Artistët akuza Kumbaros: Konkurs fiktiv për drejtorin e “Eksperimentalit”, u përjashtua Londo për të favorizuar Beqon

    0
    436

    Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit akuzon Ministrinë e Kulturës për mungesë transparence me konkursin për drejtorin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shkruan se po ndjek me aq vëmendje sa është e mundur në kuadër të jotransparencës, procesin e përzgjedhjes së drejtorit të Teatrit Kombëtar Eksperimental. Dy kandidaturat e përfolura në shtyp në javët e fundit janë zoti Kiço Londo, aktualisht drejtor i këtij teatri dhe zonja Jonida Beqo, aktualisht drejtoreshë e Teatrit të Metropolit. Kiço Londo është i njohur për publikun e gjerë për angazhimin e tij shumëvjeçar për zhvillimin e skenës teatrore shqiptare dhe edukimin e fëmijëve përmes teatrit e për t’u drejtuar te teatri, por AMT bën me dije se drejtori i këtij teatri e përballoi aktivitetin artistik me shumë pak buxhet nga ministria. “Aktualisht sipas të dhënave në dispozicion, rezulton se me 3 përqind të buxhetit të vënë në dispozicion për teatrin nga Ministria e Kulturës TKE prodhon 60 përqind të shfaqjeve teatrot në rang kombëtar, ndërkohë që me detyrim ligjor do të mjaftonte të prodhonte 3 përqind të shfaqjeve”, shkruan AMT. Në deklaratën drejtuar qeverisë dhe ministres së Kulturës Mirela Kumbaro artistët dhe anëtarë të shoqërisë civile, që janë mbledhur rreth AMT bëjnë me dije se drejtoresha e teatrit të Metropolit ka qenë nga firmëtarët e shembjes së teatrit, ndërsa drejtori aktual Londo ka qenë mbështetës i kauzës në mbrojtje të teatrit. “Për ne si aleancë, Kiço Londo në 10 muajt e rezistencës sonë, ka spikatur me mbështetjen e fortë që i ka bërë kauzës së mbrojtjes së teatrit nga shembja. Nga ana tjetër, zonja Beqo ka spikatur me përfshirjen e saj në radhën e atyre që firmosen për shembjen e teatrit. Kjo gjë bën që përfshirja e saj në proces si kandidate e vetme përballë zotit Londo të shfaqë dyshime për gjithë procesin. Ndërkohë, mbështetja që ka dhënë zoti Londo për kauzën e mbrojtjes së teatrit lë të mendohet që ka qenë me pasoja direkte për të. Ndërkohë që drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli, i cili ishte pro shembjes së ndërtesës së teatrit që drejton, mund të faktojë një numër shumë më të vogël shfaqjesh dhe publiku, konfirmohet edhe për një mandat në postin e drejtorit, për zotin Londo kjo as nuk merret në konsideratë që të ndodhë”, vijon deklarata.

    Procesi jo i hapur për kandidaturat e tjera

    Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit duke dalë në mbështetje të drejtorit Kiço Londo shkruan se ekziston frika se qeveria nuk është tërhequr nga procesi tërësisht jo transparent i tjetërsimit të kësaj hapësire, ku ndodhet teatri. “Ende është e paqartë se çfarë do të bëhet me Teatrin Kombëtar, Teatrin Kombëtar Eksperimental dhe gjithë truallin publik pranë tyre. Ende frika ekziston se qeveria nuk është tërhequr nga procesi tërësisht jotransparent dhe autoritar i tjetërsimit të kësaj hapësire dhe me dy drejtorë pro shembjes mund ta çojë deri në fund qëllimin e shpalosur përgjatë këtyre dhjetë muajve”, vijon deklarata e artistëve. Për Aleancën në Mbrojtje të Teatrit konkursi ka sjell përjashtimin e drejtorit Londo me kriteret e vëna nga Ministria e Kulturës. “Për më tej, procesi që në fillesë është i dënuar të paragjykohet. Ai nuk ka qenë i hapur dhe publik për të mirëpritur kandidatura të tjera, është vënë si kriter përjashtues gjuha angleze, që drejtpërdrejt çon në përjashtimin e zoti Londo nga gara dhe mbetjen në të të zonjës Beqo si kandidate e vetme”, shkruan AMT. Në këto kushte kërkohet që qeveria mos të mbyllë me ngut këtë proces që për artistët ka qenë jo transparent. “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon nga qeveria që këtë proces mos ta përmbyllë me ngut e në mënyrë jotransparente sikurse ka vepruar më herët në raste të tjera. Procesi duhet të jetë i hapur, platforma për zhvillim që paraqesin kandidatët të bëhet publike, vlerësimi për përzgjedhjen e kandidatit fitues të bëhet nga një komision me artistë të pavarur e të mirënjohur në skenën teatrore në Shqipëri”, shkruan Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here