Milto Kutali: Tiranës i duhen dhjetë teatro, promovimi dramës shqipe detyrë e të gjithë artistëve

0
107

Viti artistik për regjisorin Milto Kutali po mbyllet me disa projektet teatrore që janë realizuar në skena të teatrit. Regjisori tregon se për të sjellë këto shfaqje në skenë ka bashkëpunuar me artistë të njohur, por dhe me emra të rinj. Gjatë këtij viti regjisori tregon se ka sjellë në skenë jo vetëm drama të huaja, por dhe vepra teatrore shqiptare që kanë përcjellë mesazhe të forta për publikun. Në intervistën për “SOT” regjisori i njohur Milto Kutali ndalet dhe në problemet që po kalon teatri në vend. Ai shprehet se Tiranës i duhen të paktën dhjetë teatro, pasi janë pak hapësira deri tani për artistët e teatrit. Por kjo sipas tij kërkon dhe vëmendjen e Ministrisë së Kulturës për të shtuar buxhetet për jetën artistike. Shqetësues për regjisorin është dhe fakti, që ende nuk ka gjetur miratim një ligj i duhur për teatrin në vend. Sipas tij dhe teatrot në rrethe nuk duhet të trajtohen me syrin e njerkës pasi dhe atje janë trupat artistike. Sa i takon projekteve të pavarura në fushën e artit, regjisori shprehet se do të ishte më mirë që me to të merrej një agjenci.

-Si po mbyllet ky vit për ju nga ana artistike?

Ky vit ka qenë me mua me angazhime në skenat teatrore me shfaqje të ndryshme, që janë vënë në teatër nga unë si regjisor. Por kam pasur angazhime dhe në Universitetin e Arteve shfaqje me studentët që janë dhe detyrime mësimore, por kanë dhe vulën e punës artistike. Kam pasur bashkëpunime me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kutim Spahivlgli” disa projekte. Një nga ato ka qen vepra teatrore “Hënat e fundme” e autorit Furio Bordon. Kjo shfaqje erdhi në skenë me interpretimin e aktorëve Bajram Dosti dhe Mariana Kondi si dhe aktori Klajdi Zeqja, një vepër shumë humane që bënte fjalë për gjeneratën e tretë. Mosha e tretë, që janë në alternativën midis azilit dhe të qenurit në shtëpi me fëmijët e tyre. Më pas kam punuar një tjetër projekt teatror bashkë me studentët e mi dhe ishte vepra teatrore “Trashëgimtari”. Në skenë ishin aktorët Donald Shehu, Xhuljano Brisku, Dajana Nenaj. Ka qenë një komedi që është shfaqur jo vetëm në skenën teatrore të Tiranës, por dhe në skena të tjera të Shqipërisë.  Komedia “Trashëgimtari” ishte vepër shqipe me autor Arben Iliazi. E fundit për mua në skenë ka qenë ajo me titull “Maskuar” e Ilan Hatsor, e vënë në skenë në 100 vende të botës dhe që u interpretua nga aktorët Alfred Trebicka, Arben Derhemi dhe Ismail Shino. Kjo vepër në skenat tona ishte premierë në fillim në sallën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, vijoi më pas dhe në sallën e Universitetit të Arteve. Turneu i veprës që u bë në skenat e tre qyteteve të Shqipërisë në Elbasan, Gjirokastër dhe në Korçë ka qenë falë mbështetjes së Ambasadës së Palestinës në vendin tonë, dhe në qytetin e Korçës u mbyll këtë vit shfaqja e 15 e kësaj vepre teatrore. Mendoj që në fillim të vitit meqë një nga donatorët e këtij projekti është dhe Qendra e Arti dhe Kulturës në Fier ne do të vijojmë me këtë shfaqje edhe në këtë qytet, pasi besoj do të ketë më vonë dhe një festival teatri.

-Në skena keni sjellë këtë vit për publikun edhe vepra teatrore shqiptare. Sa rëndësi ka për ju drama shqipe në skena?

Drama shqipe ka shumë rëndësi të jetë në skenën e teatrove tona jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe, dhe të gjithë ne duhet të jemi të ndjeshëm ndaj dramaturgjisë shqiptare. Në fund të fundit edhe prezantimi ynë bëhet më i plotë më i saktë dhe më origjinal kur jemi përballë një vepre teatrore shqiptare në teatër. Por mbi të gjitha është dhe një detyrë e jona, një detyrë e të gjithë artistëve që të promovojmë dramën shqiptare në teatrot tona. Unë nëse do të filloj vitin që vjen një tjetër projekt në një teatër do të jetë me siguri një tjetër vepër shqiptare. Por jam duke bërë dhe dy dramatizimi dhe kam duke parë dhe gjithë  veçorinë e veprave shqiptare. Ndaj them se mund të përgjigjem dhe me një vepër shqiptare për publikun në skena këtë vit.

-Në ditët e fundit të këtij viti çfarë ka qenë shqetësuese për ju me teatrin në vend?

Unë jam regjisor dhe shqetësimi im për teatrin në vend është që ka ardhur momenti që të paktën Tiranës i duhen dhjetë teatro, dhe kjo i përmbledh që të gjitha këto. Por që të bëhet kjo duhet kujdesi i shtetit tonë, i shoqërisë dhe i institucioneve tona që ti marrin përsipër. Ne kemi dy teatro kombëtarë në Tiranë, por duhet të krijohen dhe dhjetë të tjerë. Që në  Shqipëri të krijohen grupime dhe formate të ndryshme teatrore, duhet të ketë patjetër mbi dhjetë teatro në Tiranë. Unë po e them dhjetë, por ndoshta mund të ishte mirë të ishin dhe tridhjetë. Por e po e them dhjetë teatro, sepse kemi vetëm tre në Tiranë. Teatri Kombëtar, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivoli” si dhe Teatri Metropol në Tiranë, që është në varësi të Bashkisë së Tiranës.

-Ju shpreheni se duhet të jenë dhjetë teatro në Tiranë, por nga Ministria e Kulturës buxhetet kanë qenë të pakta për jetën artistike dhe për dy teatrot. Çfarë duhet bërë sipas jush?

Nëse ne flasim se duhet të ketë më shumë teatro në Tiranë sigurisht që kjo obligon Ministrinë e Kulturës, pra obligon institucionin tutor që të marrë seriozisht gjithë këtë kërkesë. Nuk e besoj se kjo është vetëm kërkesë  e imja, por e të gjithë artistëve. Më shumë teatro dhe të rritet buxheti për teatrin. E dimë që janë buxhetet mjerane për teatrin. Unë mendoj që do të jetë i mbarë dhe i bekuar ai që do të marrë përsipër ti japë Tiranës të paktën dhjetë teatro për qytetarët.

-Ju prej kohësh keni kërkuar dhe ligjin e artit…

Sigurisht që ligji i teatrit në vend ende nuk është formatuar. Unë di që ka qenë një akord midis komunitetit të artistëve dhe Ministrisë së Kulturës si dhe disa grupimeve të tjera të pavarura, që janë shoqatat e ndryshme të artistëve, që të riorganizohet dhe të bëhet një ligj i ri për kulturën në përgjithësi dhe teatrin në veçanti, sepse ne na ngacmon më shumë te teatri. Unë mendoj që këto duhet të jenë padyshim problemet kryesore me të cilat duhet të merret institucioni tutor, që është Ministria e Kulturës.

-Problemet me teatrot në rrethe vazhdojnë dhe kjo është një gjendje që ka bërë dhe artistët të reagojnë jo pak. Sa problem mbeten për ju?

Unë mendoj që teatrot në rrethe nuk duhet të jenë si të njerkës. Padyshim që ato teatro janë trupa artistike, që dhe pse kanë vëmendjen dhe mbështetjen e  pushtetit vendor ne e dimë që nuk është e mjaftueshme. Sigurisht dhe për faktin e politikave dhe strategjive që ndërton Ministria e Kulturës, që duhet të jetë e ndjeshme dhe patjetër të ushtrojë vëmendjen e  saj ndaj këtyre institucioneve në rrethe. Aq më tepër që unë të them të drejtën në këto dy a tre vitet e fundit jam shumë i kënaqur me një lloj dëshire të mirë dhe përkushtimi që po ndjehet në disa qytete të vendit, si në Korçë, Elbasan, Fier, Durrësi, Vlora, por dhe Gjirokastra që vlen shumë për tu lavdëruar dhe po bëjnë përpjekje maksimale që teatri të gjejë vendin e  duhur jo vetëm në lëvizjen intelektuale, por dhe atë sociale në Shqipëri.

-Edhe ky vit po mbyllet me shumë reagime të artistëve që shprehen kundërt politikave që ndiqen nga Ministria e Kulturës në fushën e artit. Për ju çfarë ka munguar?

Artistët për mua janë në të drejtën e tyre që të kërkojnë më së shumti nga institucionet që  marrin përsipër menaxhimin e botës së artit në përgjithësi, dhe sidomos atë të teatrit. Unë mendoj që sigurisht edhe fjala e tyre duhet të dëgjohet dhe duhet të vihet në vend, por deri tani zëri i tyre nuk është dëgjuar. Po folëm për institucione si Ministria e Kulturës historikisht nuk është se kanë bërë shumë për teatrin ndër vite, dhe nuk kanë kontribuar sa duhet. Në rastin konkret meqë jemi te puna që ka bërë Ministria e Kulturës, nëse dhe ministri të tjera nuk arritën të bënin gjë, dhe kjo nuk ndryshoi gjë. Ka pasur raste që flitej se do bënin ligj për teatrin, etj, por asgjë nuk është bërë

-Artistët shprehen kundër dhe mënyrës se si vepron Ministria e Kulturës me projektet e pavarura në fushën e artit. Çfarë është shqetësuese për ju, sa ka qenë dhe transparenca nga ministria me projektet dhe buxhetet?

Unë mendoj që nuk duhet ta merrte përsipër Ministria e Kulturës këtë gjë dhe duhet t’ia linte një agjencie, që sigurisht dhe në këtë aspekt ne jemi shumë mbrapa. Pra për mua duhet të ishte një agjenci përtej Ministrisë së Kulturës. Sigurisht që ministria i ka të gjitha mekanizmat që mund ta monitorojë një organizëm të tillë, por unë do të isha më shpresëdhënës nëse këtë gjë do ta bënte një agjenci, që do të menaxhonte dhe do të bënte këtë punë.

 Veprat në skenë

 “Hënat e fundme” një nga dramat më të vlerësuara të dramaturgut italian Furio Bordon, e përkthyer në më shumë se 29 gjuhë, në skenën e teatrit premierë për publikun me regji nga Milto Kutali dhe në role aktorët Bajram Dosti, Mariana Kondi dhe Klajdi Zeqaj. Në dramën “Hënat e fundme” ndërthuren shumë bukur ndjenjat e brezit të ri me brezin e vjetër. Në qendër të dramës është një burrë në moshë që i ka vdekur gruaja dhe jeton me djalin e tij. Por në gjendjen që është kjo familje, babai detyrohet që të shkojë në shtëpinë e të moshuarve. Nuk është se ai e dëshiron, as djali i tij që aq sa e do aq dhe nuk e pranon, ky është ngërçi në vepër. Komedia “Trashëgimtari”, me autor Arben Iliazi erdhi po me regji nga Milto Kutali premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”. Fatiku dhe Suzi, që bashkëjetojnë prej 7 vitesh si burrë e grua,  janë dy karaktere kontravers, pa asgjë të përbashkët. Fatiku, një  “zyrtar i lartë”, i katapultuar në politikë pa asnjë meritë dhe që jeton me ambicien pa kufij për pushtet e para, përfaqëson  individin instinktiv të zhveshur nga ndjeshmëria. Befas “shefi i madh” i kërkon të ngjizi një fëmijë, pasi pas 7 vjetësh martesë, po  bie në sy për keq para opinionit publik, që ende beson në vlerat e familjes. Vepra teatrore shkruar nga autori izraelit Ilan Hatsor, ishte në skenë po nga regjisori Milto Kutali. Rolet në vepër regjisori ia besoi aktorëve Arben Derhemi, Alfred Trebicka dhe Ismail Shino. Një familje e copëtuar nga mashtrimi, tradhtia dhe lufta në shfaqjen “Maskuar”. Nga të gjitha plagët e shkaktuara nga lufta moderne  guerile, ajo që lë ndoshta plagët më të thella emocionale, është ajo e familjeve të shkatërruara nga besnikëritë konfliktuale , duke zëvendësuar dashurinë familjare dhe besimin me dyshimin dhe mosbesimin.

Intervistoi: Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj