U arrestua tre javë më parë për tjetërsimin e pronave, Gjykata e Korçës liron ish drejtorin e Hipotekës

0
73

Gjykata e Korçës ka liruar ish kreun e hipotekës së qytetit juglindor të akuzuar për tjetërsim të pronave. Ish kreu i hipotekës së bashku me 3 vartësit e tij ka dalë ditën e djeshme përpara Apelit për t’u njohur me masën e sigurisë. Togat e zeza të Korçës kanë lënë të lirë 2 nga 5 të arrestuarit për abuzime me pronat në hipotekën e qytetit juglindor. Sakaq, janë lënë të lirë kundrejt një garancie pasurore, Leftjon Bardho dhe Andrea Zallemi, ndërkohë Apeli la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për tre punonjësit e hipotekës. Gjykata la në burg Ersild Gorarin, Erjon Arifin si dhe Arsidesa Hysin. Sipas të dhënave, Erion Arifi, dhe 65 vjeçari, Andrea Zallëmi, kanë kryer ndërmjetësimin e rasteve kur personat kishin probleme për të përfituar certifikatën e pronësisë dhe ndërhynin në dokumentet përkatëse në këmbim të shumave të ndryshme monetare. Prokuroria kërkoi për 5 të arrestuarit masën e sigurisë “Arrest me burg” për 5 të arrestuarit, por togat e zeza e hodhën poshtë kërkesën e organit të akuzës duke liruar dy nga pesë të arrestuarit të akuzuar për tjetërsimin e pronave në qytetin e Korçës. Prokuroria në dosjen e saj në këtë proces ka dokumentuar plot 10 raste, ku këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar nga rastet e shitblerjes se pronave duke bërë që transaksionet e detyruara për qytetarët të jepej kesh dhe të përfundonte në xhepat e tyre në këmbim të kryerjes së procedurave. Ka qenë një seancë hermetike ajo e djeshmja, ashtu si në shkallën e parë edhe dje Gjykata e zhvilloi këtë seancë me dyer të mbyllura. Abuzuesit e pronave kanë qenë në kontroll të rreptë nga strukturat ligj zbatuese dhe për këtë janë shoqëruar dhe proceduar shumë funksionarë nga veriu deri në jug të vendit.

Arrestimi

Katër punonjës të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Patundshme në Korçë dhe një person tjetër që kryente rolin e sekserit kanë përfunduar në pranga për korrupsion tre javë më parë, më konkretisht në datë 5 të këtij muaj. Të arrestuarit akuzohen se kanë falsifikuar dokumentacionin për pajisjen e qytetarëve me certifikata pronësie. Në prangat e uniformave blu të Korçës përfundoi, ish-drejtori i Hipotekës, Leftjon Bardho, Ersild Gorari, çifti i bashkëshortëve Arsidesa Hysi dhe Erjon Arif si edhe Andrea Zallëmi. Këta persona janë ndaluar nga Policia e Korçës pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë caktoi për to masën e sigurisë “arrest me burg”. Ish-drejtori i Hipotekës, Leftjon Bardho, regjistruesja Arsidesa Hysi dhe bashkëshorti i saj, Erion Arif, i cili ka punuar më parë në Hipotekë si edhe Ersild Gorari po ish-punonjës i Hipotekës dyshohet se në bashkëpunim me 65-vjeçarin Andrea Zallëmi kanë ndërhyrë në dokumentet e pronësisë, duke përfituar nga detyra dhe në këmbim kanë marrë shuma të konsiderueshme parash. Arsiedesa Hysi përveçse regjistruese në Hipotekën e Korçë mban edhe pozicionin e anëtares së Këshillit të Bashkisë Korçë si përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë, për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për ndalimin e shtetasve me inicialet L. B., 33 vjeç, banues në Korçë, (me detyrë ish-Drejtor në ZVRPP Korçë). E. G., 34 vjeç, banues në fshatin Barç, (ish-punonjës në ZVRPP Korçë) A. H., 28 vjeçe, banuese në Korçë, (me detyrë regjistruese në ZVRPP Korçë), E. A., 36 vjeç, banues në Korçë, (ish-punonjës në ZVRPP Korçë) dhe A. Z., 65 vjeç, banues në Korçë. Ndalimi i tyre u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendim datë 05.12.2018, ka vendosur për këta shtetas, masën e sigurisë “Arrest me burg” pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se iu kanë marrë qytetarëve sasi lekësh, duke u përpiluar dokumente fiktive për regjistrim pasurish, të cilat rezultonin me probleme në përfitimin e certifikatës së pronësisë”, tha policia e Korçës menjëherë pas arrestimit të ish drejtorit të hipotekës dhe varësve të tij.

Elvis Myrta

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj