Tronditet futbolli italian, Gavrina: racizmi po na detyron të ndërpresim Serinë A

0
449

Futbolli italian është tronditur të mërkurën në mbrëmje nga një ndeshje që do të hyjë si e turpshme në kampionatin elitar, Serie A, pasi tifozët e Interit viktimizuan me thirrje raciste mbrojtësin me ngjyrë të Napolit, Kalidu Kulibali, duke e nxjerrë nga “binarët” dhe duke e detyruar të marrë karton të kuq. Jo vetëm kaq, por para dhe gjatë asaj ndeshjeje pati dhunë masive mes tifozëve, ku si pasojë e përleshjeve fizike një tifoz zikaltër ka humbur jetën. Në këto rrethana, në lojë hyri vetë kreu i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gavrina, i cili kërcënojë me ndërprerje të kampionatit, pra të Serisë A. “Të ndërpritet kampionati”, kjo ka qenë kryethirrja e djeshme e zyrtarëve të lartë të federatës italiane dhe mediave sportive që i kushtuan jehonë ngjarjeve që shoqëruan ndeshjen Inter-Napoli.

Kështu, jashtë stadiumit u përplasën dy tifozeritë ku një fans i zikaltërve humbi jetën ndërsa disa tifozë të tjerë mbetën të plagosur. Megjithatë gjithçka kulmoi brenda impiantit të “San Siros”-s, aty ku tifozët ultras të Interit ofenduan me kore raciste mbrojtësin e Napolit, Kalidu Kulibali. Për ngjarjet që ndodhën në Inter-Napoli ka ndërhyrë edhe presidenti i federatës italiane të futbollit Gabriele Gravina. I pyetur nga mediat për një ndërpërjeje të mundshme të Serie A, Gravina theksoi: “Të pezullojmë kampionatin? Nuk e di, lajmi është akoma shumë i freskët. Tashmë duhet të reflektojmë dhe të koordinohemi siç duhet. Këtu ka një problem me rendin publik dhe si i tillë do të vlerësohet edhe fakti nëse duhet të luajmë apo jo”. Më pas numri 1 i futbollit italian, u ndal te koret raciste ndaj Koulibaly. “ 3 thirrje dhe asnjë ndalesë nga ana e tifozëve të Interit? Po verifikojmë gjithçka, mendoj që tifozëve u është bërë vetëm një thirrje. Sot për këtë çështje do të ndërhyjë prokuroria dhe ajo do të thotë fjalën e saj. Ajo që ndodhi ishte diçka shumë e shëmtuar, në fushë kam parë njerëz shumë nervozë, arbitri do të shkruajë atë që ka parë dhe nëse ka gabuar edhe ai, gjithashtu do të gjykohet”, deklaroi Gravina. Por edhe pse u shqyrtua ndërprerja e Serie A në fund krerët më të lartë të futbollit italian vendosën që të shtunën të luhet rregullisht sipas programit java e 19-të, kjo u konfirmua nga vetë Gravina.

Ndërkohë, Ançeloti u shpreh se shpesh herë ka kërkuar ndërprerjen e ndeshjes por asgjë nuk është marrë parasysh kërkesa e tij. Ndërkohë, ka folur edhe presidenti i Federatës Italiane të Futbollit i cili shprehet se do të merren masa në lidhje me këtë incident të ndodhur në ndeshjen Inter-Napoli. “Duhet reflektuar për gjithçka dhe tani ka ardhur momenti që të reflektojmë dhe të veprojmë. Këtu ekziston një problem i rendit publik dhe si i tillë duhet të vendoset diçka, madje edhe nëse duhet ose jo të ndërpriten ndeshjet. Ne do të marrim gjithçka që gjyqtarët kanë shkruar nga ndeshja dhe për çdo vendim që është marrë nga gjyqtari në lidhje me këto incidente, do të ketë ndëshkim për ato jo të saktat”, u shpreh Gravina.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here