Përplasja e makinës së policisë nga “Audi” në Elbasan, Gjykata e Krimeve të Rënda liron Enea Bekteshin

0
23

Gjykata e Krimeve të Rënda ka liruar dhe personin e fundit që mbahej pas hekurave për ngjarjen e qershorit të 2017, ku një “Audi” i blinduar godit makinën e policisë. Togat e zeza të Krime të Rënda kanë liruar disa ditë më parë nga burgu, Enea Bekteshin. Gazeta “Sot” mësoi se 31-vjeçari, u lirua nga qelia për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. Gjykata vendosi lirimin nga qelia të Bekteshit për shkak se 31-vjeçarit i ka kaluar afati 1-vjeçar që nga momenti i kryerjes së veprës penale. Për të gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg. Policia e Elbasanit rreth një vit më parë arrestoi Enea Bekteshin, i cili dyshohet se ka qenë në “Audi-n” e blinduar në ngjarjen e Elbasanit. Mjeti i policisë u godit gjatë operacioneve të kontrollit të policisë për verifikimin e makinave të luksit më 18 shtator 2017. Ndaj Enea Bekteshit, mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda më 29 shtator, ka lëshuar urdhër ndalimi pasi dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit tip “Audi” me targa AA 795 EP i dyshuar i blinduar që goditi mjetin e policisë me targa MB 002 AA më datë 18.09.2017 në lagjen “Dyli Haxhire” pranë tregut Agro-Ushqimor. Ishin gjurmët e gishtave të tij ato që tradhtuan 31-vjeçarin. Mësohet se këto gjurmë kishin ngelur në mjetin tip “Audi” të blinduar, i cili u përplas me mjetin e zëvendësdrejtorit të policisë së qarkut Elbasan. Gjithashtu edhe qelizat telefonike të provuara nga policia shkencore kanë treguar se 31-vjeçari ka qenë në ato momente pranë tregut agro-ushqimor. Bekteshi u arrestua me dyshimin se ka qenë drejtuesi i mjetit “Audi” që goditi makinën e zëvendës drejtorit të Policisë Elbasan, Gjergj Oshafi. Vetë Bekteshi, pas arrestimit pranoi përballë togave të zeza të Krimeve të Rënda se ka qenë ai personi që ka përplasur makinën e policisë. Por pas hetimeve sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda rezultoi se mjetin “Audi” që goditi policinë e ka drejtuar Suel Çela. 31-vjeçari, njihet si një nga të fortit të Elbasanit. Ai akuzohet për tentativë vrasje të efektivëve të policisë së Elbasanit dhe është shpallur në kërkim policor pasi gjykata ka vendosur “Arrest me burg” ndaj tij për veprën penale “Vrasje e punonjësve të policisë mbetur në tentativë”. Çela, i cili njihet edhe si Marjus Lulaj, konsiderohet nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë. Incidenti u bë shkak për një valë shkarkimesh që drejtori i Përgjithshëm i Policisë i asaj kohe, Haki Çako ndërmori në komisariat dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit.

Ngjarja

Mbrëmjen 18 shtatorit të vitit 2017, Policia e Elbasanit ka qenë duke zhvilluar një kontroll për verifikimin e mjeteve luksoze apo të dyshuara të trafikuara. Gjatë kontrollit në automjetin luksoz me targa AA 040 OJ me vlerë 100.000 Euro, drejtuesit të mjetit iu kërkua që të shoqërohej për verifikim të dokumentacionit. Në momentin që ky automjet po shoqërohej nga grupi Shqiponjat dhe nga një Patrullë Policie, një mjet tip “Audi” vjen me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe godet mjetin e policisë me targa MB 002 AA. Më pas, mjeti që goditi policinë u fut në Tregun Ushqimor. Për ngjarjen e 18 shtatorit të 2017 në atë kohë u arrestuan 3 persona, ndërkohë që u sekuestruan edhe 7 automjete, 3 prej të cilave të blinduara si dhe një armë zjarri sportive. Në pranga u vunë Ledio Zhabeli dhe Kelmend Xhaferri, të cilët ndodheshin në mjetin “Range Rover” me vlerë 100 mijë euro, i cili ishte ndaluar për verifikim nga policia pasi dyshohej si i trafikuar pasi në banesa iu gjet një sasi kanabisi dhe arma pa leje. Po ashtu, është arrestuar edhe roja i tregut ushqimor, i cili nuk i është bindur urdhrit të policisë për të hapur derën ku u fut “Audi” që përplasi makinën e policisë. Uniformat blu në atë kohë thanë se kanë identifikuar drejtuesin e mjetit të blinduar që rrezikoi jetën e efektivëve dhe se po punohet për kapjen e tij ndonëse asnjë burim zyrtarë nuk pranoi të thotë emrin e personit. Ndërkohë policia tre javë pas ngjarjes arrestoi dhe Enea Bekteshin, si personin që drejtonte automjetin e blinduar që goditi furgonin, ku pas hetimeve sipas prokurorisë rezultoi se drejtues ishte Suel Çela.

Elvis Myrta

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj