Ermir Krantja me artistët, në koncertin e fundvitit në teatrin “Skampa”

0
87

Mbrëmjen e 29 dhjetorit në skenën e teatrit “Skampa” në qytetin e Elbasanit nën udhëheqjen artistike të maestro Ermir Krantjes do të mblidhen një grup artistësh të njohur. Grand gala e fundvitit bën bashkë artistët për të përcjellë momente të bukura muzikore. Koncerti i madh festiv vjen nën dirigjimin e maestro Ermir Krantjes dhe në skenë do të jenë Orkestra Simfonike e Elbasanit, me solistët e njohur nga publiku Kastriot Tusha, Ulpiana Aliaj, Jonela Golemi dhe Martin Kushi. Koncerti është me vepra muzikore vokale, instrumentale dhe orkestrale të autorëve të huaj, këngë napoletane dhe arie nga operat, por nuk mungon në këtë mbrëmje dhe një pjesë e krijuar nga maestro Ermir Krantja. Një vepër shqiptare për flaut dhe orkestër mbi tema shqiptare. Kjo pjesë muzikore, që nuk është dëgjuar shumë deri tani do të interpretohet nga flautistja Jonela Golemi. Uvertura e operës “Carmen” nga kompozitori Georges Bizet, një nga vallet sllave të Dvorzhak, valsi i Çajkovskit “Bukuroshja e fjetur”, pjesë nga Brams, etj, janë në këtë koncert. Në skenë merr rëndësi dhe pjesëmarrja e tenorit të njohur Kastriot Tusha me dy këngë napolitane, por edhe soprano e njohur Ulpiana Alija do të vijë me dy arie për publikun. Dirigjenti Ermir Krantja është një nga emrat e vlerësuar në botën e muzikës. Me dhjetëra koncerte të dirigjuara brenda dhe jashtë vendit ai ka marrë jo pak vlerësime. Në nëntor të këtij viti mjeshtri Ermir Krantja dirigjoi operën “La Traviata” të Verdit për publikun në sallën e Pallatit të Kongreseve. Kjo rivënie shënoi 150 herë dirigjimin prej profesorit Krantjes të shfaqjes operistike “La Traviata”, që është pohuar si kryevepra verdiane. Kliton Kapaj drejtor në Qendrën e Artit Elbasan shprehet se ftesa për të qenë pjesëmarrës maestro Ermir Krantja vjen për kontributin e tij në skena me muzikën, por dhe përvojën e tij me koncerte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. “Ky aktivitet, që është tashmë traditë dhe synimi ka qenë që çdo vit të ketë një dorë të re në dirigjim, pasi Ermir Krantja është edhe udhëheqës artistik i koncertit. Ermiri është një nga dirigjentët me më përvoje dhe një emër në dirigjim, ndaj është kënaqësi ta kesh të ftuar të punojë me orkestrën e qytetit. Ky koncert ka dhe shumë të ftuar solistë dhe do të prezantohet nga Xhani Shqerra dhe Eva Murati”, shprehet drejtori Kapaj.

Përfundimi i aktiviteteve

Kliton Kapaj drejtor në Qendrën e Artit Elbasan pohon se grand gala e mbrëmjes 29 nëntor është aktiviteti më i rëndësishëm i muzikës, që mbyll dhe vitin artistik. “Program i muzikës klasike me një orkestër simfonike të qytetit të Elbasanit. Është aktiviteti më i rëndësishëm i muzikës dhe ai që mbyll kalendarin e aktivitete të Qendrës së Artit, Bashkisë Elbasan”, thotë Kapaj. Sipas tij, tashmë është kthyer në traditë koncerti gala i fundvitit. “Prioriteti im ka qenë ngritja e cilësisë artistike dhe ndërtimi i një programi klasik dhe festiv si i takon kësaj mbrëmje”, shprehet ai mes të tjerave. Për drejtorin e Qendrës së Artit Elbasan Kliton Kapaj ky vit ka qenë vërtetë një vit i veçantë dhe me suksese për artistët. “Ky ka qenë një vit fantastik arritjesh ku Qendra e Artit ka marrë shumë çmime të para në të gjitha sektorët. Ansambli “Isuf Myzyri” ka marrë dy çmime të para, Banda Frymore gjithashtu çmim të parë, teatri me shfaqjen teatrore “Volpone” me katër çmime, Orkestra e Harqeve e qytetit çmim të parë. Prandaj ky vit mbyllet më së miri me një mbrëmje gala”, përfundon Kapaj në reagimin tij pak ditë para zhvillimit të mbrëmjes në teatrin “Skampa”. Këtë herë janë artistët e njohur që nën udhëheqjen artistike të maestro Krantjes do të përcjellin mbrëmjen gala.

Nga Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj