KLP nuk humb kohë, nis lëvizjet për të zgjedhur kryeprokurorin e ri, bien tentativat bllokuese të opozitës

0
35

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është vënë në lëvizje për të zgjidhur brenda këtij viti çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Në dhjetor të vitit 2017 ky post iu besua përkohësisht Arta Markut deri në ngritjen e KLP, i cili është edhe organi përgjegjës që hap garën për kryeprokuror. Ai po ashtu ka rol vendimtar në përzgjedhjen e 3 kandidaturave, të cilat i rendit në bazë të kritereve duke ia çuar për votim Parlamentit. Por momentalisht KLP i mungon infrastruktura: nuk ka faqe zyrtare në internet për publikimin e njoftimeve dhe i mungon vula zyrtare. Për të diskutuar rreth këtyre çështjeve dhe për të gjetur një mekanizëm zhbllokues me qëllim hapjen e garës për kryeprokuror brenda këtij viti, anëtarët e KLP pritet të mblidhen këtë javë në godinën e Ministrisë së Drejtësisë, në ish-ambientet e Avokaturës së Shtetit. Sipas burimeve të gazetës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka si qëllim hapjen e kësaj gare brenda këtij viti që të mos humbet kohë dhe në janar të vijohet me procedurat për përzgjedhjen e zëvendësuesit të Arta Markut.

Pretendentët për kryeprokuror

Ende pa u hapur gara për kryeprokuror, kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e prokurorëve që shihen si më favoritët për të zëvendësuar Arta Markun. Për të marrë postin e kryeprokurorit për 7 vjet duhet që emrat që garojnë të kenë kaluar procesin e vetingut me sukses, të jenë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të kenë doktoraturë si edhe të kenë 15 vite punë në sistemin e drejtësisë. Këto kritere i plotëson edhe drejtuesja aktuale e organit të akuzës, Arta Marku. Një kandidaturë tjetër e fortë është edhe ajo e prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Xholi, i cili edhe pse nuk ka mbaruar magjistraturën, ka gradë shkencore në fushën juridike. Në listën e prokurorëve që plotësojnë kriteret bëjnë pjesë edhe Besnik Muçi, Sokol Stojani dhe Arben Dollapaj. Por askush nuk mund të shprehë interesin e tij për këtë post pa u hapur më parë gara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Bien tentativat bllokuese të opozitës

Zgjedhja e kryeprokurorit të ri pritet të sjellë edhe trazira në politikë. Nëse ka diçka që mbahet mend nga zgjedhja e kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, ajo është sjellja e opozitës. Që nga momenti i zgjedhjes dhe deri më sot PD-LSI kanë hedhur vazhdimisht akuza ndaj Markut, nuk e pranuan emërimin e saj në këtë post si edhe kërkuan shkarkimin e saj. Por sipas burimeve të gazetës, një sjellje të ngjashme pritet që opozita të shfaqë edhe për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat 7-vjeçar. Me ngritjen e KLP, nisën edhe sulmet e Partisë Demokratike kundër këtij organi. Duke qenë se në krye të KLP u zgjodh Genti Ibrahimi, i cili është kunat i Mimi Kodhelit, demokratët deklaruan se ky organ i ri është i kapur nga mazhoranca. Duke përdorur këtë argument, pritet që opozita të kundërshtojë edhe çdo vendim të KLP, përfshirë këtu edhe renditjen e 3 kandidaturave më të mira për kryeprokuror që do t’i shkojnë për votim Parlamentit. Sipas informacioneve të gazetës, opozita do ta bojkotojë procesin e votimit, duke bërë që kryeprokurori të mos zgjidhet nga Parlamenti sepse kërkon 84 vota, të cilat mazhoranca e vetme nuk i ka. Por tentativat e opozitës për të bllokuar zgjedhjen e kryeprokurorit të ri bien me ngritjen e KLP. Ligji i jep të drejtë këtij organi që nëse Parlamenti nuk arrin konsensusin për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm mes 3 kandidaturave të dërguara nga KLP, atëherë ky i fundit ka të drejtë që brenda 30 ditëve të zgjedhë kryeprokuror kandidatin e parë të renditur. Pra, opozita nuk e bllokon dot zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, pavarësisht planeve dhe tentativave.

Mimoza Ibra

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj