Gramoz Burba: Ministria e Kulturës asnjë investim për Ansamblin Popullor, performojmë me kostumet e para 27 viteve

0
609

Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore prezanton në skena krijimtarinë e pasur folklorike. Me vlerësime nga publiku, por pa vëmendjen nga shteti për investimin që kërkon ky ansambël sot. Drejtuesi i grupit vokal këngëtari i njohur Gramoz Burba tregon se artistët punojnë me pasion, por kërkesat e tyre deri tani nuk janë realizuar. Në intervistën për “SOT” këto ditë të fundit të vitit që po mbyllet këngëtari Gramoz Burba shprehet se ka munguar investimi për Ansamblin Kombëtar për kostumet popullore, për krijimtarinë etj. Artisti i njohur i drejtohet Ministrisë së Kulturës që sipas tij edhe kërkesat që janë të drejta për artistët deri tani kanë qenë vetëm premtime. Në reagimin e tij si drejtues i grupit vokal Gramoz Burba shprehet se artistët duhet të trajtohen me dinjitet nga institucionet dhe jo të rrinë pa vëmendje. Në jetën artistike Gramoz Burba është prej 34 vitesh pranë Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, dhe më parë është angazhuar për pesë vjet në opera.

-Si po mbyllet ky vit për ju nga ana artistike?

Ky vit ka sa i takon jetës artistike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore ka qenë i mbushur me aktivitete të ndryshme. Përmend këtu aktivitetin në Bruksel në mars, shfaqja e grupit polifonik të ansamblit në Bullgari, aktiviteti në nëntor në Gjermani në Mynih dhe Essen, së fundmi me shfaqjen kushtuar kompozitorit Agim Krajka. Por gjatë kësaj kohe kemi zhvilluar dhe koncerte të tjera në disa rrethe të vendit. Ne kemi qenë gjatë këtij viti dhe në Kosovë, kemi qenë dhe në Maqedoni me koncert. Këto kanë qenë aktivitetet tona duke pasur parasysh dhe kushtet që ne jemi sot. Duke qenë se po rikonstruktohet dhe teatri kuptohet që mundësia jonë ka qenë dhe më e paktë. Por besoj që quhet një vit i suksesshëm nga ana artistike për ansamblin.

-Ju vlerësuat dhe pjesëmarrjen e artistëve në shtete të tjera me koncerte dhe më të fundit në Gjermani. Si prezantoheni në këto koncerte sa i takon programit muzikor?

Në ishim ë fundmi në Gjermani në dy qytete me koncerte dhe publiku i priti mjaft mirë artistët tanë. E quaj sukses, për arsye sepse u kthye publiku, ansambli u kthye në shfaqjet reale që duhet të bëjë. Janë koncerte, që kanë një program gjithëpërfshirës të folkut shqiptar për publikun me përpunimet më të mira popullore. Dhe në Mynih dhe në Essen ne jemi mirëpritur nga publiku që ishte i pranishëm. Ne zgjedhim për t’u prezantuar me përpunimet më cilësore qoftë nga pikëpamja profesionale, por dhe aspektin e spektaklit. Përpiqemi që kompozitorët më të mirë që ka Shqipëria të jenë prezent jo thjesht për emrin, por për cilësinë që paraqesin veprat e tyre dhe një gjë që ne e kemi të qartë është shtrirja gjeografike e programit. Kjo në mënyrë që të përfshihen të gjitha trevat, dhe ne bëjmë një përzgjedhje të kujdesshme që gjithsekush ta ndjejë veten në koncert.

-TOB po rikonstruktohet, sa e vështirë ka qenë për ju si artistë puna për të zhvilluar këto aktivitete?

Në kushtet që ne jemi, janë minimalet për të mbajtur gjallë trupat artistike në aktivitetin e tyre. Për kushtet që janë sidomos pjesa e baletit apo orkestra dhe kori hasin vështirësi, sepse këto ambiente nuk kanë qenë konceptuar që të ishin të tilla, por kanë qenë që i shërbenin një tjetër aktiviteti dhe jo një teatri apo ansambli. Në këtë pikëpamja punohet fort nga artistët për të ruajtur formën, diçka që lidhet me profesionin që të mos kemi rënie të nivelit artistik për shkak të kushteve që janë aktualisht. Ky është heroizmi që ne po themi, nuk është ndjerë ulja e nivelit artistik për shkak të terreneve që ne kemi për të punuar.

-Edhe ky vit po mbyllet pa statusin e artistit. Një kërkesë prej vitesh e artistëve dhe një nga premtimet e Ministrisë së Kulturës, por ende pa u realizuar. Si ndikon kjo për ju?

Kjo kërkesë për statusin e artistëve është që nga fillimi i viteve 2000. Që nga qeveria Nano, Berisha e me radhë deri sot. Është e çuditshme sepse këtë ne si sindikatë e artistëve e kemi paraqitur të detajuara në Ministrinë e Kulturës dhe asgjë deri tani. Dakordësia ka qenë e madhe për ta realizuar dhe premtimet kanë qenë të mëdha, por shkojmë e bisedojmë me ata por bëjnë të paditurin ose sikur fillon nga zero kjo punë. Deri tani janë vetëm premtimet, do bëjmë ligjin për artin do të jetë aty etj, ministria di vetëm të shmanget. Çfarë është statusi? Kërkohet deri sa mbajnë parametrat fizik të njeriut, deri sa mban ai për të kënduar apo kërcyer, si dhe për ti rënë një instrumenti fryme. Është e papranueshme që të dali në pension një balerinë në moshën 62 vjeçare, po ashtu dhe një këngëtar, një trompist, oboist etj. Nëse kërkojmë këtë, ne kemi ku e mbështesim sepse janë bërë studime vite më parë. Nuk është statusi një kërkesë kot. Ekipet e specialistëve qoftë mjekë apo dhe të fushave të tjera kanë bërë studime dhe e dinë se sa mban. Një artist, i cili e fillon aktivitetin e tij që fëmijë është e turpshme që të dali në pension në fund të karrierës së tij dhe të mos ketë të pijë një kafe apo të mos ketë para për të mbuluar shpenzimet minimale të ilaçeve, që merr për shkak të profesionit që ka ushtruar. Pra unë do të thosha që ne na takon dhe shteti duhet të bëjë pjesën humane. Kjo do të thotë ti shikojë kërkesat tona. Statusi dhe mosha e pensionit është një e drejtë që na takon, por me sa shikoj nuk kemi gjë shpresa të realizohen. Ne na e jep të drejtën ligji të quhemi profesion i kategorisë së parë, atëherë shoqëroje dhe me atë që na takon. Por nga Ministria e Kulturës është thjesht mungesë vëmendje dhe dëshire për ti bërë gjërat.

-Sa problem janë pagat për artistët sot?

Problemi i pagave nuk është vetëm te artistët, por unë po flas për pjesën tonë. Për shkak të inflacionit, krizave të ndryshme, ajo rrogë që ne na u dyfishua në 2005 sot është kthyer po siç ka qenë para këtij vitit. Vërtetë shifrat mund të jenë të larta, por vlera e saj është aty ku ka qenë dikur. Në këto shifra është e vështirë që të bësh art dhe nga ana tjetër të kesh stresin dhe pamundësinë për të realizuar shpenzimet e përditshme që ka njeriu. Rrogat në mënyrë urgjente duhet të rriten. Është pamundur që një këngëtar të vijë të këndojë katër orë kur nuk ka mbushur as barkun me bukë. Por dhe koha ka kërkesat veta, çdo ditë gjërat duhet të ndryshojnë për mirë dhe jo të kthehemi aty ku ne kemi qenë. Nuk mund të shkojë e gjithë koha, nuk kam, nuk kam… Duhet të shikojmë dhe ditë të bardha. Ju pyesni për artistët, por Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore kërkon investime nga shteti.

-Çfarë kërkoni për Ansamblin Popullor?

Unë nuk shikoj gjëkundi investim nga Ministria e Kulturë për Ansamblin Popullor. Nuk e shikoj në kostume, nuk e shikoj në krijimtari dhe në burimet njerëzore. Ne kemi nevojë urgjente për elementë të rinj artistik në ansambël, sepse trupat po plaken çdo ditë. Kjo dhe për shkak të mungesës të bërjes së ligjit të pensionit, por që ka krijuar një problem shumë të madh, dhe për pjesën e Ansamblit Popullor është urgjente që të shikohet kjo. Nëse duan ta mbajnë këtë ansambël ta mbajnë me dinjitet. Kur flasim për pagat, flasim dhe për dinjitetin e artistëve. Një njeri që ka sakrifikuar jetën nuk mund të zvarritet në fund për shkak të një pensioni qesharak që mund të marrë, këtu duhet vëmendje e shtetit. Njerëzit që punojnë dhe sakrifikohen shikohen me syrin e njerkës dhe e kam fjalën për artistët.

-Kostumet popullore janë pohuar me probleme edhe nga artistë të tjerë më parë?

Një ansambël kombëtar duhet të ketë në mënyrë të vazhdueshme investime sa i përket kostumeve popullore. Kostumet janë gjysma e performancës që ne bëjmë në skena. Por kostumet që ne kemi nuk mbahet mend kur janë bërë dhe sajohen. Unë kujtoj që në 2003 a 2004 u bë diçka që u investua për kostumet, më tutje nuk mbaj mend. Çdo valle e re që bëhet kërkon kostum të ri, por dhe trupat që janë statike si kori apo orkestra duhet të kenë kostume që të shndrijnë në skenë. Kur të ballafaqohen me ansamblet e huaja është për të ardhur keq ku jemi ne dhe ata ku qëndrojnë. Ndërkohë që nuk ka qenë kështu për investimin në ansambël. Unë vetën e kam të shenjtë kostumin popullor që vesh, këtu kemi mbërritur ne. Unë kam me kostumin që këndoj 27 vjet, por si unë janë dhe kolegët e mi. Dikur ka qenë shumë herë më ndryshe për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, shkëlqente në të gjitha gjërat, ishin të huajt që befasoheshin me ne dhe sot ka ardhur e kundërta.

Ansambli ndër vite

Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e AKVP-së tek kjo pasuri burimore dhe ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat kanë bërë që AKVP-ja të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnisë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota. AKVP-ja prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe interpretimin me kërkesa mjaft të larta artistike të thesarit të madh burimor folklorik duke bërë të mundur transmetimin e tij brez mbas brezi. AKVP-ja ka mbledhur artistët më të talentuar në këtë drejtim, që të pasqyrojë sa më denjësisht kulturën shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në repertorin e tij janë mbi 100 valle me motive nga të gjitha trevat shqiptare, me tematikë të larmishme e koreografi të spikatur. Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe mjaft të suksesshëm në jetën e ansamblit.

 Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here