Tentuan të korruptojnë gjyqtarin për ndryshimin e masës së sigurisë, pranga avokatit dhe klientit të tij

0
29

Një avokat dhe klienti i tij kanë përfunduar në prangat e policisë, me urdhër të Prokurorisë për Krimet e Rënda. Burime zyrtare sqarojnë se në pranga ka përfunduar avokati Sokol Gjini dhe Eriger Bushi, lindur e banues në Laç. Ndërkohë, të njëjtat burime sqarojnë se organi i akuzës ka caktuar masën detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore. Ai është Llesh Bushi, roli i të cilit nuk bëhet i ditur. Hetimet për rastin në fjalë, janë kryer nga Prokuroria për Krime të Rënda, ditën e djeshme u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest me burg” për avokatin Sokol Gjini, ndërsa Eriger Bushi, ishte arrestuar disa muaj më parë, pasi prej kohësh, ishte në kërkim për dy vepra penale. Referuar burimeve, nga përgjimet, ka rezultuar se Bushi, kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë dhe për këtë, do të paguante një shumë rreth 5 mijë euro, ndërsa ndërmjetësimin dyshohet se do ta bënte avokati. Zyrtarisht, prokuroria nuk bënë të ditura detaje të tjera, por thuhet se hetimet janë duke vazhduar, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit korruptiv, ndërsa pritet që brenda dy ditësh, të tre personat të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda, për rivlerësim të masës së sigurimit “Arrest në burg”. “Janë arrestuar shtetasit Sokol Gjini me detyrë avokat dhe Eriger Bushi lindur e banues në Laç, për veprën penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit” parashikuar nga neni 319 kodit penal. Për shtetasin Llesh Bushi është caktuar masa detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Të arrestuarit kanë kryer veprime me qëllimin korruptimin e gjyqtarëve për të mundësuar ndryshimin e masës së sigurimit për shtetasin Eriger Bushi”, njoftoi shkurt Prokuroria për Krime të Rënda. Avokati Sokol Gjini rrezikon 4 vite burg, nëse shpallet i fajshëm për akuzën e ngritur ndaj tij. “Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, gjyqtarit, prokurorit ose çdo punonjësi tjetër të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një vit deri në katër vjet”, parashikohet në ligj.

Arrestimi

Eriger Bushi ka përfunduar në prangat e policisë në muajin qershor të këtij viti, ndërsa ishte shpallur në kërkim për “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Arrestimi është bërë nga policia e Lezhës, e cila e ka konsideruar atë si një person me precedentë të mëparshëm penale, ku sipas policisë, ka qenë i dënuar për kundërshtim të punonjësit të policisë, plagosje dhe i dyshuar për grabitje me dhunë. Ai u arrestua pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Kanosja”. Ndërkohë, burime bëjnë me dije se në datën 11 shtator, Gjykata e Kurbinit i ka rrëzuar kërkesën për zbutje të masës së sigurisë, duke e lënë atë në burg. Nëpërmjet avokatit të tij, Bushi ka kërkuar zbutje të masës duke dhënë si shkak faktin se janë zbutur nevojat e sigurimit, pasi ka ndodhur ngjarja, personi me të cilin është konfliktuar ka firmosur një deklaratë noteriale, ku thotë se ka pasur një debat të çastit dhe se nuk janë goditur me njëri-tjetrin, nuk ka parë armë dhe s’ka dëgjuar krisma dhe marrëdhëniet ndërmjet familjeve janë të normalizuara. Më tej, i arrestuari ka pretenduar se ai nuk është mirë nga gjendja shëndetësore dhe se dy prindërit e tij janë invalidë, pasi kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale. Por këto pretendime nuk janë marrë parasysh nga gjykata, ndërsa prokuroria ka kërkuar gjithashtu lënien në fuqi të “Arrestit në burg”. Gjykata ka vlerësuar se pavarësisht se provat që ka paraqitur Bushi, nëpërmjet avokatit të tij tregojnë rrethana lehtësuese, kjo nuk përjashton faktin se i dyshuari është person me rrezikshmëri.

Ngjarja

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në datën 17 shkurt 2018, rreth orë 17.30, në qytetin e Laçit, ku Xhevahir Agolli është konfliktuar me shtetasin Eriger Bushi, 39 vjeç, banues në Kurbin, duke e goditur me sende të forta dhe më pas dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe është larguar menjëherë nga vendngjarja, edhe Bushi është larguar nga vendi i ngjarjes, duke iu shmangur kallëzimit. “Në vijim të veprimeve, është bërë shpallja në kërkim e shtetasit Eriger Bushi, i cili pas konfliktit është larguar dhe fshehur duke ju shmangur kallëzimit të krimit. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës parë Kurbin për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”, të parashikuar nga nenet 84 dhe 278/1 të Kodit Penal, në ngarkim të këtyre shtetasve”, njoftonte policia disa muaj më parë.

Elvis Myrta

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj