CIA zbardh detajet, Tito e cilësonte Enver Hoxha armikun më fatal të Shqipërisë, ja informacionet që kishin amerikanët për Nexhmije Hoxhën

0
478

CIA vijon të zbardhë dokumente të reja, kabllograme, raporte, dëshmi etj., mbi Shqipërinë e viteve 1949-1955. Një ndër dokumentet më të fundit të deklasifikuara nga CIA është dhe një raport i Andreë Keller, i cili flet posaçërisht për kreun e Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxha. Sipas tij, gjatë periudhës kur shqiptarët po përpiqeshin të përzinin fillimisht italianët e pas pushtuesit nazistë, Hoxha raportohet të kishte nisur manovrimin e fraksioneve jo-komuniste dhe atyre anti-komuniste, të luftonin për kauzën komuniste nën maskimin e nacionalizmit. Siç thotë dokumenti i CIA, Hoxha, krijoi Frontin Komunist Çlirimtar si një pikë bashkimi për shqiptarët që donin të çlironin vendin e tyre. Rivalët e Frontit Çlirimtar të Hoxhës ishin Balli Kombëtar, një organizatë vërtet nacionaliste me anëtarë të mbledhur nga të gjitha organizatat përveç atyre komuniste.

Ja si erdhi Enver Hoxha në krye të PKSH

Kreu i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxha, është një prej liderëve të paktë të vendeve satelite të BRSS që nuk është arsimuar në Moskë, por ky fakt nuk po paraqet probleme të veçanta për Kremlinin. Në 25 vjetët e fundit, ai ka qenë një ndjekës i zellshëm i politikave të Moskës, pa ndonjë përjashtim të rëndësishëm. Pika ku Hoxha dhe ndjekësit e tij ndryshojnë nga kolegët e tyre të BRSS është fakti që sovjetikët po kërkojnë të riafrohen me Marshallin jugosllav Tito. Në vitin 1948, kur Cominform (organi tashmë i shpërbërë i Zyrës së Informacionit të Vendeve Komuniste) sulmoi stilin nacionalist të komunizmit të Titos, Hoxha ishte prej të parëve që mbështeti denoncimin. Sipas vetë fjalëve të Titos, Hoxha u bë “brenda natës, armiku më fatal i popullit shqiptar”. Një numër anëtarësh të lartë të partisë, duke përfshirë dhe ministrin e Brendshëm dhe zëvendës-kryeministrin Koçi Xoxe, u eliminuan me akuza se ishin titoistë. Hoxha pranoi vetë se rreth 12 000 anëtarë të partisë u përjashtuan ose kishin dezertuar drejt Jugosllavisë prej kësaj përçarjeje. Teksa mbetet ende armiqësor me Titon, Hoxha sot po detyrohet të ruajë linjën politike të Moskës dhe të vendosë marrëdhënie miqësore me Jugosllavinë, dhe për këtë çështje besohet se është shumë i shqetësuar. Por Hoxha po turpërohet kohët e fundit edhe për një çështje tjetër të Bashkimit Sovjetik, atë të uljes së detyrë të marshallit Georgi Zhukov. Kur marshalli vizitoi Shqipërinë në tetor 1957, Hoxha u gëzua shumë për vizitën e një personaliteti kaq të lartë sovjetik, dhe e lartësoi në maksimum. Më 27 tetor, një ditë pas përjashtimit të Zhurkov nga kryesia e Partisë Komuniste Sovjetike, gazetat shqiptare ende mbanin lavdet e Hoxhës për marshallin, sepse Kremlini nuk e kishte vrarë mendjen të njoftonte Shqipërinë për largimin e shpejtë të Zhukovit. Hoxha ka qenë themelues i Partisë Komuniste të Shqipërisë në vitin 1941, dhe menjëherë nisi planet për vendosjen e regjimit komunist në vend. Aq e plotë ishte marrja e pushtetit nga Hoxha në Shqipëri sa është përkufizuar si ndoshta më klasike edhe sa grushti i shtetit në Çekoslovaki. Gjatë periudhës kur shqiptarët po përpiqeshin të përzinin fillimisht italianët e pas pushtuesit nazistë, Hoxha raportohet të kishte nisur manovrimin e fraksioneve jo-komuniste dhe atyre anti-komuniste, të luftonin për kauzën komuniste nën maskimin e nacionalizmit. Ai krijoi Frontin Komunist Çlirimtar si një pikë bashkimi për shqiptarët që donin të çlironin vendin e tyre. Rivalët e Frontit Çlirimtar të Hoxhës ishin Balli Kombëtar, një organizatë vërtet nacionaliste me anëtarë të mbledhur nga të gjitha organizatat përveç atyre komuniste. Dhe vërtet, grupi i Hoxhës ishte i dyshimtë prej fillimit, por në shumë rezoluta e deklarata i ka mohuar idetë e tij komuniste. Në shtator 1943, komiteti qendror i partisë komuniste ka lëshuar këto direktiva sekrete për anëtarët e saj: Duhet të punojmë pa u lodhur për të diskredituar Ballin Kombëtar para popullit, të largojmë popullin prej tij dhe ta afrojmë te ne, ta prezantojmë atë si përçarës dhe nxitës të luftës mes shqiptarëve, duke e bërë të duket se i gjithë populli do të revoltohet prej tij, në mënyrë që përgjegjësia historike për përçarjen e popullit shqiptar të bjerë mbi Ballin Kombëtar”. Një prej mjeteve të përsosura nga Hoxha për diskreditimin e Ballit Kombëtar ishte vendosja e fajit ndaj tyre, për çdo fshat të djegur nga nazistët. Një tjetër mënyrë ishte portretizimi i Ballit Kombëtar si fashistë të paguar nga italianët. Balli Kombëtar nuk arriti t’i bënte ballë fushatës së Hoxhës, dhe pas shpërbërjes së tij, Hoxha e kthehu vëmendjen te ushtria. Subversioni në ushtri drejtohej me anë të mesazheve të Shpatit (pseudonimit të Hoxhës gjatë luftës). Në një prej tyre të vitit 1943, ai shkruante: “Të bëhet kujdes se ushtria duhet të jetë e gjitha e bashkuar rreth partisë. Kohët e fundit kemi vërejtur në disa batalione një mungesë të influencës së Partisë. Kjo duhet të riparohet menjëherë, duke u fokusuar të kontrolli ndaj organizatave të partisë. Njësi të partisë duhet të formohen brenda batalioneve, dhe me anë të konferencave të bëhen kurse për ruajtjen nën drejtim të anëtarëve të partisë”. Në tetor 1944, pas tërheqjes së forcave naziste nga Shqipëria, Fronti Nacional Çlirimtar i Hoxhës, me besim në aftësinë e tij për kapjen dhe mbajtjen e pushtetit, e shpalli veten Qeveria Demokratike e Shqipërisë. Hoxha u emërua kryeministër, por më pas postin ia la Mehmet Shehut, një tjetër anëtari të zellshëm të partisë. Kontrolli komunist mbi Shqipërinë ka bërë që populli shqiptar tashmë të besojë se e gjithë bota e lirë ka plane djallëzore kundër këtij vendi të vogël. Atyre u thuhet se Moska është qendra e gravitetit të Shqipërisë dhe të rinjtë shqiptarë shikojnë nga Moska për iluminim kulturor dhe ideologjik. Megjithë rënien që ka pësuar në shumë vende, ish-diktatori Stalin ende konsiderohet si hero për shqiptarët. Portrete e statuja të tij ka kudo, dhe vetëm Hoxha ka më shumë se ai.

31 tetor 1951, ndryshimet në qeveri

Ndryshimet e mëposhtme janë bërë për qeverinë e Shqipërisë: Iliaz Reka është emëruar zëvendës-kryeministër, Mehmet Shehu, ministër i Brendshëm është zëvendësuar nga Josif Pashko. Ministër Drejtësie është emëruar Dilaver Kalasi, kurse Gogo Nushi është emëruar zëvendës-kryeministër i dytë dhe president i bashkimeve profesionale. Informatori ynë ka dëgjuar se ndryshimet e mësipërme janë bërë me sugjerimin e sovjetikëve dhe se personat e liruar nga detyra besohet se ishin nacionalistë apo titoistë. Koloneli Tefik Hoxha, komunist, është zhdukur. Hoxha ka thënë se duhet të ngrihen standardet e jetesës së popullit në mënyrë që propaganda e huaj të humbasë influencën. Baba Garini, lider i muslimanëve bektashinj, është zhdukur. Garini predikonte devotshmëri ndaj fesë dhe ndaj traditave shqiptare. Josef Papamihali, kreu katolik në Korçë është torturuar e më pas ekzekutuar nga Hito Hitoja. Në mesin e gushtit 1951, Hasan Dosti, kreu i Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë i ka dërguar një kabllogram Enver Hoxhës për t’i thënë se ishin mbledhur sasi të mëdha ushqimesh e veshjesh dhe ishin gati për t’i dërguar në Shqipëri për shpërndarje. Dosti deklaron se shpërndarja e tyre duhet të bëhet nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ose nga një komision i Kombeve të Bashkuara. Përmbajtja e kabllogramit i transmetua nga stacionet tona klandestine, radio në zonat jugore të Shqipërisë. Komiteti ka shpërndarë broshura ku thuhet se Bashkimi Sovjetik dhe Hoxha nuk e pranuan ofertën bujare të shqiptarëve që jetojnë në Amerikë dhe të popullit amerikan për të ndihmuar popullin shqiptar. Pas shpërndarjes së broshurave, Hoxha u detyrua të pranonte se kishte marrë telegramin nga Dosti, dhe deklaroi se oferta ishte e papranueshme pasi “tradhtari Dosti” i cili e krijoi si ide, ishte një vegël e amerikanëve luftënxitës e kapitalistë, ashtu siç ishin edhe Kryqi i Kuq dhe Kombet e Bashkuara. Misioni i vërtetë i Kryqit të Kuq dhe i Kombeve të Bashkuara, sipas Hoxhës, është spiunazhi. Hoxha shtonte se është e ditur për popullin shqiptar se falë ndihmës së Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera të demokracive popullore, populli nuk po vuan.

Situata në kampe

Kampi i Burrelit ka rreth 3600 të burgosur

Kampi i Bedinit, pranë Shkumbin, ka rreth 1700 të burgosur

Kampi i Vloçishtit pranë Korçës ka rreth 1200 të burgosur

Kampi i Maliqit ka rreth ka rreth 2300 të burgosur

Kampi i Tepelenës ka rreth 1050 të burgosur

Kampi i Pjanës ka rreth 800 të burgosur

Besohet se ka rreth 15 000 deri në 20 000 të burgosur në të gjithë kampet e përqendrimit të Shqipërisë, ku të burgosurit marrin rreth 500 gramë bukë, një pjatë supë perimesh dhe pesë gramë vaj ulliri në ditë. Ata nuk hanë mish. Të burgosurit duhet të zgjohen rreth orës 3 të mëngjesit për të nisur punën në projekte të ndryshe në afërsi të kampit.

Plani operacional për Shqipërinë 1954

Shqipëria është vendi më i vogël satelit i Bashkimit Sovjetik dhe një pikë e izoluar e komunizmit, me rëndësi shumë të vogël ushtarake, përveç një kërcënimi të pallogaritshëm në kufirin jugosllav, apo në formën e një baze për të rindezur luftën civile greke. Në disa kushte të caktuara ndërkombëtare, ajo mund të shërbejë si një pretekst për konsolidimin e hegjemonisë komuniste në formën e bashkimit të mundshëm të kufirit me Bullgarinë përgjatë juglindjes së Jugosllavisë. Marrja e informacioneve pozitive për çështjet politike, ekonomike e ushtarake mbi Shqipërinë, ruajtja dhe përforcimi i shpresës së çlirimit të popullit shqiptar dhe nxitja e dëshirës për rezistencë ndaj komunizmit. Dëmtimi i strukturave politike, ekonomike e ushtarake në Shqipëri; krijim i mjeteve dhe i terrenit për një ndarje të mundshme të Shqipërisë nga blloku sovjetik.

Përmbledhje e inteligjencës mbi Shqipërinë:

Shqipëria është një shtet tipik policor me struktura të forta sigurie. Deri në vitin 1953, popullata frikësohej aq shumë sa nuk mbështeste individët apo grupet klandestine, por më vonë u dallua një ndryshim pasi pas vitit 1953 grupet i infiltruara nisën të merrnin ndihmë të konsiderueshme nga popullata, veçanërisht në rajonet malore veriore. Ndryshimi besohet të ketë ardhur prej faktit të përmirësimit të inteligjencës dhe rritjes së kalibrit të përgatitjes së operacioneve. Ushtria e vendit nuk mund të konsiderohet një element besnik i regjimit, por policia sekrete (Sigurimi) me rreth 10 000 anëtarët është një armë e fortë dhe besnike e diktaturës. Me anë të grupeve të infiltruara dhe burimeve të tjera, është arritur një mbulim i përgjithshëm i objektivave të inteligjencës në Shqipëri. Me anë të fushatave të përqendruara të transmetimeve klandestine radio dhe broshurave të lëshuara nga ajri kemi krijuar një atmosferë më të mirë ku agjentët tanë të veprojnë. Gjatë vitit 1953 kemi kryer rreth 20 infiltrime dhe 75 kontakte radio me agjentët. Kemi lëshuar çdo muaj tekste propagande, ashtu si dhe furnizime për agjentët në terren.

Aftësitë aktuale operacionale

Gjatë tre viteve të fundit, rreth 1200 liderë me rreth 12 000 ndjekës raportohen të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me agjentët tanë, nëse u jepen materialet dhe drejtimi i duhur. Ky numër mund të duket i lartë, por duket se ka ende potencial për grupe të tjera rezistence që mund të aktivizohen në momentin e duhur. Grupe operative kanë raportuar prej vitit 1952 për rekrutimin e 31 liderëve me rreth 600 ndjekës nën komandë, dhe tentativa po bëhen për ruajtjen e entuziazmit të rezistencës, pa e nxituar atë në veprime që mund të jenë të parakohshme. Veprime po kryhen për krijimin e bazave të sigurta për mbështetjen e operacioneve kundër Shqipërisë. Është krijuar një bazë stërvitjeje dhe një bazë për transmetime propagande, këto të fundit të monitoruara për forcën e sinjalit dhe për monitorime të stacionit shtetëror shqiptar.

Raporti i kërkuar mbi Nexhmije Hoxhën

Anëtare e komitetit qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Zonja Hoxha është një prej grave më me influencë në regjimin aktual në Shqipëri dhe aktiviste e vjetër e partisë që prej themelimit të saj në vitin 1941. Ajo ka qenë aktive në punën klandestine gjatë viteve të luftës dhe që prej vitit 1944 ka punuar për organizimin masiv të punës. Ajo është aktualisht zëvendës-kryetare e Sindikatës së Grave të Shqipërisë, e Kryqit të Kuq të Shqipërisë, dhe e Shoqërisë së Miqësisë Shqiptaro-Sovjetike. Megjithëse statusi i saj është një reflektim i pozitës së të shoqit, Enver Hoxha, zonja Hoxha ka një karakter të sajin dhe është njohur për punën dhe aftësitë organizative. E lindur Nexhmije Xhunglini në 1921 në Dibër, ajo është bijë myslimanësh të klasës së mesme. Kreu shkollën fillore në Dibër dhe të mesmen normale në Tiranë me një bursë shtetërore. Ende pa mbaruar shkollën në Tiranë u angazhua në aktivitetet revolucionare kundër regjimit të mbretit Zog dhe më vonë kundër pushtimit fashist të Shqipërisë. Pasi mbaroi shkollën në 1941, ajo u detyrua të bëhej klandestine për arsye të aktiviteteve të saj pro-komuniste. Më vonë, ajo u dënua në mungesë me 12 vjet burgim nga forcat italiane. Gjatë viteve të luftës, zonja Hoxha ishte aktive në punën organizative dhe me të rinjtë. Ajo iu bashkua të rinjve komunistë dhe ishte përgjegjëse për mobilizimin e grave në orientimin pro-komunist. Ajo ka marrë pjesë në shumë takime komuniste gjatë viteve të luftës, duke përfshirë konferencën e Labinotit në 1943, apo në Këshillin Nacional-Çlirimtar, i cili më vonë i shtypi të gjitha fraksionet anti-komuniste duke vendosur diktaturën në Shqipëri. Pas luftës, zonja Hoxha u bë gjithnjë e më aktive në organizatat e Partisë Komuniste, dhe në 1945 u zgjodh presidente e grupit të sapoformuar të Sindikatës së Grave. Gjatë dekadës së fundit, ajo ka qenë një propagandiste e regjimit diktatorial, një detyrë që lidhet me punën e saj në Komitetin e Agjitacionit e Propagandës, me të cilin emri i saj është lidhur që prej vitit 1952. Por cilado që të jetë detyra e saj ajo është gjithnjë në radhë të parë të takimeve kulturore, arsimore, feministe, duke shërbyer ose si folëse kryesore ose si anëtare e presidiumit. Kohët e fundit ajo ka qenë një folëse e ashpër kundër revizionizmit të Titos dhe Krushovit. Në vitin 1954 u raportua se megjithëse politikat e saj arrogante nuk pëlqeheshin nga drejtues të lartë të partisë, ata respektonin aftësitë e aktivizimit e organizmit. Ka pasur sinjalizime xhelozie mes zonjës Hoxha dhe liderëve të tjera femra të Shqipërisë si Fiqirete Shehu, Vito Kapo, Eleni Terezi, të cilat sipas lajmeve kanë zili për pozitën e saj. Megjithëse zonja Hoxha udhëton shpesh si përfaqësuese e grupeve të grave shqiptare, kohët e fundit, ajo ka bërë vetëm një udhëtim jashtë Evropës Lindore, atë të majit 1957 kur një delegacion parlamentar i Shqipërisë vizitoi Kinën. Ajo është martuar me Enver Hoxhën prej 1945 dhe kanë bashkë të paktën tre fëmijë, zonja Hoxha raportohet të dijë të flasë frëngjisht, italisht, turqisht e pak anglisht. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here