GKA sqaron pas 1 viti mbylljen e përhershme të “Onufrit”: Ekspozita humbi misionin, konkursi fiktiv

0
506

Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve mbyllin ekspozitën “Onufri”. Zhvilluar për njëzet e tre edicione, ekspozita ndërkombëtare e arteve pamore mbyllet nga institucionet. Edhe pse më parë në reagimet e tyre artistët kanë kërkuar që Ministria e Kulturës dhe GKA të deklaronin pse nuk po lajmërohej për zhvillimin e konkursit dhe ekspozitës “Onufri” u deshën ditët e fundit të këtij viti, që galeria të dilte me një deklaratë zyrtare. Në njoftimin zyrtar institucioni bën me dije se ekspozita humbi misionin e saj ndër vite dhe konkursi ishte fiktiv.  GKA bën me dije  se vendimi për mbylljen e “Onufrit” është marr nga bordi në mbledhjen e  datës 11 dhjetor, por që ka shprehur dakordësinë e saj dhe Ministria e Kulturës. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se në kuadër të dinamikave në të cilat zhvillohen shkëmbimet artistiko-kulturore ndërkombëtare sot, dhe si pasojë e problematikave që janë shfaqur ndër vite me Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri”, aktivitet ky që ka pasur mision primar realizimin e këtij shkëmbimi në Shqipëri, GKA ka vendosur në mbylljen e “Onufrit” dhe rikonceptimin e programit të saj të përgjithshëm artistik. “Bordi Artistik i Galerisë Kombëtare të Arteve përbëhet nga 7 anëtarë, Eleni Laperi (Kryetare), Edi Muka, Ornela Vorpsi, Zef Paci, Luçjan Bedeni, Sofjan Jaupaj, Xhoana Agolli. Anëtarët e këtij bordi ranë dakord për mbylljen e “Onufrit” gjatë mbledhjes së tyre më datë 11.12.2018, me vendim nr. 308/2. Ministria e Kulturës shprehu dakordësinë e saj mbi këtë vendim, në respektim të pavarësisë së gjykimit të bordit artistik të Galerisë Kombëtare e Arteve”, thuhet në njoftimin zyrtar. GKA vijon se “Onufri” u krijua në fund të viteve ‘90-të si një domosdoshmëri e kohës, që do të mundësonte shkëmbimet mes artistëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë, si dhe për të prezantuar artin e ri bashkëkohor të skenës vendase në kushtet e mungesës së plotë të institucioneve apo iniciativave të pavarura. Për këtë arsye, për vite me radhë “Onufri” mbajti peshën kryesore të shkëmbimit kulturor ndërkombëtar në artet pamore, duke i dhënë kështu një shtysë edhe metodave të reja të punës dhe praktikave artistike. Sipas GKA me kalimin e viteve skena është pasuruar edhe me një numër në rritje iniciativash të pavarura që gjithmonë e më shumë kanë për qëllim shkëmbimin mes artistëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë, por shumë edicione të “Onufrit” nuk kanë pasur nivelin e duhur të organizimit. “Nga ana tjetër, shumë edicione të “Onufrit” nuk kanë pasur nivelin e duhur të organizimit për t’i prezantuar denjësisht artistët. Bashkëveprimi midis artistëve shqiptarë dhe të huaj në kuadër të këtyre edicioneve ka qenë pothuajse fiktiv, pasi shumë nga artistët e huaj pjesëmarrës të “Onufrit” nuk kanë qenë të pranishëm gjatë ditëve të organizimit të ekspozitës. Gjithashtu, në të shumtat e rasteve është aplikuar një qasje e padrejtë ndaj artistëve shqiptarë të cilët duhet të kalonin fazën e përzgjedhjes, kundrejt artistëve të huaj që ftoheshin direkt nga kuratori. Për rrjedhojë edhe interesi i publikut ndaj kësaj ekspozite si dhe vet vlera e këtij aktiviteti janë zbehur me kohë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ekspozita “Onufri” ndër vite
Sipas GKA, ky aktivitet që fillimisht lindi si një nevojë për të rritur ndërveprimin mes skenës vendase dhe asaj ndërkombëtare vlerësohet se tashmë e ka përmbushur misionin e tij. “Zhvillimi i situatës artistike në vendin tonë, por edhe zhvillimet më të fundit të artit bashkëkohor në përgjithësi, nuk përkojnë më me formën e organizimit dhe strukturën që “Onufri” ka ndjekur gjatë viteve”, vijon galeria. Anëtarët e bordit artistik dhe drejtori i GKA-së z. Erzen Shkololli ndajnë mendimin se GKA ka nevojë për një formatim dhe një qasje të re pune, që do të jetë në hap me zhvillimet e reja në artin bashkëkohor dhe që reflektojnë ndryshimet thelbësore socio-politike në Shqipëri, rajon e më gjerë. “GKA duhet të zhvilloj veprimtaritë e saj të rradhës të cilat prezantojnë sa më mirë artistët në ekspozita ndërkombëtare tematike e të kuruara, dhe që vijnë si rezultat i një pune të pasur kërkimore. Ky rikonceptim i programit artistik synon që ta kthejë galerinë në një platformë të rëndësishme për shkëmbimin kulturor në nivel ndërkombëtar”, shkruan institucioni në njoftimin për konkursin dhe ekspozitën “Onufri”. Pas këtij njoftimi nga GKA, Skena e Pavarur Kulturore ka reaguar duke e quajtur se kjo ishte një dhuratë e konfirmuar prej kohësh nga institucionet. “Siç ndodh rëndom në politikën shqiptare kur vendimet merren në mënyrë skuthe, ndërkohe që publiku është me pushimet e verës apo fund vitit, vjen dhe dhurata tashmë e konfirmuar zyrtarisht nga e Galerisë Kombëtare në lidhje me konkursin “Onufri” shprehet SPK.

 Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here