuk e kemi shkelur. Edhe kjo ekspozitë ka rëndësi për ne ashtu si dhe të tjerat në aktivitetin tonë.

 -Ju jeni angazhuar në aktivitete, por grupimet e artistëve shprehen se nga Ministria e Kulturës ka munguar mbështetja për krijimtarinë e tyre. Ju si e shikoni?

Ministria e Kulturës as kthen kokën nga ne, por ama dhe ne kaq na bën. Madje, që nuk vijnë bëjnë mirë, sepse nuk i duam. Nuk sjellin asgjë dhe ata në Ministri të Kulturës janë si guakër. Janë guakër, nuk vijnë të thonë: mirë, keq, vazhdoni, shikoni këtë. Asgjë fare. Keni parë ju ndonjë shkrim të ndonjë punonjësi të Ministrisë së Kulturës, një vështrim kritik, vështrim si specialist, sepse presupozohet se atje janë specialistët më të zotë. Por çfarë të zotë janë kur nuk të thonë dy fjalë? Prandaj them që janë inspektorë guakër.

-Artistët shprehen se Galeria Kombëtare e Arteve i ka mbyllur dyert për ata. Sa bashkoheni me reagimin e tyre?

Për mua artistët kanë të drejtë, ashtu si kanë të drejtë studentët, kanë dhe artistët. Por artistët janë të përmbajtur, janë njerëz intelektualë, të formuar, që nuk e presin pikturën t’ua bëjë punonjësi i Ministrisë së Kulturës, inspektori apo ministrja. Ata e bëjnë vetë pikturën. GKA është një institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës. GKA duhet të jetë e kujdesshme vetë, sepse ky është malli njerëzor me të cilin duhet të bashkëpunojë dhe komunikojë. Me kë tjetër, veçse me artistët? Janë vërejtje të drejta që bëjnë artistët. Përse është kjo GKA? Çfarë bën kjo GKA dhe çfarë duhet të bëjë? Për mendimin tim këto janë dhe institucione, që duhet të udhëheqin zhvillimin e artit më tej, duhet ta çojë në shtigje të reja, do të sjellin art bashkëkohor, do të ekspozojnë pikturat e artistëve më të shquara. Aktualisht në GKA mbyllet viti dhe duhet të thotë që këto ekspozita që kam hapur këtë vit janë të mjeshtërve më të shquar të traditës apo të artit të sotëm bashkëkohor. Të rinj të talentuar duhet të ekspozojnë, duhet të gjallërojë galeria me ekspozita personale, kolektive dhe të përbashkëta, por duhet të bëjë dhe ekspozita të artistëve që vijnë nga bota. Të sjellin nga bota artistë të shquar. Por nuk e di se çfarë po bëjnë. Drejtori ka përgjegjësi në GKA për këtë gjendje, por dhe ministria. Ministria duhet të kërkojë llogari, të japë llogari, por dhe të informojë dhe orientojë zhvillimin e artit. Cila është kënga sot, muzika, etj. Përse është Ministri e Kulturës? Ne kemi doktor profesorë, por nuk kemi histori arti. Akademi kemi dhe nuk di se çfarë bëhet. Nuk kapërcehet kjo punë me disa albume që botohen, sepse ato vetëm albume mbeten. Por duhet me hapje horizonti për të ardhmen, se çfarë do të bëhet më tutje. Ku do ecim, si do eci ky arti shqiptar?

-Ekspozita “Onufri” këtë vit nuk u zhvillua. Për ju si ndikon kjo, pasi sipas artistëve ministria dhe galeria nuk zhvillojnë dhe ekspozita të tjera kombëtare?

 Unë nuk them të përsëriten gjërat dhe të bëhen ekspozita kombëtare si kanë qenë dashur bërë, me dy mijë punë nga të gjitha rrethet. Tani ndryshojnë disa gjëra. Grupimet janë më të vogla, ekspozita bëhen të profileve të ndryshme dhe temave të ndryshme, por problemi është që të bëhen ekspozita të grupimeve me nivel më të lartë. Ministrinë e Kulturës duhet ta shqetësojë sa është gjallë Sali Shijaku, Naxhi Bakalli, Hasan Nallbani, çfarë bëjnë këta mjeshtra të shquar të artit tonë. Duhet të shqetësohemi, t’u krijojmë mundësira dhe kushte atyre. Këtë duhet ta bëjnë këto hallka që janë sot, duhet galeria me kontrata vjetore përshembull ta thërrasë mjeshtrin e pikturës monumentale Naxhi Bakalli, dhe mos ta lërë të marrë frymë. Po të punojë, të krijojë, të jetë i angazhuar. Shko takoje, sepse ai ka planet e veta. Këta artistë nuk rrinë pa punë, nuk presin të vijë GKA apo Ministria e Kulturës, pasi e kanë në natyrën e tyre punën. Mungojnë dhe botimet për artistët shqiptarë. GKA duhet të ketë në programet e veta, përshembull gjatë këtij viti do të botoj veprën e x artisti. Para disa ditësh u promovua nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botimi për veprën e Abdurrahim Buzës. Një gjë e jashtëzakonshme, e bukur, me cilësi, e studiuar. Me gjithçka çfarë kërkon një monografi.

-GKA nuk po blen vepra arti për fondin. Për ju si ndikon kjo, çfarë po ndodh?

Ministria dhe GKA tashmë le të bëjnë si të duan, ne bëjmë punën tonë dhe vazhdojmë të krijojmë. Sigurisht janë disa gjëra, që nuk na inkurajojnë më shumë, por ne vazhdojmë të punojmë dhe vepra të mira ka boll. Ka vepra të mira, ka nga talente të reja, nga pedagogë të shkollave tona të artit, nga individë të veçantë, nga talente 80 vjeçarë që kanë mbi 60 vjet që punojnë dhe krijojnë. Për të vajtuar është nga institucionet, që merren me këtë punë dhe nuk grumbullojnë asgjë, dhe nuk marrin vepra. Unë kam qenë drejtor në GKA kur isha 27 vjeç. Në atë institucion, që atë kohë ne kemi futur 3 punë të Ibrahim Kodrës, sa dhe ai u habit, sepse nuk e dinte që kishte vepra në GKA. Ne i gjetëm disa familje këtu, gjurmonim dhe kërkonim, shkonim me qëllim zbulimin dhe grumbullimin e veprave të reja. Grumbullonim në fondin e galerisë vepra të ekspozitave të hapura jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe. Kështu u morën punë të Simon Rrotës, Zef Kolombit. Atë kohë kujtoj ishte viti 1965-’66, që kur hapëm një ekspozitë të Zef Kolombit, Anton Kuqali tha që ky ishte zbulimi i dytë i tij. U gjetën 30 punë dhe u futën në fondin e GKA. Më thoni ju mua çfarë punësh janë gjetur, zbuluar dhe grumbulluar në fondin GKA gjatë kësaj kohe. Janë dhënë kaq çmime “Onufri”, po ku janë? Edhe këto ekspozita që hapim ne artistët, tani nga institucionet asgjë. Ne na ndjek publiku, kemi tifozët tanë. Ne nuk na ndjekin këta titullarët e institucioneve dhe të propozojnë që këto 3 punë, këto 5 punë të x artistit të vijnë në fondin e GKA.

-Ministria e Kulturës po kërkon dhe mbylljen e Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit. Sa është shqetësuese për ju?

Unë kam qenë një nga ata që kam bërë programin e themelimit të Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit. “Skënderbeu” i Tiranë është derdhur me mijëra dollarë në një fonderi të Romës, “Skënderbeu” i Krujës është detdhur në Budapest me klering. Filluan të derdheshin disa buste dhe u ndje e nevojshme që ne të kishim fonderinë tonë edhe për arsye se ne kishim specialistët. U mblodhën, u ndërtua një program dhe filloi puna me Monumentin e Pavarësisë më 1972, të cilën e derdhën në këtë ndërmarrje. Ai është një moment jo vetëm për vlerat skulpturore por dhe për vlerat e realizimit e dredhjes në bronz. Ai u realizua nga skulptorët tanë të talentuar dhe u derdh në bronz nga mjeshtrat tanë. Është një monument kolosal. Unë mendoj se QRVA jo vetëm nuk duhet mbyllur, por duhet rritur niveli cilësor i saj, sepse ajo qendër nuk është vetëm derdhja në bronz e skulpturave, por aty hap dhe gdhendjet në gurë. QRVA ka një koncept pak më të gjerë të realizimit të qeramikës artistike, të mozaikut, etj. Por si duan ta mbyllin QRVA? Ku do të bëhen këto gjëra. Atelie të mozaikut dhe afreskut nuk ka. Ne e kemi pse ta prishim, por duhet ta pasurojmë. Ministria e Kulturës dëmton vetveten së pari, sepse nuk ka ku të kërkojë llogari për mbrojtjen dhe konservimin e një mozaiku apo të afreskut, sepse e ka prishur vetë QRVA. Unë se kuptoj pse po e bën këtë.

-Ju keni kërkuar dhe vëmendje nga shteti për studiot e piktorëve?

Unë po ju them vetëm kaq, çfarë bëhet me ruajtjen, mbrojtjen dhe restaurimin e veprave të artit tonë kombëtar? Ne jo vetëm që nuk po i mirëmbajmë studiot, por po shkatërrojmë dhe veprat. Tanksi i injorancës sot nuk po thyen vetëm piktura dhe skulptura, por po shkatërron vlerat tona. Dikush e drejton atë tank, sepse nuk eci vetë. Studiove të piktorëve duhet t’u dalë zot shteti. Të bëjë një status të studiove. Detyra e zotit të studiove, por dhe detyra të institucioneve përkatëse që merren me këtë. Shteti duhet ti mirëmbajë dhe ka të drejtë më pas të kërkojë llogari dhe për veprat e artit. Por shteti tek ne nuk po bën asgjë, i bie qemanes.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here