Zbardhet drafti, ja si do bëhet reformimi i PS, Rama urdhër bazës të rishikojë anëtarësinë dhe të nisë rekrutimin e militantëve të PD-LSI

0
17

Afrimi i zgjedhjeve vendore i ka dhënë një shkas kryeministrit Edi Rama për të riformatuar Partinë Socialiste. Gazeta bëri publike dy ditë më parë axhendën e Asamblesë Kombëtare të PS, ku midis të tjerash vihej re pika që tregonte vendimin e Ramës për të futur në skaner të gjitha degët e PS dhe të reformojë organizatat socialiste. Ndërsa dje gazeta arriti të sigurojë draftin e plotë, i cili tregon sesi do të kryhet procesi i reformimit të Partisë Socialiste. Në draft thuhet se procesi i riorganizimit duhet të ketë përfunduar deri në prill të vitit 2019. Deri në këtë afat, Rama i ka dhënë urdhër bazës të rishikojë anëtarësinë, duke kërkuar që brenda datës 15 janar të dorëzohet regjistri i anëtarësisë. “Deri në 15 janar 2019, të përgatitet dhe dorëzohet regjistri i anëtarësisë dhe i strukturave të partisë për çdo bashki dhe strukturë në përbërje të saj për vitin 2018. Deri në fund të muajit janar 2019 të plotësohet dhe dorëzohet struktura e plotë e rrjetit të koordinatorëve sipas skemës së miratuar në nivel bashkie, Nj Ad në përbërje të saj dhe sidomos për çdo OS-QV. Brenda muajit prill 2019 të përfundojë riorganizimi i strukturave vendore rinore”, thuhet në draft. Më tej do të vijohet me riformatimin e organizatave socialiste, proces i cili duhet të ketë përfunduar deri në datën 5 mars të vitit të ardhshëm. “Në periudhën 5 janar- 5 mars 2019 në të gjithë vendin do të kryhet dhe përfundojë procesi për riformatimin e OS në zbatim të vendimit të AK të Partisë. Në funksion të vendimit të AK për riformatimin e OS brenda datës I5 janar të zhvillohen mbledhjet e AS të bashkive, ndërsa brenda datës 25 janar të zhvillohen mbledhjet e KS të njësive administrative dhe mbledhjet në OS të bashkive”, sqarohet në draft.

Rekrutimi i militantëve të PD-LSI

Ajo që bie në sy në draftin e siguruar nga gazeta është urdhri i kryeministrit Edi Rama për bazën socialiste që të nisë nga puna për rekrutimin e militantëve të PD-LSI. Në draft thuhet se baza duhet të ketë kontakte të vazhdueshme dhe të bëjë për vete votuesit e lëkundur. Por sipas burimeve të gazetës, Rama ka kërkuar më specifikisht që në fokus të jenë militantët e PD-LSI. Prej kohësh gazeta ka raportuar se Rama u ka kërkuar vartësve të tij që të bëjnë për vete militantët e LS me qëllim që partia e Monika Kryemadhit të rrezikojë shkrirjen. Një gjë të tillë shefi i qeverisë e ka kërkuar sërish, duke shtuar këtu edhe afrimin e militantëve të PD. Qëllimi i Ramës është që të dyja këto parti të pësojnë disfatë në zgjedhjet vendore. “Në zhvillimin e një pune intensive sqaruese në vijimësi dhe me intensitet me qytetaret, sidomos me ata të lëkundurit; Në organizimin e takimeve elektorale me kandidaturat për kryetarë të bashkive, përfaqësues të PS; Kontakte në vazhdimësi dhe tërheqje e informacionit të përjavshëm nga strukturat vendore të partisë për ndjekjen e veprimtari se dhe plotësimin e detyrave politike, organizative dhe elektorale nga ana e tyre”, thuhet në draft. Po ashtu, kryeministri Edi Rama ka kërkuar që nga muaji mars deri në qershor, kur edhe do të zhvillohen zgjedhjet vendore, vëmendja të jetë tek ky proces. Ai gjithashtu ka urdhëruar që baza socialiste të dalë në terren dhe të kryejë takime me njerëzit me qëllim që të arrihet një rezultat i mirë në zgjedhje. “Në muajin mars e në vazhdim veprimtaria e strukturave të partisë do të vihet në shërbim të përmbushjes së detyrave elektorale për kurorëzimin me sukses të zgjedhjeve të reja për pushtetin vendor. Në njohjen e verifikimin e listave të zgjedhësve për çdo QV; Në organizimin e sistemit të patronazhit të anëtarëve dhe përkrahësve të partisë; Në organizimin e zhvillimin e kontakteve me zgjedhësit, të punës derë në derë, të takimeve me komunitetin në lagje dhe fshatra”, përfundon drafti. Këto pika të draftit pritet të votohen sot në Asamblenë e Partisë Socialiste. 

Mimoza Ibra

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj